E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse jam kundër luftës në Vietnam

Presidentit Obama iu dorëzua këtë javë çmimi "Nobel" për paqe. Shumë pyetën: A e meritoi vërtet ai atë çmim, ndërkohë që i dha edhe më shumë zjarr luftës në Afganistan, duke miratuar dërgimin aty të afro 50 000 ushtarëve të tjerë? Obama vetë tha se nganjëherë lufta është e domosdoshme për të arritur paqen. Ndoshta ka të drejtë, ndoshta jo.
Më poshtë po japim një fjalim të Martin Luter Kingut, fituesit gjithashtu të çmimit "Nobel" për paqe në vitin 1964, për kundërshtimin që i bëri ai luftës amerikane në Vietnam, nisur edhe nga të qenët laureat i çmimit "Nobel" për paqe, një luftëtari të vërtetë për paqe

(Predikim i mbajtur në Kishën Baptiste Ebenezer, më 30 prill 1967)

Predikimi që po bëj këtë mëngjes, në njëfarë kuptimi nuk është predikimi i zakonshëm... Çështja për të cilën do të flas sot është nga më polemiket që përballon vendi ynë dhe ka titullin: "Përse jam kundër luftës në Vietnam".
Le ta them qartë që në fillim: e shoh këtë luftë si të padrejtë, si të keqe dhe si të kotë. Po predikoj sot kundër luftës në Vietnam, sepse vetëdija ime nuk më lë rrugë tjetër. Ka ardhur koha që Amerika të dëgjojë të vërtetën për këtë luftë tragjike.
Në konfliktet ndërkombëtare, e vërteta është vështirë të dalë, sepse shumica e vendeve gënjehen me veten e tyre. Arsyetimet dhe kërkimet pa fund për koka turku janë deformime psikologjike që na verbojnë të shohim mëkatet tona. Por, patriotizmit të përciptë i ka kaluar koha. Ai që jeton me të pavërtetën, jeton në skllavëri shpirtërore. Liria është shpërblimi që marrim për njohjen e së vërtetës. "Ju do të njihni të vërtetën, thotë Jezusi dhe e vërteta do t‘ju çlirojë". Zgjodha të flas për luftën në Vietnam, sepse jam i një mendimi me Danten, që thotë se vendet më të nxehta në ferr janë rezervuar për ata që në periudha krizash morale mbajnë asnjanësinë. Vjen një kohë kur heshtja bëhet tradhti.
E vërteta e këtyre fjalëve është përtej dyshimit, por misioni për të cilin na thërresin është shumë i vështirë. Edhe kur detyrohen nga thirrja e vetëdijes, njerëzit nuk e ndërmarrin me lehtësi misionin e kundërshtimit të politikës së qeverisë së tyre, po ashtu, veçanërisht në kohë lufte, shpirti njerëzor nuk lëviz lehtë kundër apatisë së mendimit të vetë konformist dhe atij të botës përreth. Për më shumë, kur çështja në fjalë duket aq pështjelluese, saç duket shpesh edhe në rastin e këtij konflikti të tmerrshëm, ne jemi gjithnjë në prag të të qenit nën hipnozën e pasigurisë. Por ne duhet të lëvizim. Disave prej nesh, që kanë filluar tashmë të thyejnë heshtjen e natës, u duket sikur thirrja për të folur është prirje e agonisë. Ne duhet të flasim. Ne duhet të flasim me të gjithë përulësinë që i përshtatet vizionit tonë të kufizuar... Por, ne duhet edhe të gëzojmë, sepse në të gjithë historinë tonë, nga populli amerikan nuk ka pasur kurrë një kundërshtim të ngjashëm me këtë për një luftë.
Sondazhet tregojnë se pesëmbëdhjetë milionë amerikanë janë haptazi kundër luftës. Miliona të tjerë nuk mund të dalin në mbrojtje të saj. Dhe, edhe ata miliona që e mbështesin luftën janë me zemër të thyer, të hutuar dhe plot dyshime. Kjo tregon se miliona kanë vendosur të kalojnë përtej profetizimit të një patriotizmi të qullët dhe të kalojnë në kundërshtim të vendosur, të bazuar në kërkesën e vetëdijes dhe të mësimeve të historisë.
