Borxhi shtetëror u rrit këtë vit me 53 miliardë lekë
Thellohet borxhi i jashtëm i Shqipërisë. Nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Financave rezulton se në fund të shtatorit, borxhi publik i vendit arriti në 768.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 53.5 miliardë lekësh kundrejt fundit të vitit 2010. Pjesën më të madhe të borxhit qeveria ua ka marrë qytetarëve të saj nëpërmjet bonove të thesarit. Borxhi i brendshëm vlerësohet në 437.6 miliardë lekë, ndërsa borxhi i jashtëm ose kreditë që iu janë marrë institucioneve financiare ndërkombëtare dhe donatorëve të huaj llogariten në 331 miliardë lekë. Niveli i lartë i borxhit konsiderohet një ndër rreziqet kryesore të buxhetit të shtetit gjatë vitit të ardhshëm. Ndërkaq, po nga të dhënat e dikasterit të financave rezulton se mosrealizimi i të ardhurave në nivelin e parashikuar ka kushtëzuar qeverinë në investimet që ka bërë. Shpenzimet kapitale deri në fund të muajit shtator janë realizuar në rreth 62.5 për qind të planit vjetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 3.2 miliardë lekë më të ulëta ose rreth 9.2 për qind më pak.