E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hoxha: Akuzat për Lulzim Bashën, nga zyra e Topit

 

adi shkëmbi

Presidenti Topi qëndron pas akuzave të Prokurorisë për korrupsion në rrugën Durrës-Kukës. Deklarata vjen nga deputeti i zonës së Kukësit, njëherësh anëtar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Fatos Hoxha. Në një intervistë për gazetën "Panorama", ai lëshon akuza ndaj kreut të shtetit, i cili sipas Hoxhës kërkon të njollosë punën e qeverisë, duke e akuzuar atë për korrupsion, pikërisht në veprën më të madhe të ndërmarrë nga një qeveri. "Jo vetëm opozita është ajo që po shtyn Prokurorinë të merret me këtë çështje për ta diskretituar. Por edhe njerëz të tjerë duan të diskreditojnë këtë maxhorancë, që me veprën e saj më të madhe ta paraqesin si një maxhorancë të implikuar me korrupsion. E kam fjalën për kryetarin e shtetit. Unë kam folur edhe herë të tjera për presidentin, si në Parlament ashtu edhe në media", shprehet deputeti i Kukësit. Fatos Hoxha thekson se kreu i shtetit duhet të merrej me reformimin e institucioneve të Prokurorisë dhe gjykatave, që ato të mos etiketoheshin si të korruptuara, por sipas Hoxhës tani ai po merret me dekorimin e zyrtarëve të lartë të diktaturës. Në të njëjtën kohë deputeti i PD-së, akuzon edhe prokuroren Ina Rama, për të cilën tha se po ecën në rrugën e paraardhësit të saj Theodhori Sollaku.
Rruga Durrës-Kukës është kthyer sërish në qendër të vëmendjes pas hapit të Prokurorisë për të thirrur të pandehur ministrin Basha. Si i komentoni akuzat e organit të Prokurorisë?
U bë kohë që kjo rrugë është venë në epiqendër të akuzave nga ana e opozitës, e ndihmuar jo vetëm nga prokurorja e re, por edhe nga ish-prokurori Theodhori Sollaku. Që në kohën kur kjo maxhorancë ishte në opozitë, e ka akuzuar prokurorin e Përgjithshëm për lidhje me krimin dhe politikanë qeveritarë, të cilët ishin të lidhur me korrupsionin dhe mbroheshin nga kjo prokurori. Pikërisht këtu e ka zanafillën gjithë lufta ndaj kësaj rruge, për të njollosur në tërësinë e saj veprën më të madhe të kësaj qeverie, veprën më të madhe të shqiptarëve që është rruga Durrës- Kukës-Morinë. Këtu duhet të kemi parasysh, se akuzat më të mëdha ndaj kësaj rruge filluan në momentin kur maxhoranca kërkoi shkarkimin e ish-prokurorit të Përgjithshëm. Me zgjedhjen e prokurores së re me votat e maxhorancës ne kujtuam, se Prokuroria do të merrte një rrugë të re, atë të transformimit të saj, rrugën e zgjidhjes përfundimtare të disa çështjeve lidhur me politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar. Por ajo çka vëmë re, kjo prokurore e re, në vend që të gërmonte dhe të hulumtonte mbi dosjet e krimit, mbi dosjet e korrupsionit të ish-qeveritarëve apo të kujtdo qofshin, ajo vazhdoi në shinat e ngritura dhe trasenë e ngritur nga Theodhori Sollaku të komanduara nga kryetari i opozitës së sotme, Edi Rama. Jo vetëm opozita është ajo që po shtyn Prokurorinë të merret me këtë çështje për ta diskretituar. Por edhe njerëz të tjerë duan të diskreditojnë këtë maxhorancë, që me veprën e saj më të madhe ta paraqesin si një maxhorancë të implikuar me korrupsionin.
Kur thoni se njerëz të tjerë duan të implikojnë këtë maxhorancë si të korruptuar në rrugën Durrës-Kukës, për kë e keni fjalën?
E kam fjalën për kryetarin e shtetit. Unë kam folur edhe herë të tjera për presidentin, si në Parlament ashtu edhe në media. Presidenti Topi në vend që të reformojë ose të zbatojë të gjitha rekomandimet e ndërkombëtareve, që pavarësisht se Shqipërinë e rendisin në anën e progresit në fushat e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por në vendin e fundit për sa i përket punës së organeve të drejtësisë, ku futen Prokuroria dhe gjykatat, në vend që të merret me reformën e thellë në këto dy institucione, që t'u japë edhe atyre vendin ku janë renditur të gjitha aspektet e tjera të qeverisjes së këtij vendi, Presidenti Topi merret me dekorimin e ish-njerëzve të nomenklaturës, të cilët kanë bërë gjenocid në kohën e regjimit të kaluar, merret me dekorimin e njerëzve, të cilët janë akuzuar edhe në kohën që ai ishte pjesë e maxhorancës si pjesë e krimit dhe narkotrafikut.
Zoti Hoxha, akuzat për kreun e shtetit janë mendimi juaj personal apo gëzojnë mbështetje edhe në grupin parlamentar të Partisë Demokratike?
Unë jam deputet i zonës së Kukësit dhe shpreh vetëm mendimin tim personal. Kjo nuk është hera e parë, që unë flas lidhur me këtë çështje, është e disata herë. Është në dinjitetin tim që unë t'i bie kësaj kambane më herët se sa të tjerët që ata ta marrin vesh dhe ta dëgjojnë sa të mos jetë vonë.
Në cilësinë e deputetit të zonës, këtë çështje e keni ngritur edhe në grupin parlamentar dhe a e keni biseduar me Kryeministrin Berisha, pasi megjithëse ju thoni se ky është mendimi juaj personal, ai mund të etiketohet si sulm i maxhorancës ndaj Presidentit, pjesë e të cilit Topi ka qenë deri një vit më parë?
Unë kam dashur personalisht të njoftoj Presidentin, por nuk kam gjetur asnjë hapësirë të mundshme komunikimi. Jo më shumë se 6-7 muaj më parë kam folur në media lidhur me punën e Presidentit. Për sa i përket asaj që shtroni ju, nuk është detyrë e forumeve të Partisë Demokratike, aq më pak e Kryeministrit të vendit që të marrë në analizë punën e Presidentit.
Si e komentoni ju këtë heshtje të Presidentit?
Unë dua të përsëris se Presidenti Topi është pjesë e lojës në njollosjen e kësaj maxhorance në punën e saj.

