Nisja e sezonit, Durrësi i pret turistët me çmime 20 për qind më të larta
Ervin KOÇI
Sezoni turistik në Durrës sapo ka nisur dhe bashkë me të edhe rritja e pakuptimtë e çmimeve nga bizneset e shërbimeve në zonën e plazhit. Ndryshe nga sa mendohej fillimisht, nisur edhe nga kriza, operatorët turistikë në Durrës, i kanë pritur pushuesit me shtrenjtimin e shërbimeve deri në 20 për qind. Sipas pushuesve që kanë ardhur nga Kosova dhe Maqedonia, të cilët si gjithnjë janë të parët që nisin pushimet në këtë zonë, çmimet janë më të shtrenjta se një vit më parë. Pushuesit e parë kanë nisur të ankohen për çmimet e larta, duke nisur në të njëjtën kohë të kërkojnë edhe për mënyra alternative pushimi, larg hoteleve dhe restoranteve të “kripur”. Sipas informacioneve të marra nga kjo zonë, një natë në një nga hotelet e bregdetit kushton nga 25 - 60 euro, ndërsa me shpenzimet e tjera ditore kostoja arrin në 100 euro. Drejtues të tatim-taksave deklarojnë se do të nisin kontrolle në gjithë zonën bregdetare për të shmangur abuzimet, por më shumë se sa ata kjo mbetet në dorën e operatorëve turistik që të reflektojnë sa janë në kohë. Por për të konfirmuar abuzimet me çmimet, organet tatimore në këtë qytet i kanë këshilluar pushuesit që të kërkojnë faturën tatimore sa herë që do të përfitojnë shërbime të ndryshme, me qëllim që të mos paguajnë më shumë sesa çmimet e përcaktuara. Përgjatë vijës bregdetare të Durrësit operojnë rreth 150 hotele, me rreth 6000 shtretër, të cilët gjatë stinës së verës shërbejnë kryesisht për turizmin familjar. Por përveç hoteleve, edhe pse nuk ka shifra zyrtare të sakta, llogaritet të jenë rreth 1000 familje të cilat japin dhoma me qira për pushuesit e shumtë, të cilët vijnë kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia.
Pushimet në Vlorë
Ndryshe nga Durrësi, e kundërta po ndodh me turizmin këtë sezon në Vlorë, i dyti qytet bregdetar për nga madhësia në vend. Vonesat dhe rënia e prenotimeve nga ana e pushuesve të përvitshëm në këtë qytet, kanë detyruar operatorët turistik që të ulin çmimet, sidomos të shtëpive me qira. Pronarët e banesave që jepen me qira përgjatë muajve të verës në Vlorë, premtojnë se këtë vit çmimet do të jenë 25 deri në 30 për qind më pak. Pushuesit në Vlorë, në pjesën më të madhe të rasteve janë nga zona të ndryshme të vendit, por nuk mungojnë edhe shqiptarë nga Maqedonia dhe Kosova. Prej kohësh ata janë kthyer në operatorë familjarë të turizmit në bregdetin e Vlorës. Pavarësisht se numri i pushuesve ka ardhur duke u rritur, pronarët e banesave iu frikësohen ritmeve me të cilat do të ecë frekuentimi, veçanërisht nga shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova, të cilët një vit më parë kishin pushtuar plazhet e jugut.
Rënia e frekuentimit
Mungesa e shërbimeve cilësore, e komoditeteve të ndryshme, e cilësisë së shërbimit, si dhe çmimet e kripura, kanë qenë disa nga shkaqet kryesore që kanë larguar klientët nga sistemi hoteliero-turistik shqiptar. Kjo gjë u pa qartë sidomos vitin e kaluar, ku rënia e të ardhurave në sektorin turistik, si pasojë e mungesës së pushuesve potencialë, ishte e ndjeshme. Numri i klientëve shqiptarë është ulur 61.6 për qind në tremujorin e katërt 2009, krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa numri i klientëve të huaj është ulur 43.2 për qind në të njëjtën periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i klientëve shqiptarë është ulur 20.1 për qind dhe numri i klientëve të huaj është rritur 1.6 për qind. Net-qëndrimet e klientëve shqiptarë janë ulur 79.4 për qind në tremujorin e katërt 2009 krahasuar me tremujorin e tretë 2009, ndërsa net-qëndrimet e klientëve të huaj janë ulur 66.9 për qind gjatë së njëjtës periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, net-qëndrimet shqiptare janë ulur 31.9 për qind, ndërsa net-qëndrimet e huaja janë ulur 1.1 për qind.
Kriza në turizëm, rezultati i ndjeshëm
Sezoni turistik në vend nuk mund ta fsheh krizën që e ka mbërthyer ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë. Për këtë vit, numri i turistëve sipas statistikave zyrtare, është shumë herë më i ulët, në një kohë që turistët më të shpeshtë janë vetëm ata transit ose me qëndrim njëditorë. Këtu përfshihen vizitorët e huaj, vizitorët ditorë (vijnë dhe ikin brenda një dite, ose ekskursionistë), si dhe vizitorët me net-qëndrimi ose turistë, edhe pse rijnë jo më shumë se një natë. Vizitorë me nënshtetësi shqiptare të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme për vitin e kaluar ishin rreth 429.298 persona. Periudha janar-qershor 2009 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka pasur një rritje me vetëm 10 për qind në krahasim me vitin e kaluar (2008), ndërkohë që kjo rritje në krahasim me vitin 2005 është 2.4 herë më shumë. Me rrugë tokësore hynë 71 për qind e vizitorëve, 19 për qind me rrugë ajrore dhe 10 për qind me rrugë detare. Sipas qëllimit të udhëtimit për periudhën janar-prill raporti në përqindje ishte 82 për qind për pushime, 5 për qind për biznes, 3 për qind vizitorë ditorë dhe 10 për qind të tjerë. Për këtë periudhë numrin më të madh të turistëve e zunë europianët me 92 për qind, më pas amerikanë, aziatikët dhe të tjerë me respektivisht 5, 2 dhe 1 për qind.
Forumi ekonomik, biznesi gjerman ftohet të investojë në Shqipëri
Zhvillimi i biznesit gjerman, si në teknologji, ashtu dhe në kapacitetet cilësore të burimeve njerëzore, janë arsyet që nxit autoritetet shtetërore shqiptare për t’i ftuar në ndërmarrjen e investimeve në disa fusha. Në konferencën ekonomike gjermano-shqiptare “Potencialet e rritjes, infrastruktura, logjistika, tregtia”, mbajtur në Hamburg të Gjermanisë, biznesi shqiptar pati mundësi të njihte nga afër partnerët e huaj dhe të lidhte kontakte në interes të të dyja palëve. I pranishëm në aktivitet ishte dhe kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, i cili përsëriti disa herë ftesën që biznesi gjerman të investonte në Shqipëri. “Ju jeni një shtet me një teknologji shume të zhvilluar dhe kjo ju bën ju të investoni në vendin tonë, pasi burimet njerëzore në vendin tonë janë të shumta me një moshë të re tashmë të kualifikuar në sektorë specifike, duke qenë kështu më pranë teknologjisë së lartë të zhvillimit mbarë botëror”,- tha Jaka, duke shtuar se, - Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka “të gjitha kapacitetet për t’iu asistuar profesionalisht si në ndërtimin e partneriteteve biznes me biznes, ashtu edhe në realizimin e projekteve tuaja direkte”. I pranishëm në takim ishe edhe ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili bëri një ekspoze të situatës ekonomike në vend.
14 Qershor 2010