Rama: “Berisha fundos ekonominë, tenton të marrë hua 300 miliardë nga bankat tregtare”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste ka zbardhur një manovër tjetër të frikshme të qeverisë së kryeministrit Sali Berisha, që e rrezikon më tepër ekonominë e vendit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje se qeveria po kërkon të marrë një hua të brendshme nga bankat tregtare për muajin qershor, e cila kap shifrën prej 300 milionë dollarësh. Kjo tentativë e qeverisë, sipas Ramës, kërcënon qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe sjell pasoja të pallogaritshme për kreditimin e sipërmarrjes private. Reagimi i liderit të opozitës vjen edhe në kushtet kur qeverisë i është ndaluar të marrë hua në shuma të mëdha parash nga bankat, pasi ndodhemi në një krizë ekonomike globale, e cila nuk është shëruar plotësisht. Qeveria ka shtuar borxhet duke vënë në rrezik ekonominë e vendit. Përpos tentativës për huan prej 300 milionë dollarësh, ajo ka marrë hua nga bankat e huaja 250 milionë dollarë për rrugën Durrës-Kukës dhe 400 milionë dollarë për tregun e eurobondit për të mbushur arkën e shtetit.
Deklarata
Lideri i opozitës i ka kërkuar qeverisë që të bëjë transparencë të plotë lidhur me zhvillimin e fundit për të marrë hua në bankat tregtare. “I bëj edhe njëherë thirrje Saliut, Ridvanit dhe Fullanit, të mos luajnë me zjarrin e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të këtij vendi. Dhe të mos mendojnë vetëm për të nxjerrë kalin e qeverisë matanë lumit të këtij viti, sepse Shqipëria do të jetë këtu edhe kur të ikë qeveria dhe shqiptarët nuk meritojnë t’i paguajnë një tjetër haraç të rëndë politikës së verbër ekonomike e financiare të Sali Berishës. Kriza e ekonomisë shqiptare po prek kockën dhe ngrënia e kockës së kësaj ekonomie të rrënuar, me babëzinë e interesave të pushtetit, mund ta shembë përtokë modelin e falimentuar ekonomik të politikës së vjetër të interesave të ditës. Receta e përdorur deri tani nga qeveria është shkatërruese për ekonominë dhe ndalimi i përdorimit të saj është kusht i domosdoshëm për të ndaluar shkatërrimin e plotë të ekonomisë”, - u shpreh Rama.
19-vjetori i PS-së
Rama, gjatë deklaratës së djeshme, ka uruar edhe përvjetorin e 19-të të Partisë Socialiste. Kryesocialisti ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuuar për PS-në dhe është shprehur se ndihet krenar që ka udhëheqjen e kësaj force politike. “U uroj sot përvjetorin e nëntëmbëdhjetë të partisë sonë të gjithë socialistëve, progresistëve e simpatizantëve të kësaj force të madhe politike. Ky vit e ka gjetur Partinë Socialiste të përfshirë në një betejë historike për një kauzë të madhe sa edhe vetë besimi te ëndrra e Shqipërisë europiane, kauza e çlirimit të zgjedhjeve nga korrupsioni përmes transparencës. Ndjehem krenar dhe i privilegjuar që më ka takuar mua përgjegjësia e udhëheqjes së kësaj force të madhe në këtë moment kaq të rëndësishëm për vendin, kaq jetik për demokracinë tonë, kaq dramatik për drejtësinë e ekonominë shqiptare, kaq vendimtar për të nesërmen e Shqipërisë”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “shpreh mirënjohjen më të thellë për çdo socialist e progresist shqiptar që kontribuon për ta rritur, vetëdijesuar e forcuar Partinë Socialiste, si alternativën e vetme të shqiptarëve për një qeverisje të ngritur mbi një moral të ri e mbi politika të reja që do të zgjidhin problemet e vjetra të këtij vendi”.