...Një nga vështirësitë për të folur haptas është se barazohet kundërshtimi i luftës me mosbesnikërinë ndaj vendit. Do të jetë një ditë e errët në vendin tonë kur autoritetet e niveleve të larta të orvaten të përdorin çdo mënyrë për të heshtur kundërshtimin. Por, diçka po ndodh dhe popullit nuk do të mund t‘i mbyllet goja. E vërteta duhet thënë dhe unë them se ata që orvaten të bëjnë që të duket si budalla, si tradhtar, apo si armik i ushtarëve tanë secili që kundërshton luftën në Vietnam, u kundërvihet traditave tona më të mira.
Po, ne duhet të ngrihemi dhe duhet të flasim... Në dy vjetët e shkuara unë kam vendosur të thyej tradhtinë e heshtjes sime dhe të flas nga zemra që po më digjet për ndarjen e prerë me shkatërrimin e Vietnamit. Shumë më kanë pyetur për urtësinë e rrugës sime. Në të vërtetë, këta pyesin: "Përse flet për luftën Dr. King? Përse bashkohesh me zërat e kundërshtimit?" "Paqja dhe të drejtat e njeriut nuk përzihen", thonë ata. Dhe, kështu, këtë mëngjes, po flas me ju për këtë çështje, sepse jam i vendosur ta marr seriozisht gospelin. Unë vij këtë mëngjes në predikatoren time, për t‘i bërë një thirrje pasionante kombit tim të dashur...
Meqenëse nga profesioni jam predikues, mendoj se nuk është për t‘u habitur që të kem arsye të shumta për të sjellë Vietnamin në fushën e vizionit tim moral. Ka një lidhje të dukshme dhe të lehtë midis luftës në Vietnam dhe përpjekjes sime e të të tjerëve që po bëjmë në Amerikë. Disa vite më parë pati një moment të ndritshëm në atë përpjekje. U duk se pati një premtim real dhe shpresë për të varfrit: të zinj e të bardhë, përmes Programit për Varfërinë. Pati eksperimente, shpresa dhe fillime të reja. Pastaj erdhën përgatitjet për Vietnamin. Dhe unë e pashë programin të lënë në mes, si të ishte një lodër politike e kotë e një shoqërie të çmendur nga lufta. E dija se Amerika nuk do t‘i investonte kurrë fondet e energjitë e nevojshme për rehabilitimin e të varfërve të saj, për sa kohë do të vazhdonte aventura e Vietnamit, e cila do të tërhiqte njerëz, teknikë dhe para, si një tub demoniak përpirës e shkatërrues. Dhe ju mund të mos e dini, miqtë e mi, por është llogaritur se shpenzojmë pesëqind mijë dollarë për të vrarë një ushtar armik, ndërsa shpenzojmë këtu vetëm pesëdhjetë e tre dollarë për çdo person që klasifikohet si i varfër, ndërkohë që shumica e këtyre pesëdhjetë e tre dollarëve shkon për pagat e atyre që nuk janë të varfër. Kështu, unë jam i detyruar ta shoh gjithnjë e më shumë luftën si armike të të varfërve dhe ta godas atë si të tillë.
Ndoshta, njohja ende më tragjike me realitetin m‘u bë më e qartë kur kuptova se lufta po bënte shumë më shumë se shkatërrimin e shpresave të të varfërve këtu në Amerikë. Ky realitet ishte dërgimi i djemve, vëllezërve dhe bashkëshortëve negër për të luftuar dhe vdekur në proporcione shumë më të mëdha kundrejt pjesës tjetër të popullsisë. Ne po merrnim të rinjtë zezakë të cilët kanë qenë gjymtuar nga shoqëria dhe po i dërgonim tetë mijë milje larg për të garantuar liritë në Azinë Juglindore, ato liri që ata nuk i kanë gjetur në Xhorxhian Jugperëndimore apo në Harlemin Lindor. Kështu, ne jemi përballur me ironinë mizore të ndjekjes në ekranet e televizionit të djemve të zinj dhe të bardhë që vrisnin dhe vriteshin së bashku për një komb që nuk ka qenë i zoti t‘i ulë ata së bashku në të njëjtën klasë shkolle. Ky komb i ka vendosur ata në një solidaritet brutal për djegien e kasolleve të një fshati të varfër, edhe pse e kuptojnë se ata nuk do të jetojnë dot së bashku në të njëjtin bllok në Çikago apo në Atlanta. Kështu, unë nuk mund të hesht përballë këtij manipulimi mizor të të varfërve.
