E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri shkrumbon 1 hektar magazinë

 

Dashamir Biçaku

Zjarri shkrumboi tërësisht magazinat me pajisje hidro-sanitare të kompanisë “Henry 2000”, me seli në kilometrin e shtatë të autostradës Tiranë-Durrës, pranë fshatit Kashar. Nga flakët e zjarrit arritën të shpëtojnë të gjithë punëtorët, rreth 25 veta, të cilët kanë nisur të dalin nga magazina menjëherë sapo konstatuan tymin. Policia dhe ekspertët e zjarrfikëseve dyshojnë se shkak i ngjarjes ka qenë një shkëndijë elektrike, në kabllot që furnizonin sektorë të ndryshëm të magazinës, kryesisht në pjesën veriore të saj. Paralelisht me pistën e zjarrit nga shkëndija elektrike, policia po verifikon edhe shkaqe të tjera, si veprimi i qëllimshëm, ndërsa janë marrë në pyetje edhe dëshmitarët. Dëmi i shkaktuar nga zjarri që shkrumboi magazinën e mbushur plot muajt e fundit llogaritet të ketë shkuar në vlera të konsiderueshme. Magazinat e dëmtuara sipas policisë janë në pronësi të Ylli Xhakollarit, të cilit mendohet se zjarri i shkaktoi një dëm që kap shifra të konsiderueshme në qindra milionë lekë. Muajin e fundit pronari i subjektit ka vijuar të marrë furnizime hidro-sanitaresh nga vende të ndryshme dhe t’i vendosë në magazinën ku ra zjarri. Zjarrfikësit kanë punuar për më tepër se 9 orë për të shuar flakët, që kishin përfshirë të gjithë sipërfaqen e magazinave, si dhe sipërfaqen e pjesës veriore të godinës 8-katëshe, ku ndodheshin zyrat e kompanisë. Zjarri kishte përfshirë edhe një pjesë të vogël të godinës në krahun jugor të firmës “Agro Plant”, e cila ishte thuajse e ngjitur me magazinat e “Henry 2000”. Pak metra në lindje të magazinës së djegur, rreziku ka qenë i madh, pasi aty pranë ndodhet një nënstacion elektrik, që furnizon me energji një pjesë të mirë të zonës perëndimore të Tiranës. Fakti që nënstacioni elektrik me një ngarkesë të konsiderueshme ndodhej vetëm 10 metra larg vatrës së zjarrit, ka qenë shkak për uljen e menjëhershme të levave që lejojnë kalimin e energjisë aty.
Zjarri
Ngjarja ka ndodhur në orën 12:40 të ditës së djeshme, kur një pjesë e mirë e materialeve hidro-sanitare po digjeshin brenda  magazinës. Origjina e zjarrit mendohet se ka qenë në pjesën veriore të magazinës. Flakët kanë vijuar në pjesën e brendshme të ambalazheve prej kartoni dhe polisteroli të materialeve të tjera plastike, që ndodheshin aty, duke fuqizuar akoma më shumë zjarrin. Kjo gjendje mendohet të ketë vazhduar për minuta të tëra, deri sa flakët kanë mbërritur në fundin jugor të magazinës tek godina disakatëshe ku ndodhen zyrat e firmës. Një kat i këtij objekti përdorej si magazinë, disa të tjerë si ekspozitë e mallrave që shiteshin nga firma, si dhe zyra për administratën. Kur zjarri ka mbërritur pranë godinës, ajri aty ka ndihmuar flakët të shpërthejnë në sipërfaqe dhe të vihen re nga punonjësit, që ishin duke sistemuar mallin dhe të tjerët që po merreshin me klientët. Sapo kanë vënë re zjarrin, janë munduar të kuptojnë se ç’po ndodhte, ndërsa menjëherë është kryer evakuimi i të gjithë njerëzve që ndodheshin në godinë. Në pak minuta zjarri ka përfshirë të gjithë sipërfaqen e magazinës mijërametërshe, duke zhdukur gjithçka që ndodhej në të.
Zjarrfikësit
Rreth 20 minuta pas ngjarjes, shërbimet e zjarrfikëseve të kryeqytetit kanë mbërritur në adresën ku ishte dhënë alarmi për ndihmë. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të shuar zjarrin, ai vazhdonte të përparonte i favorizuar edhe nga materialet që ndodheshin në magazinë. Për disa orë zjarrfikësit mundoheshin të kufizonin flakët vetëm në pjesën që ishte djegur. Vështirësive të zjarrfikëseve në mjete logjistike, si shkallë të larta apo mjete të tjera për të luftuar zjarrin, i është shtuar për një farë kohe edhe mungesa e shkumës izoluese, që ndihmon më së shumti në shuarjen e zjarrit. Zjarrfikësit kanë vazhduar të luftojnë me flakët, gjithashtu edhe me qëllim izolimin e tij nga objektet e tjera, ku ndër më të rrezikuarat sipas tyre ishin nënstacioni elektrik, si dhe godina e subjektit “Agro Plant”, që ndodhej ngjitur me magazinën e hidro-sanitareve. Rreth orës 18:30, flakët e zjarrit janë ulur, ndërsa zjarrfikësit kanë vijuar luftën e tyre me vatra të vogla, që vazhdonin djegien në brendësi të magazinës.

