Në pritje të ODIHR
1. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIhR-it mbi zgjedhjet 2011 pritet të dalë së shpejti. Palët politike garuese i kanë shpalosur me kohë qëndrimet e tyre mbi zgjedhjet. Maxhoranca, vlerësim mjaft pozitiv, ndërsa opozita vlerësim mjaft negativ. Përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare janë shprehur në terma diçka më shumë se të përgjithshëm, ndonëse çdo qëndrim mbi zgjedhjet nuk harrojnë ta mbyllin me frazën …po presim raportin e OSBE/ODIHR-it….
2. Pritshmëria ndaj raportit duket se është e lartë. Veçanërisht nga opozita. Lideri Rama është investuar personalisht. … Për të mundësuar një dialog serioz, në kushtet kur qeveria ka vjedhur haptazi opozitën, duhet fillimisht të pranohet publikisht se ajo që ndodhi në zgjedhjet e 8 majit në Tiranë ishte jashtë çdo standardi demokratik ndërkombëtar…. Sigurisht, këtë nuk e presim ta dëgjojmë nga Saliu, por nga miqtë e partnerët…, u shpreh Edi Rama më 13 korrik, mbas vendimit të fundit, idiotik, sipas tij, të Kolegjit Zgjedhor.
3. Teoria e manipulimit filloi me listat e zgjedhësve që në mars. Opozita pretendoi për mijëra dublime të qëllimshme që, në kombinim me kartat false të identitetit, do të përdoreshin masivisht më 8 maj nga ushtria e manipulatorëve demokratë, tashmë e përforcuar edhe nga LSI-ja. Një teori kjo identike me atë të pretenduar për zgjedhjet e qershorit 2009, ku sipas opozitës, u përdorën minimalisht 75 mijë karta false, maksimalisht 250 mijë të këtilla, e që prodhuan po kaq vota shtesë për maxhorancën në ato zgjedhje.
4. Kjo teori manipulimi u hodh tej nga vetë opozita fill pas votimit më 8 maj. Nga selia e PS-së opozita deklaroi fitore të gjerë e të thellë, përfshirë Tiranën, ku rezultatet operative të orëve të para tregonin një raport të votave 55% me 45% në favor të Ramës. Nën entuziazmin e fitores, vetë Rama më 9 maj deklaroi: Mirënjohje të thellë për të gjithë komisionerët e PS-së në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë…, që me pasion dhe frymë të jashtëzakonshme skuadre iu nënshtruan një trajnimi të posaçëm…, duke respektuar germë për germë të gjithë planin antimanipulim. …Jemi përgatitur dy vjet për këtë ditë të bukur dhe kemi qenë dhe jemi të përgatitur që të zmbrapsim çdo orvatje të dëshpëruar për të shtrembëruar rezultatin…. I njëjti vlerësim, përfshirë edhe numëruesit, u përsërit çdo ditë deri më 14 maj, kur Rama rezultoi me 10 vota më shumë se Basha.
5. Por, teoria e manipulimit masiv nëpërmjet listave dhe kartave false u rimor nga opozita pas qartësimit të rezultateve në Tirane dhe gjithë Shqipërinë, duke e ripërdorur atë më shumë për Tiranën. Pak ditë më parë opozita ka bërë kallëzim në Prokurori për dublime në lista, ndërsa riaktivizoi energjitë e saj propagandistike. Rihedhja i kësaj teorie, ndonëse në inkoherencë të plotë, liderit Rama i nevojitet për të justifikuar rezultatin e ngushtë të tij me Bashën, ndërsa kish fituar me më shume se 20 mijë vota në vitin 2007 kundrejt Olldashit.
6. Kjo teori shërbeu për të mbajtur ndezur militantizmin dhe shpresën opozitare pas zgjedhjeve 2009. Ajo do të shërbejë për ta mbajtur ndezur atë edhe pas zgjedhjeve 2011. Ka gjithnjë një grup që, ose nuk e vrasin mendjen, ose nuk duan ta vrasin e i marrin, ose kanë qejf ti marrin gjërat siç ua thonë. Por efektet e saj janë bumerang për vetë opozitën. Së pari ajo rihedh, tek ata që e besojnë këtë teori, dyshimin dëshpërues mbi paaftësinë dhe/ose blerjen për të dytën herë të armatës opozitare të komisionerëve. Së dyti, ajo nuk i jep shpjegim – atyre që mendojnë, përfshirë OSBE/ODIHR-in – faktit të ripërsëritjes në 2011-n, kokë më kokë, në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, të rezultatit të vitit 2009, ripërsëritje e cila në vend që të përforcojë teorinë e manipulimit 2011, rrezon edhe teorinë e këtij manipulimi në vitin 2009. Deputeti Kastriot Islami ka publikuar mjaftueshmërisht shifra dhe llogaritje mbi këtë barazim.