Box
19-vjetori
Partia Socialiste ka preferuar ta festojë 19-vjetorin e saj jo në kryeqytet si ngaherë, por ka zgjedhur qytetin e Lezhës të darkojë së bashku me kolegët e tij dhe socialistët e vjetër. Më 12 qershor të 1991-shit, Partia e Punës është transformuar në Partia Socialiste, e cila ka pasur në krye të saj intelektualë që kanë kontribuuar për këtë forcë politike. Dje Rama organizoi takime në dy qarqet e vendit, në Lezhë dhe Shkodër, ku falënderoi grevistët e urisë dhe pjesëmarrësit në protestat e muajit maj. Në orën 19:00 Rama në Lezhë takoi socialistë dhe mbështetës të kësaj partie. Gjatë këtyre takimeve, Rama ka bërë bilancin e veprimeve që socialistët kanë ndërmarrë nga ndërprerja e grevës së urisë dhe më pas. Në orën 20:30 i gjithë grupi i deputetëve socialistë dhe të zgjedhurit vendorë të qarkut të Lezhës janë ftuar të kalojnë një darkë të përbashkët. Në darkën e djeshme kanë marrë pjesë edhe deputetët e LMN-së, përveç deputetit Andis Harasani, i cili nuk ndodhet në Tiranë. Partia Socialiste është kujdesur që në darkën e përvjetorit të ftojë protagonistë të tillë si Dritëro Agolli, Servet Pëllumbi, Moikom Zeqo, Maqo Lakrori etj., të cilët ishin iniciatorët e ndryshimit të madh që çoi në krijimin e PS-së në qershor të vitit 1991, pas kongresit historik të PPSH-së, ku u dënua figura e Enver Hoxhës dhe aktiviteti i anëtarëve të Byrosë Politike të periudhës së komunizmit. Paraditen e djeshme deputetët e PS-së janë shpërndarë gjatë në zonat e tyre elektorale dhe në bashkëpunim me strukturat drejtuese të degëve të partisë në rrethe, kanë mbajtur takime të veçanta për t'i uruar njëri-tjetrit 19-vjetorin e partisë.
Berisha: Bllokmeni Rama mos të pengojë procesin e integrimit të vendit”
Kreu i Ekzekutivit, Sali Berisha, dje nga Pogradeci ka akuzuar kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, se po pengon integrimin e vendit. Berisha, duke iu drejtuar qytetarëve pogradecarë, u bëri thirrje që Ramën ta lënë në kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti dhe qeveria, bashkë me qytetarët, të vazhdojë rrugën drejt Europës. “Ndaj u bëj thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve, le të bashkohemi së bashku në projektin e Shqipërisë europiane, integrimin europian. Le ta lëmë Edi Ramën dhe kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti, ase po të duan në bunker le të shkojnë. Ne të ecim të sigurt drejt Europës, me mundin dhe djersën tonë, me reforma. Le të ndërtojmë idealet tona europiane, të ndërtojmë Pogradecin europian, të ndërtojmë Shqipërinë europiane”, - u shpreh Berisha. Duke vijuar në vazhdën e akuzave, Berisha u shpreh se socialistët me propagandën e tyre nihiliste përpiqen të zerojnë çdo gjë. “Qëkur Partinë Socialiste, kupolën e saj e pushtuan pinjollët e Bllokut, nga mëngjesi deri në darkë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen t’ju nxjerrin juve për të ardhmen, të shkuarën e tuaj të hidhur. Mos harroni kurrë se vetëm natën që Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, përfaqësuesit e tyre do t’u deklaronin shqiptarëve se ftesa nuk do t’i jepej Shqipërisë. Për të penguar procesin e integrimit, pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkuan t’i fusin qytetarët shqiptarë në kuti. Bënë çdo gjë për të nxirë të vërtetën që shndrit dhe do të shndrisë gjithmonë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam. Bojkotuan Parlamentin vetëm e vetëm që BE-ja të mos hapte negociatat për statusin e kandidatit. Dhe tani së fundi, si karnavalë të vërtetë, ngritën çadrat para Kryeministrisë dhe Parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm e vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave. E keqja e qytetarëve shqiptarë, e keqja fëmijëve shqiptarë është e mira e bllokmenëve të rinj”, - u shpreh kryeministri Berisha.
PD, Mëhilli: “PS-ja të shkëputet sa më shpejt nga trashëgimia totalitare”
Partia Demokratike, në përvjetorin e 19-të të Partisë Socialiste, nuk harroi të akuzojë këtë forcë politike së bashku me kreun e saj Edi Rama. Zëdhënësja Erla Mëhilli i ka bërë thirrje PS-së që të shkëputet nga trashëgimia totalitare që mbart kjo parti. “Dje, Edi Rama kremtoi në lokalin e ‘Rrenave’ në Lezhë, përvjetorin e ndërrimit të emrit të partisë së tij nga Partia e Punës në Partia Socialiste. Partia Socialiste e Shqipërisë, trashëgimtare e barbarizmave më të mëdha, e mizorive, e ekzekutimeve pa gjyqe, e persekutimeve më të egra, e izolimit më të thellë dhe e varfërisë më të skajshme të kombit shqiptar, gjatë këtyre 19 viteve, ia doli të shndërrohet nga parti antieuropiane, antiatlantiste në një parti që vendosi në programin e saj integrimin euroatlantik të vendit. Ajo u anëtarësua në Internacionalen Socialiste dhe pranoi rotacionin e pushtetit, të cilin e kishte marrë me dhunë dhe rebelim komunist në vitin ‘97”, - u shpreh Mëhilli.