Arsyeja e tretë shkon në një nivel më të thellë të vetëdijes, sepse del nga përvoja ime në getot e Veriut në tri vitet e fundit, veçanërisht në tri verat e fundit. Ndërsa kam kaluar midis të rinjve të dëshpëruar, të përbuzur dhe të zemëruar, u kam thënë se shishet molotov dhe pushkët nuk do t‘i zgjidhnin problemet e tyre. Jam përpjekur t‘u ofroj dhembshurinë time më të thellë, sepse kisha besimin se ndryshimi social vjen më arsyeshëm nga veprimi i padhunshëm. Kështu, ata më pyesin dhe më shkruajnë "Po për Vietnamin?" Ata pyesin se përse vendi ynë po përdor doza masive të dhunës për të zgjidhur problemet e veta dhe për të bërë ndryshimet që kërkon. Pyetja e tyre është me vend dhe unë e di se nuk do të mund ta ngre kurrë zërin përsëri kundër përdorimit të dhunës nga të shtypurit e getove, pa folur qartë më parë për furnizuesin më të madh të dhunës sot në botë: për qeverinë time. Për hir të këtyre djemve, për hir të kësaj qeverie, për hir të atyre qindra e mijërave që dridhen nga dhuna jonë, unë nuk mund të hesht. Ka pasur plot përshëndetje në vitet e fundit për lëvizjen tonë dhe për mua. Amerika dhe shumica e gazetave të saj më përshëndetën në Montgomeri dhe unë qëndrova para mijëra negërve gati për t‘u rebeluar, kur më bombarduan shtëpinë dhe u thashë se ne nuk mund të vepronim ashtu. Ata më përshëndetën në lëvizjen e të qëndruarit ndenjur për të integruar mjediset e ngrënies. Ata më përshëndetën në Marshimet e Lirisë kur pranuam goditjet pa u kundërpërgjigjur. Ata na lavdëruan në Albani, në Birmingham dhe në Selma, Alabama. Oh, shtypi u bë aq fisnik në përshëndetjet e tij dhe po aq fisnik në lavdërime, kur unë po thosha: Mos jini të dhunshëm ndaj Bull Konorit; kur unë thosha: Mos jini të dhunshëm ndaj sherifit segregacionist të Selmës, Alabama, Xhim Klark. Ka diçka që nuk shkon rreth një kombi dhe një shtypi që ju lëvdon kur thoni të mos jeni të dhunshëm kundrejt Xhim Klarkut dhe ju shan dhe ju nëm kur thoni: Mos jini të dhunshëm kundrejt fëmijëve të Vietnamit. Ka diçka gabim këtu!
Sikur të mos ishte e mjaftueshme barra e përkushtimit për jetën dhe shëndetin e Amerikës, një barrë tjetër e përgjegjësisë m‘u vu në vitin 1964. Dhe nuk mund të harroj se çmimi "Nobel" për paqe, përveç të tjerave, ishte edhe një detyrë, një detyrë për të punuar më shumë nga ç‘kisha punuar më parë për vëllazërimin e njerëzve. Kjo është një detyrë që më çon përtej besnikërisë kombëtare.
Por, edhe po të mos ishte kjo, unë përsëri do të jetoja me kuptimin e përkushtimit tim ndaj ministrisë së Jezu Krishtit. Për mua, roli i kësaj ministrie në ndihmë të paqes është aq i dukshëm, saqë nganjëherë çuditem me ata që më pyesin se pse flas kundër luftës. Mos vallë ata nuk dinë se lajmet e mira janë për të gjithë njerëzit, për komunistët dhe kapitalistët, për fëmijët e tyre dhe tanët, për të zinjtë dhe për të bardhët, për revolucionarët dhe konservatorët. A kanë harruar ata se ministria ime i bindet Njëshit, i cili donte armiqtë e Tij aq plotësisht, sa vdiq për ta? Ǒmund t‘u them, atëherë, Vietkongëve, apo Kastros, apo Maos, si një ministër besnik i Jezu Krishtit? A mund t‘i kërcënoj ata me vdekje, apo të mos ndaj me ta jetën time? "Më në fund, unë dua t‘i qëndroj i vërtetë bindjes sime se ndaj me të gjithë pasionin për të qenë biri i Zotit të Vërtetë. Përtej pasionit për racën, apo vendit, apo kredos është prirja ime për t‘i pasur të gjithë bij dhe vëllezër dhe për të besuar se Ati ynë është thellësisht i preokupuar, veçanërisht për fëmijët e tij të vuajtur, të pambrojtur e të përjashtuar".