Berisha: Basha ka zbatuar vetëm vendimet e Qeverisë

Kryeministri Berisha mbështet publikisht ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha për akuzat e ngritura ndaj tij në rrugën Durrës- Kukës. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani theksoi se ministri Basha gëzon mbështetjen e plotë të qeverisë dhe Kryeministrit Berisha për punën në drejtimin e Ministrisë së Jashtme dhe kontributit të dhënë prej tij. Duke iu referuar rrugës Durrës-Kukës, Meçani u shpreh se vendimi për ndërtimin e këtij aksi është marrë nga qeveria dhe jo nga ndonjë ministër i veçantë. "Kryeministri dhe qeveria informojnë qytetarët shqiptarë, se çdo akt ligjor apo vendim që lidhet me ndërtimin e korridorit rrugor Durrës-Kukës-Morinë është vetëm vendim i Këshillit të Ministrave dhe jo i ndonjë ministri apo zyrtari të veçantë", theksoi Meçani. Sipas saj "Ministri Basha në detyrën e Ministrit të Punëve Publike, ka zbatuar me transparencë të plotë, me përgjegjshmëri të lartë dhe përkushtim të madh, vullnetin politik të Kryeministrit, qeverisë dhe maxhorancës për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë, si dhe të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave për korridorin shqiptar, të cilat janë marrë në përputhje të plotë me ligjet e vendit". Në deklaratën për shtyp të Kryeministrit vlerësohet projekti i rrugës, teksa garantohet në të njëjtën kohë transparencë e plotë për çdo vendim të miratuar në mbledhjet e Këshillit të Ministrave. "Kryeministri dhe qeveria shqiptare, duke shprehur vlerësimin dhe krenarinë e saj për projektin e shekullit, që armiqtë dhe kundërshtarët e tij e bllokuan për 8 vite me radhë, garanton qytetarët shqiptarë se ajo ka qenë dhe do të mbetet e përkushtuar totalisht dhe tërësisht e hapur dhe transparente ndaj tyre, ndaj ligjit dhe institucioneve të këtij vendi, në çdo akt, vendim dhe veprim të saj", thuhet më tej në deklaratën për shtyp. Në të njëjtën kohë, zëdhënësja e Kryeministrit garantoi përfundimin e rrugës në qershor të vitit të ardhshëm. "Shqipëria është dhe do të mbetet vendi i shtetit ligjor. Korridori shqiptar do të inaugurohet në qershor 2009", përfundon deklarata e qeverisë. Prej disa javësh ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha është vënë nën akuzë nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim të fondeve publike në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Nga ana e tij Basha ka akuzuar Prokurorinë dhe opozitën për ngritjen e këtyre akuzave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›