“Tërmeti” ekonomik, bankat të bëjnë gati planin e emergjencës
Parashikimet e djeshme të OECD tregojnë se kriza e eurozonës mbetët një risk kryesor i ekonomisë së globit. Organizata sugjeron që Banka Qendrore Europiane duhet të ulë më tej çmimin e euros
Politika decizive duhet të ndërmerren urgjentisht për t’i thënë stop rokadës së borxheve sovrane në Europë, të cilat po e çojnë të gjithë ekonominë e botës në rënie të përgjithshme. Alarmi është dhënë nga një raport i djeshëm i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Gjithashtu, OECD u kërkon autoriteteve monetare të përgatisin një “plan emergjence”, duke përfshirë edhe opsione të pazakonta dhe të pa-testuara më parë, në rast të një “tërmeti” ekonomik. Parashikimet e organizatës tregojnë se kriza e eurozonës mbetet një risk kryesor i ekonomisë së globit. Vlerësohet se kriza e borxheve sovrane është e lidhur në një mënyrë me ritmet e ulëta të ekonomisë së globit. Kjo për shkak se bankat, për shkak të situatës së krijuar, kanë gjithnjë e më pak fonde për të kredituar ekonominë. Politikat monetare në vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, duhet të jenë tepër akomoduese, për shkak të parashikimit të dobët ekonomik, ndërsa normat e interesit pranë zeros do të japin një tjetër mbështetje për ekonomitë më të mëdha. Kjo ka qenë thirrja që OECD u bën bankave qendrore të vendeve anëtare. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim deklaroi në raportin e saj se risqet e ngadalësimit ekonomik janë në rritje, dhe vendet që kanë rritur normat e interesit duhet t’i ulin sërish ato. Për sa i përket eurozonës, ku kriza e borxheve është përhapur në shumë vende dhe ka rënë ndjeshëm besimi i tregjeve, OECD i sugjeron Bankës Qendrore Europiane të ulë normat e interesit, pas uljes në 1.25% në ditën kur Mario Draghi erdhi në krye të këtij institucioni. Gjithashtu, Banka Qendrore Europiane duhet të sigurojë furnizim të mjaftueshëm me likuiditet dhe të ulë normat ndërbankare në rreth 0.35%, nivele të njëjta me shtatorin e 2008-ës, kur falimentoi banka e investimeve ‘Lehman Brothers’. Për sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, OECD deklaron se Rezerva Federale duhet të vazhdojë të mbajë normën e interesit në nivelin më të ulët historik, prej 0.25%, të paktën deri në fund të vitit 2013. Gjithashtu, OECD paralajmëron edhe për një rritje të jelldit të bonove 10-vjeçare amerikane, për shkak të ndasive politike që ekzistojnë për borxhin dhe deficitin. Kërkimi i një zgjidhjeje për krizën evropiane të huave po kryhet me intensitet të lartë. Berlini dhe Parisi po punojnë, me sa duket pa ndërprerje, për një pakt stabiliteti për eurozonën. Më 9 dhjetor, shefat e shteteve dhe të qeverive evropiane takohen në Bruksel, ku Angela Merkel dhe Nikolas Sarkozi do të paraqesin përfytyrimet e tyre. Kjo nuk është gjë e re, të dy e patën paralajmëruar diçka të tillë këto ditë. Disa gazeta gjermane raportuan se të martën takohen fillimisht ministrat e financave të vendeve të euros. Siç mësohet, në takim do të flitet për vijat drejtuese për fuqizimin e fondit të shpëtimit EFSF (d.m.th. për efektin levë të vëllimit të kredive). Është fjala që 250 miliardë eurot e mbetura të EFSF-së të shtohen me anë të financimit të jashtëm, për të rritur kësisoj fuqinë e saj goditëse në deri një bilion euro. Veç kësaj, ministrat do të miratojnë me gjasa edhe transhin e kredisë së radhës me vlerë tetë miliardë euro për Greqinë.