Buxheti 2012, më 5 dhjetor përmbyllet miratimi nga Kuvendi
Pas miratimit në parim në seancën maratonë të së premtes, buxheti i vitit 2012 do t’u nënshtrohet sërish diskutimeve në komisionet parlamentare, para se të marrë miratimin përfundimtar. Gjatë kësaj jave, komisionet parlamentare do të marrin në shqyrtim “nen për nen” dhe “në terësi” buxhetin, duke reflektuar edhe ndryshimet, për të cilat kampet politike kanë rënë dakord gjatë diskutimeve në seancë plenare. Shqyrtimi i buxhetit në komisione duhet të përfundojë brenda datës 3 dhjetor, kur komisioni i Ekonomisë duhet të mblidhet për të bërë miratimin përfundimtar të draftit. Më tej drafti do të diskutohet në tërësi në seancën plenare të Kuvendit, për të marrë edhe votën përfundimtare. Për miratimin e buxhetit, edhe kësaj here do të shërbejnë së paku 71 vota. Në rast se edhe në seancën e datës 5 dhjetor, buxheti do të marrë miratimin, atëherë ai i kalon Presidencës, ku kreu i shtetit duhet ta dekretojë për t’i hapur rrugë hyrjes së buxhetit në fuqi. Buxheti i vitit 2012 u diskutua për rreth 15 orë në seancën e së hënës në parlament, ku kampet politike shfaqën qëndrimet e tyre pro dhe kundër draftit financiar të ardhur nga qeveria. Gjatë këtyre diskutimeve, opozita e kushtëzoi votën e saj për buxhetin me miratimin e 8 propozimeve, të cilat konsistonin në heqjen e Tatimit mbi Vlerën e shtuar për produktet ushqimore, produktet bujqësore dhe për ilaçet që importohen. Këto propozime u kundërshtuan nga mazhoranca me argumentin se dëmtojnë produktet vendase, në një kohë kur sistemi aktual i taksimit vlerësohet si i suksesshëm. Pavarësisht këtyre propozimeve, në fund buxheti kaloi testin e parë në parlament, duke marrë 74 votat pro të mazhorancës dhe 56 kundër të opozitës.