Zëdhënësja e PD-së akuzoi PS-në se është kthyer në një armike të egër të votës së lirë, ndërkohë që lufta prej 11 muajsh e opozitës bëhet me synimin për t’i dhënë fund manipulimit të votës së lirë. “Sot, Partia Socialiste, me ardhjen në krye të bllokmenëve ‘junior’, është kthyer në një armike të egër të votës së lirë të shqiptarëve, në një klub bijsh që duan të hakmerren me çdo kusht për Vaterlon e etërve të tyre e që duan të pengojnë në të gjitha mënyrat integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sot ajo udhëhiqet nga pinjollët e Bllokut, të cilët kanë rikthyer nëpërmjet mediave të tyre propagandën e shëmtuar të shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve dhe terrorit mediatik. Në emër të interesave të tyre për pushtet, ata bëjnë çdo gjë për të shkelmuar me të gjitha mënyrat mbi interesat më jetike të shqiptarëve, për të penguar heqjen e vizave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Partia Demokratike, duke denoncuar këto qëndrime, uron që Partia Socialiste, në interesin e saj më të mirë, të gjejë forcat për t’u shkëputur sa më shpejt nga kjo trashëgimi totalitare”, - u shpreh Mëhilli.
Malaj: “Qeveria ka bërë përpara në shfrytëzimin e fëmijëve për punë të zeza”
Sekretarja e Shanseve të Barabarta në Lëvizjen Socialiste për Integrim, Nora Malaj, deklaroi dje se qeveria ka bërë hapa përpara për të parandaluar fenomenin e punësimit të fëmijëve. Sipas saj, ky fenomen është ulur në radhët e fëmijëve të grupmoshës 8-15 vjeç në masën 20 për qind, por është rritur në grupimin e dytë të fëmijëve të moshës 15-18 vjeç në masën 20 për qind. “LSI-ja, në programin dhe planin e saj për veprim, fokusin e këtij fenomeni e ka orientuar drejt forcimin të shkollës, rritjes së shkallës së arsimit të shoqërisë, fuqizimit të arsimit profesional për dhënien e mundësisë këtyre fëmijëve të integrohen në shoqëri dhe të aftësohen për të përballuar jetën, zhdukjen e analfabetizmit dhe uljen maksimale të braktisjes së shkollës”, - u shpreh Malaj. Por Malaj theksoi se shtresat e fëmijëve që preken sot nga puna e zezë janë pikërisht shtresat e fëmijëve romë. Malaj bëri me dije se rreth 1235 fëmijë romë, të cilët ishin braktisës, sot u janë kthyer bankave të shkollës, duke realizuar rreth 60% të thithjes së këtij kontingjenti në drejtim të arsimit të tyre, duke ulur ndjeshëm shkallën e braktisjes. “Në emër të LSI-së, si një forcë progresiste ku zhvillimin e shoqërisë e shikon si një nga faktorët dhe prioritetet e zhvillimi të politikave sociale në shoqëri, i bëj thirrje shoqërisë shqiptare të rrisë dhe të forcojë familjen, si një nga pikat më të rëndësishme për parandalimin e këtij fenomeni. U bëj thirrje të gjithë prindërve që të mos pranojnë të lejojnë të shfrytëzojnë fëmijët e tyre, u bëj thirrje të gjithë organizatave që punojnë në këtë drejtim të mbështesin nismat që ka marrë qeveria në drejtim të parandalimit të këtij fenomeni, u bëj thirrje mediave që të sensibilizojnë më shumë opinionin shoqëror për të krijuar frymën e bashkëpunimit për të ulur këtë fenomen, u bëj apel të gjithë atyre politikanëve që të krijojnë frymën e bashkëpunimit për t’u dhënë zgjidhjen më të mirë fëmijëve tani”, - u shpreh Malaj.
14 Qershor 2010