Motra e pronarit: Magazina e siguruar dhe me antizjarr
TIRANE- Motra e Ylli Xhakollarit, Vera, ende nuk arrinte ta merrte veten, ndërsa qëndronte në tavolinën e një lokali ngjitur me objektin në pronësi të së vëllait që ndodhej në flakë. Ajo pohoi dje për gazetën “Panorama”, se kishte marrë vesh rënien e zjarrit në magazinë, vetëm pak minuta pas ngjarjes nga të afërmit e saj, që punonin thuajse të gjithë bashkë në fabrikë. Sipas saj vetëm një muaj më parë, një firmë hungareze kishte përfunduar punimet e sistemit të mbrojtjes ndaj zjarrit, e cila ishte pajtuar nga i vëllai. “Ylli pagoi qimet e kokës për të bërë këtë sistem, që do ta siguronte së paku nga zjarri”. Më tej, gruaja e moshuar ka treguar se sapo kishte marrë vesh se kishte rënë zjarr në autostradë ajo ishte nisur për tek magazinat e të vëllait, ku kishte mësuar se zjarri kishte marrë përmasa të mëdha. “Më thanë disa njerëz, që punonin në fabrikë më morën në telefon dhe u nisa menjëherë këtu”, pohon ajo. Sipas saj, ky ishte i gjithë investimi 15-vjeçar i të vëllait që tashmë u shkrumbua. Gruaja pohoi se i gjithë objekti është i siguruar dhe shpresonte, që ky fakt t’i ndihmonte ata t’i riktheheshin punës nga e para për të ringritur gjithçka.         d.b

Dëshmitari: Unë pashë flakën të shpërthente
TIRANE- Dritan Valisi, rreth 16 vjeç një prej banorëve të fshatit Bërxull, jo shumë larg me vendin e ngjarjes tregoi dje për gazetën “Panorama”, se ai po ecte në këmbë në rrugë përballë godinës ku kishte rënë zjarri, kur pa një shpërthim të papritur dhe të fuqishëm. “Shpërtheu menjëherë aty pranë godinës. Ktheva kokën dhe pashë që pjesa e pasme e godinës dhe magazina po digjeshin”. Më pas i riu tregon se vuri re punëtorët që dilnin me shpejtësi nga godina e hidro-sanitareve. Pas rreth 10 minutash nga rënia e zjarrit pashë zjarrfikëset, që vinin me shpejtësi në drejtim të fabrikës”, pohon dëshmitari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›