PS: Qeveria injoron çdo ditë pushtetin gjyqësor
Partia Socialiste denoncoi sot neglizhencën ndaj zbatimit të vendimeve të gjykatave shqiptare. Në një prononcim për median, Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, akuzoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij se, "nuk e njohin pushtetin gjyqësor dhe për pasojë, refuzojnë të zbatojnë vendimet e tij". "Për t'u hedhë hi syve shqiptarëve, Sali Berisha ka dërguar në Kuvend një ligj për Përmbarimin Privat, i cili edhe po i miratua nuk sjell asnjë ndryshim të gjendjes. Nuk sjell asnjë ndryshim sepse problemi nuk qëndron te shërbimi i përmbarimit, por te Sali Berisha dhe qeveria e tij. Problemi është se Berisha dhe qeveria e tij nuk e njohin pushtetin gjyqësor dhe për pasojë refuzojnë të zbatojnë vendimet e tij", tha Manjani. Duke iu referuar disa të dhënave zyrtare të siguruara nga ambasadat e huaja, Manjani shtoi se vetëm 24% e vendimeve të formës së prerë të gjykatave janë ekzekutuar, pasi Zyra e Përmbarimit prej kohësh po shkel ligjin. "Deri më sot figurojnë rreth 15.600 çështje të regjistruar në shërbimin e përmbarimit për t'u ekzekutuar, por vetëm 3.800 prej tyre janë ekzekutuar" - tha kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani.