Borxhi publik nuk përbën rrezik, siguron rritje të qëndrueshme
Ekspertët e Ekonomisë
“Borxhi publik i vendit nuk përbën rrezik për ekonominë dhe aq më pak nuk i rëndon qytetarit shqiptar”. Të këtij mendimi janë ekspertët e ekonomisë, të cilët janë të mendimit se “ky borxh publik në terma dhe nivel më se të pranueshëm, por edhe politikat fiskale të qeverisë, i dhanë shtysë zhvillimit ekonomik të vendit, duke bërë që në kushtet e një krize të rëndë, fillimisht financiare më pas ekonomike dhe sot buxhetore, vendi të renditej në krye të listës me rritje ekonomike pozitive.
Janë dy rrugë, sipas ekspertëve, që rekomandohen për të dalë nga kriza nga FMN-ja dhe që janë përqafuar nga të gjithë, të cilat rekomandojnë shkurtim të shpenzimeve dhe dhënien sa më pak të kredive, kushte këto që çojnë në ulje të borxhit publik. Një rrugë tjetër, nënvizojnë ekspertët, është edhe përvoja gjermane që është rritja e konsumit, d.m.th të shpenzosh, të japësh më tepër rroga për qytetarët që përkthehet në më shumë blerje mallrash, që automatikisht çon në rritje prodhimi. Sipas tyre, po u rrit prodhimi hapen vende të reja pune dhe rritet mirëqenia.
Në ekonomi, theksojnë më tej ekspertët, nuk ka gjëra të ndara me thikë dhe nuk është një shkencë që lindi dje, ndaj duhen mbajtur ca raporte të caktuara.
Sipas tyre, edhe në terma realë, borxhi i jashtëm nuk paraqet rrezik sepse ai llogaritet rreth 3 miliardë dollarë, kur vendet fqinje si Maqedonia e ka 5-6 miliardë dollarë, Kroacia rreth 46 miliardë dollarë. Shqipëria ka borxh të jashtëm më të ulët, nënvizojnë ekspertët, pasi qeveria për shumë vite ndoqi skemat e FMN-së dhe ajo ka ndikuar që qeveria deri në vitin 2006 të mos merrte më shumë se 50 milionë dollarë kredi.