E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Benedikti XVI pret Berishën në Vatikan

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, është pritur dje në një audiencë të veçantë në Vatikan, nga kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI. Një eveniment i rëndësishëm politik dhe protokollar për çdo kancelari është shfrytëzuar edhe nga kreu i qeverisë shqiptare, i cili e ka cilësuar një zhvillim të rëndësishëm. Berisha, duke përdorur një referim historik, i cili nuk mund të jetë rastësi protokollare nga administrata perfekte e Vatikanit, ka theksuar se dita e djeshme ishte me gjithë kuptimin e fjalës "historike". "Sot e 543 vjet më parë, më 12 dhjetor, prijësi i përjetshëm i kombit shqiptar, Skënderbeu, u prit në Vatikan nga Papa Pali II. Ai erdhi këtu për të kërkuar dhe gjeti mbështetje në përpjekjet e tij legjendare, për të mbrojtur vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, vlerat e mëdha të perëndimit në rajon kundër pushtuesve. Nuk besoj se do të mund të ishte gjetur gjë e më e bukur, gjë më domethënëse në jetën time, për mua dhe shqiptarët, se sa kjo audiencë, kjo pritje që më akordohet më 12 dhjetor, në këtë përvjetor të madh të marrëdhënieve të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë. Edhe një herë, një mirënjohje shumë të thellë Atit të Shenjtë për audiencën që më akordoi", deklaroi Berisha. Kryeministri shqiptar i dorëzoi Papa Benediktit XVI ftesën për një vizitë në Shqipëri, vitin e ardhshëm, në 100-vjetorin e lindjes së shqiptares së madhe Nënë Tereza. "Papa Benedikti XVI u shpreh se Selia e Shenjtë do ta mbështesë plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zhvillimin e Shqipërisë në të gjitha fushat", bën të ditur njoftimi në faqen e Kryeministrisë. Në kuadër të vizitës zyrtare në Vatikan, Kryeministri Berisha zhvilloi edhe një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarcisio Bertone.

Y.Pata

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›