Ndërsa mendoj për marrëzinë e Vietnamit dhe përpiqem me vete të gjej rrugët për të kuptuar dhe për t‘iu përgjigjur me dhembshuri, mendja më shkon vazhdimisht te njerëzit e atij gadishulli. Nuk flas tashti për ushtarët e të dy krahëve, jo për qeverinë ushtarake të Saigonit, por thjesht për popullin që ka qenë nën mallkimin e luftës për afro tri dekada pa ndërprerje. Mendoj për ta, gjithashtu, sepse për mua është e qartë se nuk do të ketë zgjidhje të kuptimtë, përderisa të bëhen përpjekje për ta njohur këtë popull dhe për të dëgjuar vajin e tij të këputur...
Ndryshimi që bëri Amerika ishte shtimi i trupave në përkrahje të qeverive të korruptuara, të paafta, pa përkrahje popullore. Megjithatë, populli lexonte fletushka dhe merrte premtime të rregullta për paqe, për demokraci dhe për reforma të tokës. Ai tashti lëngonte nën bombat tona dhe na konsideronte ne, dhe jo bashkëkombësit e tij vietnamezë, si armiqtë e tij realë. Ai zhvendosej si kope, me pikëllim dhe pa dëshirë, i dëbuar nga tokat e baballarëve të vet, për në kampet e përqendrimit... Ai e dinte se, ose do të zhvendosej, ose do të vdiste nga bombat tona. Kështu, ai largohej - kryesisht gratë, fëmijët dhe pleqtë. Ai shihte sesi u helmonim ujërat, sesi u shkatërronim miliona akra me të mbjella. Ai qante kur buldozerët suleshin për t‘u shkatërruar pemët e tij të vlefshme. Ai sillej nëpër qytete dhe shihte mijëra e mijëra fëmijë, të pastrehë, të zhveshur, që lëvizin si kope kafshësh nëpër rrugë. Ai shihte fëmijë të degraduar nga ushtarët tanë që lypnin për ushqim. Ai shihte fëmijët që u shisnin motrat e tyre ushtarëve tanë në këmbim të nënave që u kishin marrë. Ne i shkatërruam atij populli dy institucionet më të dashura: familjen dhe fshatin. Ne i shkatërruam tokën dhe të mbjellat. Ne kemi bashkëpunuar në shtypjen e të vetmes forcë politike revolucionare jo komuniste të vendit: Kishës së Bashkuar Budiste.
Ky është roli që ka ndërmarrë vendi ynë, roli i atyre që e bëjnë revolucionin paqësor të pamundur, duke refuzuar të dorëzojnë privilegjet dhe qejfet që vinë nga fitimet e mëdha të investimeve jashtë. Jam i bindur se, në qoftë se do të kalojmë në anën e drejtë të revolucionit botëror, ne si vend duhet t‘i nënshtrohemi një revolucioni radikal të vlerave...
