E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhi i energjisë, Shkodra rrezikon festat pa ujë

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Nëse deri në fund të muajit, ujësjellësi nuk shlyen borxhin në OSSH, atëherë banorët e Shkodrës rrezikojnë të kalojnë festat e fundvitit pa ujë të pijshëm. Këtë herë, drejtuesit e OSSH-së në Shkodër kanë dhënë ultimatum për drejtorinë tjetër, duke kërcënuar me ndërprerjen e furnizimit me energji. Shifra e borxhit nuk bëhet e ditur nga filiali, por pohohet se ajo është e konsiderueshme dhe vetëm në formë presioni mund të mblidhet debiti i grumbulluar prej vitesh. Përballë kësaj forme, duke e ndjerë veten të pamundur për të shlyer borxhet e energjisë me fondet që disponon, Drejtoria e Ujësjellësit ka nisur punën në krahun tjetër. Ajo ka ngritur një Task Force për mbledhjen me urgjencë të detyrimeve të faturave të konsumimit të ujit të pijshëm ndër konsumatorët e qytetit. Ndonëse qyteti i Shkodrës ka furnizimin më të mirë me ujë të pijshëm se të gjithë qytetet e tjera dhe çmimin më të ulët për frymë për këtë shërbim jetik, përsëri niveli i arkëtimeve nuk i kalon 60 % të abonentëve familjarë. Kjo ka bërë që ndërmarrja të ketë vështirësi në mbulimin e shpenzimeve të saj e kryesisht në likuidimin e faturave të energjisë elektrike, që përdor stacioni i pompave. Në bazë të informacioneve të marra nga ndërmarrja e ujësjellësit Shkodër mësohet, se ajo ka vendosur që të gjithë abonentët debitorë do të penalizohen kryesisht me ndërprerje të furnizimit me ujë deri në shlyerjen e faturave të papaguara. Që ditën e djeshme Taks Force e ndërmarrjes së ujësjellësit dhe kanalizimeve në Shkodër ka filluar kontrollin derë më derë për të verifikuar abonentët privatë dhe familjarë, që nuk kanë kryer pagesat e faturave të ujit të pijshëm. Në të gjitha rastet ku janë konstatuar debitorët është kërkuar shlyerja e detyrimeve brenda ditës dhe në rastet kur abonentët nuk kanë paguar u është ndërprerë furnizimi me ujë. Aksioni ka filluar tek abonentët debitorë në lagjen “Daniel Matlia”, ku dhe problemi i mos shlyerjes së faturave është më i madh. Shefi i Task Forcës së ujësjellës-kanalizimeve në Shkodër, Avdyl Zejnuni, tha dje se aksioni do të vazhdojë në të gjitha lagjet e qytetit deri në zgjidhjen e problemit të faturave. Sipas tij, abuzuesit më të mëdhenj janë familjet, që jetojnë në shtëpi private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›