E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trefishohet numri i ullinjve ne komunen e Novoseles ne Vlore

Gjatë viteve të fundit, në komunën e Novoselës në rrethin e Vlorës është trefishuar numri i ullinjve, çka është shoqëruar edhe me shtimin e prodhimit. Nga 25 mijë rrënjë që ishte ky tregues në fillim të viteve 1990-të, aktualisht ka shkuar në rreth 65 mijë rrënjë. Sipas fermerëve, kushtet klimatike, struktura e tokës e përbërë nga gëlqerorë dhe ranorë në ngjyrë të kuqe, janë disa nga faktorët favorizues në këtë drejtim.

Kjo është edhe arsyeja që tradita e kultivimit të ullinjve në këtë zonë është mjaft e spikatur, ashtu siç edhe fermerët janë të interesuar për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me këtë kulturë. Kjo reflektohet veçanërisht në vitet e fundit, kur qindra fermerë kanë krijuar parcela të shumta me ullinj, duke ndryshuar dukshëm srukturën e mbjelljeve në favor të kësaj kulture, në raport me perimet, drithërat, vreshtat, apo drufrutorët e tjerë.

Mes varieteteve që janë kultivuar gjatë këtyre viteve spikat "Kalinjoti", kultivari autokton i kësaj zone, por edhe "Frantoja" që dallon për ciklin shumë të shkurtër të prodhimit, prej tre apo katër vjetësh, ose 3 herë më pak.

Shtimi i sipërfaqeve me ullinj është pjesë e strategjisë kombëtare në këtë drejtim, që parashikon shumëfishimin e tyre deri në 20 milionë rrënjë brenda një afati prej 10 vjetësh. Vetëm në Qarkun e Vlorës, janë evidentuar rreth 12 mijë hektarë sipërfaqe toke e lirë, të cilat kanë nisur të futen gradualisht në efiçensë për të plotësuar këtë objektiv.

Për vitin në vazhdim po zbatohet një program për nxitjen e fermerëve përmes subvecionimit të mbjelljes me ullinj, të sipërfaqeve të reja. Gjatë 3 viteve të fundit, në rrethin e Vlorës janë mbjellë rreth 350 hektarë me ullinj, të cilat janë subvecionuar nga buxheti i shtetit me rreth 120 milionë lekë.

Në rrethin e Vlorës numërohen rreth 1.3 milionë rrënjë ullinj, që përfaqësojnë 30 përqind të tyre në shkallë vendi, duke realizuar të njëjtën përqindje në prodhimin kokërr. Sot prodhohen çdo vit mesatarisht, 11700 tonë ullinj dhe 1450 tonë vaj, ndërkohë që vlerat respektive për vitin 1990 ishin 7000 dhe 1030 tonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›