7. Krahas teorisë se manipulimit masiv, opozita hodhi edhe teorinë e manipulimit të vogël në Tiranë. Kjo teori mori jetë përgjatë formësimit të Vendimit 709 të KQZ-së me rihapjen e grupit të parë prej 117 kutive, kryesisht për kryetarët e minibashkive, në 108 qendra votimi, ku u gjetën rreth 250 vota për kryetar bashkie, nga të cilat Basha mori 90 vota më shumë se Rama. Teoria u zhvillua më tej kur në grupin e dytë të rihapjes së 1793 kutive, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, u gjendën rreth 500 vota për kryetar të hedhura në kutitë jorespektive, nga të cilat Basha mori një avantazh prej veçse 12 votash. Pra, sipas opozitës, në grupin e parë të kutive ishin shtuar vota në favor të Bashës. Teoria mbështetej edhe nga mospërputhjet pjesore të votave e votuesve apo edhe nga arsyetime profane mbi teorinë e probabilitetit.
8. Mbi absurdin e kësaj teorie janë përdorur mjaft argumente. Së fundi ishte TV Klan/ABC lidhur me votën e Presidentit Topi në favor të Edi Ramës në Qendrën e Votimit Nr. 1968. Vota e hedhur gabim nga Presidenti, e filmuar nga kamerat, tregon se njerëzit gabojnë. Kështu kanë gabuar disa qindra qytetarë në thuajse të gjitha qendrat e Tiranës e që. Gjithsesi, janë veçse një porcion mjaft i vogël në raport me mbi 250 mijë votues. Për grupin e parë të kutive, votat, ashtu si ajo e Presidentit, u inventarizuan fillimisht nga grupi përkatës bipartizan i numërimit dhe në KQZ rivërtetohej sistematikisht i njëjti fakt, d.m.th. asgjë ska ngjarë me votat dhe kutitë gjatë rrugëtimit të tyre nga qendra e numërimit deri te selia e KQZ-së. Fletët e votimit të katër llojeve, gjithsej diçka më shumë se tre mijë syresh që u nxorën, sipas rastit, nga një apo disa kuti, u futën te kutitë e tjera respektive duke e bërë zero efektin e veprimit të KQZ-së mbi totalin fillestar të tyre në të katërta kutitë e çdo qendre.
9. Në përfundim, shuma e fletëve të votimit te katër kutitë të secilës qendër dhe për të gjitha qendrat e Tiranës bashkërisht mbeti e njëjtë para dhe pas dy veprimeve të KQZ-së. E njëjtë mbeti edhe diferenca e fletëve të votimit me numrin e votuesve të shumëzuar me katër në secilën qendër dhe në total për Bashkinë Tiranë, duke rrëzuar kështu edhe argumentin e mospërputhjeve fletë-votimi/votues, shkaktuar nga KQZ, që u përdor nga opozita për pavlefshmërinë dhe ripërsëritjen e zgjedhjeve. Gjithashtu, avantazhi Basha-Rama lidhur me votat e hedhura jo në kutitë respektive ripërsëritet me të njëjtën kahe dhe në thuajse në të njëjtën masë edhe lidhur me Këshillin e Bashkisë, kryetarët e njësive bashkiake dhe këshillat e njësive përkatëse.
10. Nën këto fakte, procese, rezultate dhe inventarë kutish, ngulimi te teoria e manipulimit me futje/nxjerrje votash në Tiranë e shndërron këtë teori nga një konspiracion me numra të vegjël në një konspiracion me numra të mëdhenj dhe e kryer në mënyrë perfekte. Nëse do ta pranojmë për një moment si të vërtetë, do të dilte që në partinë e parë të kutive avantazhi prej 90 votash i Bashës: 1) u krijua hap pas hapi në dhjetëra e dhjetëra kuti; 2) se votat shtesë për Bashen janë futur në të 11-të qendrat përkatëse e të mirëruajtura të numërimit; 3) po këtu janë hequr vota për Ramën e, për më tepër; 4) kjo ka filluar të ndodhë që më 12 maj. Këtu duhet shtuar se operacioni i plotë i manipulimit perfekt ka kërkuar lëvizjen me futje/nxjerrje të votave të të katër llojeve në kutitë e 485 qendrave, por që në përfundim rezulton me inventar të përputhshëm për çdo qendër e në total për gjithë Tiranën, me inventarin e tyre në numërimin fillestar nga grupet e numërimit e me rezultat në të njëjtin kah për të katra organet e Bashkisë. Teoria, për ata që e besojnë, implikon përsëri thuajse tërë armatën e komisionerëve dhe numëruesve socialistë në të gjitha qendrat e numërimit, armatë e cila, në pak ditë, nga heroike rezulton e riblerë për të dytën herë. Për ata që mendojnë, teoria nuk u
