E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verbrit e Vlorës, grevë urie për uljen e pensionit

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Shoqata e të verbërve në Vlorë do të ngrihet në protesta masive e deri me grevë urie, nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre të ligjshme. Kjo shoqatë ka 850 anëtarë në rrethin e Vlorës, drejtuesit e së cilës dolën dje me një deklaratë për të paralajmëruar vendimin e tyre. Ulja e pensionit të tyre si invalidë dhe vështirësitë që ata hasin nga institucionet shtetërore i kanë detyruar që të ndërmarrin në të ardhmen veprime konkrete. Në protestë pritet të përfshihen 850 anëtarë të kësaj shoqate në të gjithë rrethin, e cila do të shtrihet dhe në rang kombëtar. Kryetari i Shoqatës së të Verbërve, dega Vlorë, Kristaq Xhaxho pohoi dje, se ky vendim i vështirë për këtë kategori po merret, pasi përpjekjet e deritanishme të tyre për të bindur qeverinë për korrigjimin e gabimeve dhe dhënien e të drejtave të tyre të ligjshme kanë dështuar. “Sot ne jemi të fokusuar në mbrojtjen e të drejtave të shkelura dhe jemi të vendosur që ta bëjmë qeverinë të na dëgjojë, duke bashkuar zërat tanë. Shpresojmë që qeveria do të marrë masat e zgjidhjes dhe nuk duhet të bëjë të njëjtin gabim që bëri dhe me Shoqatën e Parapleqjikëve, duke na detyruar dhe ne të hyjmë në grevë urie”. Shoqata e të Verbërve të Vlorës ka përgatitur dhe një peticion drejtuar Kryeministrit Berisha, ministrive përkatëse si dhe institucioneve ndërkombëtare për zgjidhjen urgjente të problemeve të tyre. Ata kërkojnë shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave, që ka marrë vitin e shkuar për të ndryshuar një vendim të vitit 1997 mbi përfitimet nga statusi i të verbërve. “Qëllimisht është përkeqësuar formula e rritjes dhe masa e pagesës së të verbërve. Nga 10.800 që duhet të ishte paga aktuale, tashmë ka ngelur në shifrën prej 8.700 lekësh në muaj. Për shkak të shkeljeve që janë bërë detyrimet e prapambetura ndaj të verbërve janë në shifrën prej 40 mijë lekë për të verbrit e grupit të dytë dhe 80 mijë lekë për grupin e parë”, pohojnë përfaqësuesit e shoqatës. Sipas tyre, ka një vendim qeverie që përcakton mënyrën e strehimit dhe përfitimin e banesave nga të pastrehët, por asnjë lek sipas tyre nuk është dhënë në këtë drejtim. Tjetër ankesë që kanë të verbrit e Vlorës lidhet me tatim-taksat. Ata kërkojnë nga qeveria të zbusë vlerën e detyrimeve ndaj shtetit nga ana e aktiviteteve private që kanë të verbrit, duke u vetëpunësuar. “Qeveria duhej të kishte krijuar për të verbrit 2.800 vende pune, në të gjithë Shqipërinë, por ajo jo që nuk e ka bërë këtë, por nuk i favorizon për t’u vetëpunësuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›