Borxhi amerikan alarmon financat botërore
Duket se gjërat nuk po shkojnë aspak në drejtimin e dëshiruar për dollarin, ekonominë amerikane dhe borxhin e saj publik të jashtëzakonshëm. E gjithë bota ndoqi me ankth debatin disajavor ndërmjet demokratëve dhe republikanëve për rritjen e tavanit të borxhit publik në SHBA, si dhe tentativat për gjetjen e një konsensusi për ngushtimin e deficitit buxhetor. Presidenti Obama bëri çdo lloj thirrje e tentative të mundshme për ti bindur të dyja kampet e politikës amerikane se kutia e Pandorës nuk duhej hapur duke vënë logjikën dhe llogaritë politike mbi racionalitetin ekonomik e financiar. Këtë radhë nuk ishin në lojë vetëm çështjet e brendshme amerikane, por perspektiva e ekuilibrave financiarë botërorë, interesat e shumë vendeve të mëdha e të fuqishme si Kina, vendet e eurozonës etj., interesat e mjaft bankave qendrore nëpër botë, sfida e dollarit për të mbetur monedha kryesore për tregtinë botërore apo si rezervë vlere për bankat qendrore, besueshmëria e borxhit amerikan dhe kostoja e ulët e tij etj. Edhe kompanitë prestigjioze të vlerësimit të cilësisë së borxhit dhe gjendjes së financave publike treguan kartelat e verdha duke lënë të kuptohet se mund ta ulnin nivelin e vlerësimit për SHBA. Por, duket se asnjë nga këto arsye nuk arriti ti imponohet kalendarit dhe llogarive politike në Uashington dhe, për pasojë, u mor një vendim që kënaqte relativisht e në mënyrë modeste pritjet e përgjithshme, pa arritur të shkonte deri në ato limite që do ta cilësonin si kompromisi historik ndërmjet republikanëve e demokratëve.
Natyrisht, që vendimi i 1 gushtit e largoi fantazmën e statusit të bllokimit të pagesave që mund të kishin SHBA, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në gjithë historinë e saj, por nga shumë analistë, ekspertë e politikanë u cilësua si zgjidhje problematike me shumë pikëpyetje, sidomos në perspektivën afatmesme e afatgjatë të saj. Dhe pasoja e parë negative erdhi. Ajo që ishte paralajmëruar që disa muaj më parë, ulja e nivelit të vlerësimit për borxhin amerikan nga agjencia Standard and Poors, u bë publike në orët e vona të së premtes së datës 5 gusht. Për herë të parë në historinë e financave amerikane dhe në vetë historinë e vlerësimeve të Standard and Poors që nga viti 1941, cilësia e borxhit publik amerikan zbriti një shkallë duke kaluar nga niveli AAA në nivelin AA+, dhe për më tepër duke e kualifikuar si negative tendencën afatgjatë të tij, si dhe duke cituar rreziqet politike përballë sfidave të deficitit buxhetor.
Në gjuhën dhe logjikën e agjencive të vlerësimit kjo mund të përkthehet si një paralajmërim se nëse do të ketë një ndryshim tjetër të vlerësimit, probabiliteti më i madh është që ai të jetë akoma më i ulët. Standard and Poors vlerëson se debati politik në SHBA nuk u ngrit në lartësinë që kërkonte borxhi i jashtëzakonshëm publik amerikan prej 14 500 miliard USD, pothuajse i barabartë me PBB amerikan, duke e cilësuar marrëveshjen e arritur si të pamjaftueshme në raport me domosdoshmërinë e stabilizimit të dinamikës afatmesme të borxhit. Si rrallë ndonjëherë në historinë dhe ftohtësinë e vlerësimeve të këtyre lloj agjencive, këtë radhë Standard and Poors hodhi një hap të madh të panatyrshëm duke nënvizuar se shkaqet që e çuan në këtë vendim kishin të bënin dhe me gropën e madhe, apo diferencat e jashtëzakonshme në pozicionet e dy partive. Vështirësitë e parashikimit të vendimeve në politikën amerikane etj., duke u bashkëngjitur kështu vlerësimeve financiare e ekonomike dhe gjykime të natyrës politike.