Një revolucion i vërtetë i vlerave do të na bëjë të dyshojmë për ndershmërinë dhe drejtësinë e shumë politikave të sotme. Na kërkohet të sillemi si Samaritanë të Mirë në rrugën e jetës që do të jetë vetëm një akt i fillimit. Një ditë do të shohim se e gjithë rruga për në Jeriko duhet të ndryshohet, në mënyrë që burrat dhe gratë të mos rrihen e të grabiten vazhdimisht ndërkohë që kalojnë në rrugën e jetës. Dhembshuria e vërtetë është më shumë se hedhja e një monedhe për një lypës... Revolucioni i vërtetë i vlerave do të shohë përtej deteve dhe do të vërë re kapitalistët e Perëndimit që investojnë shuma të mëdha parash në Azi, Afrikë, në Amerikën e Jugut vetëm për të marrë fitimet, pa asnjë preokupim për përmirësimin social të atyre vendeve dhe do të thotë "Kjo nuk është e drejtë". Ai do të shohë aleancat tona me pasanikët e tokave në Amerikën Latine dhe do të thotë: "Kjo nuk është e drejtë". Arroganca perëndimore që ndien se ka vetëm për t‘u mësuar të tjerëve dhe asgjë për të mësuar prej tyre nuk është e drejtë. Një revolucion i vërtetë vlerash do të vërë dorë në rendin botëror dhe do të thotë për luftën: "Kjo mënyrë e zgjidhjes së ndryshimeve nuk është e drejtë". Kjo punë e djegies së qenieve njerëzore me napalm, e mbushjes së shtëpive tona me jetimë dhe me të veja, e injektimit të drogave helmuese të urrejtjes në venat e popujve normalisht njerëzorë, e dërgimit në shtëpi të burrave të gjymtuar dhe psikologjikisht të tronditur nga fushat e errëta e të përgjakura të luftës nuk mund të pajtohet me urtësinë, drejtësinë dhe dashurinë. Një komb që vazhdon vit pas viti të shpenzojë më shumë para për ushtrinë, sesa për programet për ngritjen sociale, i afrohet vdekjes shpirtërore...
Është një fakt i trishtuar që për shkak të komfortit, të kënaqësisë, të një frike të sëmurë nga komunizmi, të gatishmërisë për t‘u përshtatur me padrejtësinë, ne në vendet perëndimore që nisëm kaq shumë nga shpirti revolucionar i botës moderne, jemi bërë tashti antirevolucionarët kryesorë. Kjo i ka çuar disa të ndiejnë se vetëm marksizmi ka shpirt revolucionar. Prandaj, komunizmi është një gjykim kundër dështimit tonë për ta bërë demokracinë reale. Ai vazhdon përmes revolucioneve që filluam ne.
E vetmja shpresë për ne sot qëndron në aftësinë tonë të rikapim shpirtin revolucionar, të hymë në një botë dikur armiqësore dhe të deklarojmë armiqësinë e përjetshme ndaj varfërisë, racizmit dhe militarizmit. Me këtë përkushtim të fuqishëm ne do të sfidojmë me guxim status quo-në, me guxim do të sfidojmë rregullat e padrejta...
Një revolucion i vërtetë i vlerave në analizën e fundit do të thotë se besnikëritë tona duhet të bëhen ekumenike dhe jo seksionale. Çdo komb duhet të zhvillojë një besnikëri të plotë ndaj njerëzimit në përgjithësi, në mënyrë që të ruajë më të mirën në shoqërinë e tij. Kjo thirrje për ndjekje të përbotshme që ngre kujdesin për fqinjin përtej fisit, racës, klasës dhe kombit është në të vërtetë një thirrje për dashuri gjithëpërfshirëse dhe të pakushtëzuar. Ky koncept i keqkuptuar dhe i keqinterpretuar, që hidhet poshtë aq lehtë nga Niçet e botës si një forcë e dobët dhe frikacake, është bërë tashti një nevojë absolute për mbijetesën e njerëzimit.
Kur flas për dashuri, nuk flas për dashurinë sentimentale, por flas për atë forcë që të gjitha fetë e mëdha e kanë parë si parimin suprem dhe unifikues të jetës. Dashuria është, si të thuash, çelësi që hap derën që të çon drejt realitetit absolut. Ky besim hindu-mysliman-kristian-judaist-budist mbi realitetin absolut përmblidhet bukur në letrën e parë të Gjonit: "Le të duam njëri-tjetrin, sepse Zoti është dashuri. Dhe cilido që dashuron është lindur nga Zoti dhe e njeh Zotin. Ai që nuk dashuron, nuk e njeh Zotin, sepse Zoti është dashuri". "Në qoftë se duam njëri-tjetrin, Zoti qëndron te ne dhe dashuria e tij përkryhet brenda nesh".
