E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Ekzekutuam 85% të vendimeve

 

TIRANE - Akuzat e kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, ndaj Kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë se, "nuk e njohin pushtetin gjyqësor dhe për pasojë, refuzojnë të zbatojnë vendimet e tij, ka sjellë reagimin e ashpër të Ministrisë së Drejtësisë. Me anë të një deklarate për shtyp, ky institucion ka pohuar se po punon për të arritur nivel të njëjtë të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore me ato të vendeve evropiane. "Kësaj përpjekjeje madhore nuk i shërbejnë dizinformimet, sidomos kur ato kanë si synim të pështjellojnë tymnajën e ngritur dhe për më tepër statistikat të lexohen mbrapsht, me qëllimin e vetëm për të luftuar pa princip maxhorancën qeverisëse", thuhet në njoftim. Duke pohuar se 85% e vendimeve gjyqësore tashmë kanë marrë zgjidhje ligjore, ministria thotë se në periudhën janar - shtator të këtij viti rezulton se në përmbarim janë regjistruar për ekzekutim 15.641 çështje. Nga këto: 3.875 janë ekzekutuar; 1.269 janë pushuar; 7523 janë në ekzekutim brenda afateve procedurale; 211 janë refuzuar; 814 janë pezulluar me vendim gjykate; 568 janë transferuar; si dhe 36 janë pushuar, për shkak të shfuqizimit të Urdhrit Ekzekutiv. Pohohet se jashtë afateve procedurale janë rreth 1000 dosje, për të cilat Përmbarimi veç mjeteve ligjore po procedon me vendosje gjobe dhe kallëzime penale për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.                                 fa.ma

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›