E Diel, 1 Nëntor 2026

Skadon afati për fondin 5 milionë USD

 

BLEDAR HOTI

Nesër skadon afati i depozitimit të kërkesave nga ana e ish-pronarëve, për të depozituar dokumentet pranë Agjencisë së Pronave për procesin e kompensimit financiar. Data 3 dhjetor është përcaktuar nga vendimi i Këshillit të Ministrave, si afati i fundit i depozitimit të kërkesave nga subjektet e shpronësuara, për t'u përfshirë në kompensimin e fondit prej 500 milionë lekësh. Ndërsa sipas burimeve mësohet se deri të enjten e kaluar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë regjistruar mbi 700 ish-pronarë për t'u kompensuar. Pritet që numri në total i ish-pronarëve që kanë depozituar dosjet mund të arrijë për këto dy ditë deri në 800 persona. Nga nëndrejtori i AKKP-së, Genci Çelo, mësohet se procesi i shpallur tashmë nuk do të ketë zgjatje kohore dhe do të mbyllet përfundimisht në datën 3 të këtij muaji. Gjeografia e depozitimeve është e gjerë nga e gjithë Shqipëria. Për vitin 2008, për herë të parë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të realizojë një kompensim financiar në të gjithë Shqipërinë, pasi harta e vlerës është e plotë në shkallë republike.
Tirana më pak e favorizuar
Brenda muajit dhjetor, AKKP-ja duhet të nxjerrë fituesit e plotë për vitin 2008. Gjatë ditëve të mbetura, AKKP-ja do të verifikojë me zyrat rajonale kërkesat e ish-pronarëve të paraqitura dhe të pranuara si të mirëqena. Në bazë të vendimit të qeverisë së datës 4 qershor 2008, në këtë garë përfshihen "subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim, që nuk kanë përfituar nga kompensimet financiare të mëparshme, do të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij sipas viteve". Vlera e kompensimit do të jetë e njëjtë deri në 200 m² të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim. Agjencia e Kthimit të Pronave ka bërë të ditur se "nga shpërndarja e këtij fondi do të përfitojnë subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim, pra që në vendimet e Komisioneve Vendore nuk ka të shprehur për asnjë metër katror kthim fizik". Në bazë të këtij vendimi mësohet se përfituesit e parë do të jenë ata ish-pronarë që kanë një vendim të njohur që nga viti 1993. Në bazë të kësaj, më të favorizuar do të jenë ish-pronarët e rretheve sesa ato të kryeqytetit. Kjo për faktin se vendimet e tyre datojnë në këtë vit. Për dy tre vite me radhë pronarët që kanë përfituar nga ndarja e fondit të qeverisë kanë qenë ato të Tiranës, të cilët kanë pasur si njohje të parë të pronave vendimet e vitit 1993. Në bazë të saj, numri i përfituesve mund të jetë i vogël në krahasim me vitet e mëparshme. Një gjë e tillë mund të sjellë një numër të madh ish-pronarëve që do të përfitojnë nga fondi prej 500 milionë lekësh, pasi çmimet e trojeve janë më e ulëta në krahasim me kryeqytetin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›