Le të them më në fund se e kundërshtoj luftën në Vietnam, sepse dua Amerikën. Flas kundër kësaj lufte, jo me zemërim, por me ankth dhe me dhembje në zemrën time dhe, mbi të gjitha, me një dëshirë pasionante, për të parë vendin tonë të dashur të qëndrojë si një shembull moral i botës. Flas kundër kësaj lufte, sepse jam zhgënjyer me Amerikën. Dhe nuk mund të ketë zhgënjim të madh aty ku nuk ka dashuri të madhe. Jam i zhgënjyer me dështimin tonë për trajtimin siç duhet të treshes së të këqijave: racizmin, shfrytëzimin ekonomik dhe militarizmin. Sot po shkojmë drejt një rruge pa krye që mund të na çojë në një katastrofë kombëtare. Amerika ka rrëshqitur thellë drejt një vendi të racizmit dhe militarizmit. Shtëpia që na lanë shumë amerikanë ishte strukturuar në mënyrë ideale; kolonat e saj ishin ngulur thellë në themelet e trashëgimisë judeo-të krishtere: "Të gjithë njerëzit janë krijuar në imazhin e Zotit, të gjithë njerëzit janë vëllezër. Të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë. Çdo njeri është trashëgimtar i dinjitetit dhe vlerës. Çdo njeri ka të drejta që as nuk jepen dhe as nuk rrjedhin nga shteti. Ato janë dhënë nga Zoti. Nga i njëjti gjak Zoti i bëri të gjithë njerëzit të jetojnë në faqen e kësaj toke". Çfarë themeli i mrekullueshëm për çdo shtëpi! Çfarë vendi i lavdishëm dhe i shëndoshë për të jetuar. Por Amerika devijoi dhe ky largim i panatyrshëm solli konfuzion dhe çoroditje. Ai devijim i ka lënë zemrat të vuajnë nga faji dhe mendjet - të çakërdisura nga irracionaliteti.
Është koha për të gjithë njerëzit e vetëdijshëm t‘i bëjnë thirrje Amerikës të kthehet përsëri në shtëpi. Ktheu në shtëpi Amerikë... Unë i bëj thirrje Uashingtonit sot, i bëj thirrje çdo burri dhe gruaje të vullnetit të mirë kudo në Amerikë, u bëj thirrje të rinjve të Amerikës, të cilët duhet të bëjnë një zgjedhje sot dhe të mbajnë qëndrim për këtë çështje. Nesër mund të jetë tepër vonë. Libri mund të mbyllet.
Mos lini njeri që t‘ju mbushë mendjen se Amerikën e ka zgjedhur Zoti si të shenjtën e Tij, si një forcë mesianike për t‘u bërë njëfarëlloj polici për të gjithë botën. Zoti ka një mënyrë për të qëndruar para kombeve me gjykim dhe mua më duket sikur dëgjoj Zotin t‘i thotë Amerikës: "Je shumë arrogante! Në qoftë se nuk ndryshon rrugë, do të ngrihem dhe do të të thyej shtyllën kurrizore të fuqisë tënde dhe do ta vendos atë në duar të një kombi që as nuk ia di emrin tim. Qëndro dhe mëso se unë jam Zoti".
Nuk është e lehtë të ngrihesh për të vërtetën dhe për të drejtën. Nganjëherë kjo do të thotë të poshtërohesh. Kur thua të vërtetën dhe mban një qëndrim, nganjëherë do të thotë të ecësh në rrugë me zemër të rënduar. Nganjëherë do të thotë të humbasësh punën, do të thotë të fyhesh dhe të përçmohesh, do të thotë të kesh një djalë shtatë-tetë vjeç që të pyet: "Baba, pse duhet të shkosh kaq shpesh në burg?" Dhe unë kam mësuar me kohë se të jesh një ndjekës i Jezu Krishtit, do të thotë të mbash kryqin. Bibla ime më thotë se E Premtja e Mirë vjen para Pashkëve. Para se të mbajmë kurorën, duhet të mbajmë kryqin. Le ta mbajmë atë, ta mbajmë atë për të vërtetën, ta mbajmë atë për të drejtën, ta mbajmë atë për paqen. Le të ikim këtë mëngjes me këtë vendosmëri. Dhe unë nuk e kam humbur besimin, nuk jam në dëshpërim, sepse e di sa ka një rend moral. ...E di se kombet nuk do të ngrihen më kundër kombeve dhe as nuk do të studiojnë më për luftën. Dhe unë nuk di ç‘do të bëni ju, por unë nuk do ta studioj më luftën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›