Borxhi publik alarmon Ministrinë e Financave, gati shkurtimet në investimet publike
Borxhi publik, që arrin në 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto është kthyer në problem për Ministrinë e Financave. Ulja e tij pritet të realizohet përmes frenimit të investimeve publike. Në rast se nuk do të arrihen rezultat e pritshme, shkurtimet në sektorët
publikë do të marrin përmasa më të gjera. Strategjinë e bëjnë të ditur burime nga Ministria e Financave, sipas të cilave mësohet se borxhi publik paraqitet i qëndrueshëm në një plan afatmesëm. Ky borxh, në një nivel më pak se 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nuk është veçanërisht i lartë por përmban edhe risqe standarde, ka deklaruar dje Drejtori i Administrimit të Borxhit në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj. Sipas tij, masat që do të merren në uljen e këtij borxhi është frenimi i investimeve publike, që rënduan veçanërisht buxhetit në dy vitet e shkuara.
Borxhi
Niveli i lartë i borxhit publik është marrë më në fund në konsideratë edhe nga Ministria e Financave, e cila deri pak ditësh e konsideronte atë si jo shqetësues për ekonominë. Kritikat e Bankës Botërore dhe ekspertëve të ekonomisë për uljen e menjëhershme të borxhit publik kanë shtyrë Ministrinë e Financave që të nisë studimin për gjetjen e rrugëve të uljes së borxhit. Të parat që do të preken nga shkurtimet janë investimet publike, por grupi i ekspertëve që do të hartojë planin e masave nuk ka përcaktuar ende përqindjen e shkurtimeve në këtë sektor. Burime nga Ministria e Financave të bëjnë se në rast se ulja e borxhit nën masën 40 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto nuk do të arrihet me këto shkurtime, atëherë do të preken dhe sektorë të tjerë të financave publike deri në arritjen e rezultateve.
Ekspertët
Specialistë të ekonomisë vlerësojnë se një menaxhim me ritmet e duhura, nuk e çon borxhin publik prej rreth 60 për qind në rrezik për ekonominë e vendit. Por sipas ekspertit të ekonomisë, Omer Stringa, një shifër e tillë e borxhit është alarmante, pasi rritja e tij është në nivele më të larta se vetë rritja ekonomike. Ekspertët e ekonomisë kanë sqaruar disa herë metodat për reduktimin e borxhit publik. Sipas tyre, ulja e shpenzimeve korrente dhe ulja e shpenzimeve publike janë të vetmet rrugë për të ulur borxhin publik në vend.
Bode për borxhin
Ministri i Financave, Ridvan Bode, theksoi tre ditë më parë se borxhi publik nuk është më problematik, pasi ka filluar të ulet, duke arritur në 60% të GDP-së. Sipas ministrit Bode, vendi ka kapacitet për të shlyer borxhin e jashtëm, pasi është marrë me afat të gjatë. Alarmi për borxhin publik është dhënë edhe nga Banka Botërore sipas të cilës borxhi publik në Shqipëri, i cili përbën 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto cilësohet si një rrezik i lartë për financat publike. Alarmi është dhënë nga Banka Botërore, e cila saktëson se vendet në zhvillim gjenden në krizë në të gjitha rastet kur borxhi publik përbën nga 40 deri në 60 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Sipas BB, financat publike rrezikohen shumë dhe ecuria e ekonomisë do të varet nga menaxhimi i tyre. Sipas të njëjtave burime vendet në zhvillim ku përfshihet edhe vendi ynë janë prekur më shumë nga kriza botërore e cila do të kapërcehet në mënyra të ndryshme, në vende të ndryshme. Gjithçka do të varet nga menaxhimi i financave publike të secilit vend. Kur vendet me të ardhura mesatare arrijnë një nivel borxhi nga 40 në 60 për qind, bëhet subjekt i asaj që ne e quajmë rreziku i borxhit, deklaroi kryeekonomisti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë, Intermit Gill. Sipas tij niveli i borxhit publik në Shqipëri është shqetësues. Dikush mund të shohë nivelet e borxhit në vendet e zhvilluara të cilat janë edhe mbi 100 për qind dhe mund të thotë se pse edhe vendet si Shqipëria nuk mund të kenë një borxh të lartë. Eksperienca tregon se vendet në zhvillim me të ardhura mesatare nuk mund të tolerojnë nivele të larta borxhi. Dhe në rastin e Shqipërisë duhet të bëhet shumë kujdes sepse niveli i borxhit në Shqipëri është shumë më i lartë nga fqinjët tuaj të rajonit, u shpreh Gill.
BOX BB, Bodes: Kujdes me financat publike
Bankës Botërore, menaxhimi i financave publike paralajmëron se viti 2010 do të jetë i vështirë dhe se ecuria e ekonomisë në çdo vend do të varet kryesisht nga mënyra se si qeveritë do administrojnë financat publike. Vendet në zhvillim të Evropës janë prekur më fort nga kriza se çdo rajon tjetër në botë. Ne parashikojmë se edhe viti 2010 do të jetë i vështirë. Por ajo që po shohim është që nëse para krizës zhvillimi ekonomik në Evropë ishte uniform, kjo ka ndryshuar pas krizës. Vendet që po menaxhojnë më mirë financat e tyre publike po dalin më shpejt nga kriza dhe madje mund edhe tu rikthehen ritmeve të rritjes që kishin para krizës, theksoi Gill.
Ornela Manjani