E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, kontejnerët e mallrave, tashmë kontroll nga skaneri

 

DURRES - Tashmë kontejnerët e ardhur në Durrës nga Kina, Malajzia, Argjentina, Brazili apo India nuk do të hapen më për t’iu nënshtruar kontrolleve doganore. Skaneri, i cili është vendosur së fundmi në kalatën e përpunimit të kontejnerëve, jo vetëm që shkurton kohën e përpunimit të mallrave, por edhe eliminon fenomenin e mosdeklarimit të mallit dhe të kalimit të tij pa doganë. Për të përvetësuar sa më mirë kontrollin me skaner është ndërmarrë një trajnim i posaçëm në portin e Durrësit. Përsa i përket rrezikut të rrezatimit jonizues, që përhap ky skaner Dogana e Durrësit bën me dije se “ai është brenda kufijve të lejuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”. Skaneri me rreze X që depërton në trupat e ngurtë ka marrë së fundmi edhe licencën nga Instituti i Fizikës Bërthamore. Skaneri është një ndër aparaturat më moderne, që përdoret aktualisht në portet dhe aeroportet e vendeve të zhvilluara. Por për shkak të radiacionit që ai lëshon në shumë vende të Bashkimit Evropian ka pasur kontestime nga shoqëria civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Shkak për këtë është bërë sasia e rrezatimit jonizues, i konsideruar si shumë i dëmshëm për shëndetin. Dy skanerat e instaluara së fundi në portin e Durrësit janë të gjeneratës së fundit të shkencës dhe kostoja e tyre vlerësohet si shumë e madhe. Dogana e Durrësit bën me dije se përdorimi i tyre do të kryhet nën rregulla tepër të forta, në mënyrë që të mos dëmtohet shëndeti i askujt.            o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›