E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Borxhet fundosën shpresat për titull"

Liverpuli paraqitet dobët, Benitez ia adreson fajin problemeve financiare të klubit
Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, ka pohuar se ambiciet e skuadrës së tij për titullin kampion gjatë këtij sezoni janë vështirësuar për shkak të presionit administrativ, për të ulur borxhin e klubit. Spanjolli ka pranuar gjithashtu se paraqitjet e dobëta të lojtarëve të tij kanë ardhur për shkak të ngarkesës psikologjike: të gjithë prisnin që "Reds" të shpalleshin kampionë të Premiershipit pas vendit të dytë në sezonin e kaluar. Pas deklaratave të ish-trajnerit Graham Sunes, se skuadra nga Merisajd rrezikonte "shkrirjen" si Lids Junajtid, për herë të parë Benitez pranoi se gjendja e vështirë ekonomike e klubit ka ndikuar dukshëm edhe në paraqitjet në fushën e lojës. Duke folur për mediat britanike, Rafa u shpreh: "Nuk mendoj se Liverpuli do të ketë të njëjtin fat si Lidsi, janë dy situata krejt të kundërta. Prioriteti ynë gjatë këtij viti ishte që të reduktonim borxhin, klubi po punon shumë që kjo të realizohet. Kam besim se do të jemi në pozita më të mira. Gjatë këtij viti po bëjmë një punë shumë të mirë për të ulur borxhet". 49-vjeçari theksoi se bilancet janë shumë të rëndësishme në këtë periudhë krize. "Ishte një prej sfidave më të mëdha, që duhej të përballeshim gjatë verës. Duhej ta menaxhonim këtë situatë së bashku me çështjet sportive", shtoi Benitez. "Në momentin kur firmosa kontratën 5-vjeçare me klubin (në mars), e kishim të qartë se duhej të punonim së bashku, në mënyrë që të bënim më të mirën për Liverpulin. Ka raste, kur në situata të tilla skuadra paraqitet mirë në fushën e lojës, pavarësisht këtyre problemeve. Por, në raste të tjera duhet të presësh. Ndonjëherë duhet të mendosh për të ardhmen e klubit dhe kjo do të thotë se të gjithë ne jemi të detyruar të japim maksimumin".
Më tej, Benitez është ndalur në problemet sportive, ku handikapi më i madh gjatë këtij sezoni ka qenë pamundësia për të aktivizuar në shumë ndeshje sulmuesin Fernando Torres dhe kapitenin Stiven Xherard. Problemet e tyre fizike kanë ndikuar dukshëm në formën e dobët të së gjithë skuadrës. Zakonisht tekniku nuk preferon të flasë rreth faktit se këta dy futbollistë janë të vetmit që mund ta ndihmojnë Liverpulin të jetë i suksesshëm, edhe sepse kjo rrezikon të krijojë pakënaqësi brenda grupit. Megjithatë, për "Daily Mail" ai deklaroi: "Njerëzit harrojnë se gjatë sezonit të kaluar kemi luajtur me Torres dhe Xherard. Fituam shumë ndeshje dhe në fund grumbulluam 86 pikë. Nëse analizojmë këtë sezon, ata nuk kanë luajtur shumë ndeshje së bashku. Por, vazhdoj të përsëris se në momentin kur Fernando dhe Stiven do të jenë në formë optimale dhe do të zbresin të dy në fushë, skuadra do ta ketë më të lehtë që të fitojë". Benitez nuk është dakord me tifozët që mendojnë se Liverpuli është jashtë garës për titull: "Duhet të gjejmë vazhdimësi në rezultatet tona. Detyra jonë është të fitojmë sa më shumë ndeshje, pasi rivalët tanë mund të bëjnë hapa fals".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›