Kërkime në të gjithë Europën për gjetjen e Bleona Matës
Tiranë - Kërkimet për 6-vjeçaren e zhdukur nga Zapodi i Kukësit, Bleona Mata, kanë nisur ditën e djeshme dhe në nivel ndërkombëtar. Ndërkohë që mësohet se një person i afërt i familjes është shoqëruar nga policia për në Tiranë për hetime speciale. Dje, Policia e Shtetit ka vendosur që të shpallë në kërkim ndërkombëtar të miturën Bleona Mata, 6 vjeç, e cila u zhduk pa gjurmë pasditen e datës 22 maj vetëm 500 metra nga banesa e saj në bjeshkët e Zapodit. Fotografia e së miturës u është dhënë dje pikave kufitare të vendeve fqinje, pasi policia dyshon se së miturës mund t’i jenë ndryshuar gjeneralitetet dhe një nga pistat e hetimit mbetet ajo e daljes nga kufiri shqiptar. Gjithashtu, dje ka nisur një tjetër operacion kërkimi në zonën kufitare me Kosovën, ku forca të policisë, banorë dhe ekspertë të Krimeve të Rënda, sërish janë ngjitur në bjeshkët e Zapodit për të krehur për të disatën herë zonën, me shpresë për gjetjen e vogëlushes. Gjatë ditës së djeshme është bërë dhe një takim mes policisë së Kukësit dhe asaj të Prizrenit, ku është kërkuar ndihmë për gjetjen e 6-vjeçares nga Kukësi. Kërkimet për gjetjen e saj vazhdojnë prej më shumë se dhjetë ditësh, ndërkohë që ende nuk ka asgjë gjurmë mbi fatin e vogëlushes. Policia e Kukësit ka bërë të ditur dje se gjatë ditëve të fundit ka pasur tri telefonata për ngjarjen, por asnjëra prej tyre nuk ka dhënë informacione konkrete. Kërkimet kanë vazhduar edhe në disa fshatra përreth, duke kërkuar nëpër banesa. 16 ditë më parë u zhduk në mënyrë misterioze 6-vjeçarja Bleona Mata, për të cilën nuk ka ende asnjë gjurmë të saj. Policia tha se kontrollet janë duke vazhduar edhe përtej kufirit. Madje hetimeve u janë nënshtruar edhe të afërm të familjes Mata në Kosovë e Maqedoni. Burime nga Policia e Kukësit thanë se një person i afërt i familjes është shoqëruar në Tiranë për hetime me speciale. Po ashtu, po merren në pyetje edhe njerëzit që kanë pasur kontaktet e fundit me vajzën. Zhdukja në mënyrë misterioze e Bleonës, në fshatin Zapod të Kukësit, ka tronditur mbarë opinionin publik. Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 3 milionë lekë për çdo informatë në lidhje me vendndodhjen e vogëlushes së zhdukur prej më shumë se dy javësh.
Epidemia e zhdukjeve, tre fëmijë të humbur
Zhdukjet e fëmijëve dhe adoleshentëve duket se janë kthyer në një epidemi. Brenda një dite, në Policinë e Durrësit janë bërë dy denoncime, ku të zhdukur janë dy fëmijë, një vajzë 12 vjeçe dhe një djalë 16 vjeç. Ndërkaq, prej 16 ditësh, në Kukës, policia dhe banorët janë duke bërë kërkime për gjetjen e 6-vjeçares Bleona Mata. Dhe pse janë bërë kërkime të shumta, ende nuk është gjetur asnjë shenjë nga zhdukja misterioze e 6-vjeçares, ngjarje që ndodhi disa dhjetëra metra larg banesës së saj në fshatin Zapod të Kukësit. Ndërkaq, ditën e djeshme Policia e Durrësit bëri të ditur se ka marrë dy denoncime të reja për dy largime nga banesa. Ajo tha se është duke bërë kërkime intensive për gjetjen e vajzës së mitur dhe adoleshentit, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme uniformat blu nuk kanë bërë të ditur nëse dy të zhdukurit janë gjetur apo jo.
8 Qershor 2010