I menjëhershëm duket se ka qenë reagimi i Shtëpisë së Bardhë që e akuzoi agjencinë Standard and Poors për gabime në llogaritje në shumën prej 2000 miliardë USD, por që gjithsesi, sipas agjencisë, nuk ndikojnë në vendimin e saj për uljen e vlerësimit në AA+. Ndërkohë, kritikat e republikanëve po adresohen drejt Presidentit Obama dhe zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012. Për Barak Obamën është ndoshta momenti më i vështirë politik që nga fillimi i mandatit të tij dhe, mbi të gjitha, i sloganit fitues të tij Yes, we can, që republikanët kanë filluar ta zëvendësojnë me sloganin Downgrade Obama. Ish-guvernatori i Massachusetts, Mitt Romney, kandidat i mundshëm republikan për President, shprehet se e gjitha kjo është rezultat i vendimeve të dobëta të administratës Obama, ndërkohë që John Boehner, presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, shkon akoma më tej kur shprehet se kjo gjendje është veçse pasoja e fundit e shpenzimeve të pakontrolluara që janë realizuar në Uashington për dekada të tëra. Gazeta Washington Post shkruan se tashmë rizgjedhja e Obamës do të varet nga të dhënat ekonomike, ndërkohë që New York Times, pasi konstaton se ekonomia amerikane është në vështirësi serioze, thekson rrënjët politike të krizës ekonomike duke e vënë gishtin te dobësitë e lidershipit politik në SHBA.
Po çfarë do të thotë e gjithë kjo tronditje për ekonominë dhe tregjet financiare amerikane dhe atë botërore? Përse gjithë ky alarm në mbarë bursat e botës dhe gjithë ky shqetësim nga bankat qendrore dhe qeveritë e mjaft vendeve të planetit? Për vetë SHBA pritet një rritje e përqindjeve të interesit për borxhin me efekt të menjëhershëm buxhetor. Vetëm 1% e rritjes së këtij interesi si pasojë e shtimit të nivelit të riskut për bonot e thesarit të qeverisë amerikane, përkthehet në një shtim të kostos së borxhit prej 140 miliardë USD. Perceptimi i një niveli risku më të lartë do të bëjë që blerësit ndërkombëtarë të borxhit amerikan, dhe veçanërisht bankat qendrore të jenë më të matura dhe më të kujdesshme në të ardhmen, duke vështirësuar shitjen e këtij borxhi në të ardhmen. Kinezët, që janë dhe blerësit më të mëdhenj të borxhit amerikan, e kanë rritur shumë dozën e shqetësimeve dhe kërkesave ndaj qeverisë amerikane që të jetë më e vëmendshme në raport me situatën e borxhit dhe deficitit të saj. Vetëm nga rritja prej 1% e interesit të bonove të thesarit amerikane, Kina, që zotëron 1160 miliardë bono thesari amerikane, humbet menjëherë dhjetëra miliardë USD. Pasojat mund të bien dhe mbi vetë dollarin, i cili duhet të përgatitet të mbajë mbi supe presione të tjera zhvlerësuese duke i vënë në dyshim lidershipin monetar të deritanishëm.
E thënë në mënyrë më globale, humbja e ekselencës së vlerësimit të cilësisë së borxhit dhe financave publike amerikane pritet të ketë ndikime brutale në tregjet financiare ndërkombëtare. Bonot e thesarit të qeverisë amerikane janë një referencë bazë ndërkombëtare, një instrument që shërben si garanci në shumicën e transaksioneve kryesore ndërkombëtare, një rezervë vlere për investimet dhe investitorët kryesorë të botës në periudha të turbullta financiare e monetare, një rezervë vlere për bankat qendrore në mbarë botën, për fondet e investimeve, fondet e pensioneve etj. Shumica dërrmuese e borxhit publik amerikan qarkullon nëpër botë duke e bërë akoma më të ndërthurur e të ndërvarur sistemin dhe tregjet financiare globale. E parë më këtë sy, vala e efekteve negative mund të përhapet në gjithë botën duke provokuar si efekte të rangut të dytë ulje të vlerësimeve të cilësisë së borxheve sovrane e financave publike në shumë vende të tjera të botës, përfshirë këtu dhe vende tradicionalisht të shëndosha financiarisht si Franca apo Anglia. E para që reagoi negativisht nga vendimi i Standard and Poors ishte bursa e Riadit në Arabinë Saudite, më e madhja dhe më aktivja e botës arabe që vetëm disa orë mbas këtij vendimi humbi 5.6% të vlerës së saj. Vlera e aksioneve e shumë bankave ndërkombëtare dhe kompanive të mëdha të naftës ranë ndjeshëm. E njëjta frikë ekziston dhe për shumë bursa aziatike, latino-amerikane etj.
Këtë lloj frike e stimulon shumë edhe gjendja e turbullt financiare në Europë dhe në zonën euro. Përtej rastit problematik grek dhe gjithë tronditje
