E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi, agjencitë e vlerësimit paralajmërojnë SHBA-në

Agjencia e vlerësimit të kredisë Standard & Poor uli klasifikimin nga AAA në AA+ për Shtetet e Bashkuara përherë të parë në histori, duke bërë edhe një parashikim negativ. S&P tha se bëri këtë riklasifikim pasi plani i Kongresit për shkurtimin e deficitit buxhetor që u miratua të martën nuk është i mjaftueshëm për të stabilizuar gjendjen debitore të vendit. Agjencia tha gjithashtu se ulja e klasifikimit pasqyron pikëpamjen e saj se “efektiviteti, stabiliteti dhe parashikueshmëria e hartimit të politikave dhe institucionet politike amerikane janë dobësuar në një kohë sfidash fiskale dhe ekonomike. Media citoi zyrtarë të Shtëpisë të Bardhë, të cilët kanë thënë se S&P nuk i ka bërë mirë parashikimet për planin e shkurtimit të borxhit amerikan me dy trilionë dollarë. Presidenti Obama dhe Kongresi amerikan arritën një marrëveshje para skadimit të afatit të martën për ngritjen e tavanit të borxhit prej 14.3 trilionë dollarësh, duke shmangur mospagimin e detyrimeve financiare të qeverisë. Marrëveshja parashikon uljen e deficitit me më shumë se dy trilionë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhëshme. S&P kishte bërë thirrje për katër trilionë kursime.Dy agjenci të tjera të vlerësimit të kredive, Moody dhe Fitch, nuk e kanë ulur deri tani vlerësimin për Shtetet e Bashkuara. Por cfarë do të thotë ulje e vlerësimit të kreditimit? S&P, Mood’s dhe agjenci të tjera përdorin sistemin e tyre të vlerësimit nga AAA deri në CCC. Që nga 1917, kur Mood`s e vlerësoi për herë të parë me AAA, SHBA nuk ka rënë prej këtij niveli, c’ka do të thotë se Uashingtoni ka qenë në gjendje të shlyejë brenda afatit borxhet.Por kjo lëvizje duket se do të trondisë tregjet, vecanërisht bankat e nivelit të dytë. Ndërkohë ekspertët ndërkombëtarë thonë se pavarësisht zhurmës dhe sikur të ndodhë realisht zhvlerësimi i borxhit, Amerika sërish mbetet e aftë për shlyerjen e tij. Pikërisht për shlyerjen e borxhit, të gjitha agjencitë e vlerësimit përkrahin fuqimisht draftin e ri të Kongresit amerikan për rritjen e kufirit të borxhit dhe shkurtimet drastike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›