Para gjykatës, Inva Mula refuzon pajtimin me Pirro Çakon
Avokati Çomo: Çdo gjë ka marrë fund. Një martesë e pakonsumuar prej 2 vitesh, si dhe mungesë komunikimi gjatë kësaj kohe
Inva Mula refuzon një përballje me Pirro Çakon, duke deklaruar se çdo gjë ka marrë fund dhe nuk ka asnjë arsye që mund ta shtyjë të pajtohet me të. Kështu, paraditen e djeshme në Gjykatën e Tiranës ka dështuar seanca e pajtimit mes Inva Mulës dhe Pirro Çakos. Pavarësisht tentativës së fundit të avokates së kantautorit për një përballje mes tyre në seancën e radhës pa kaluar në seancë gjyqësore, sopranoja përmes avokatit të saj nuk ka qenë dakord, duke deklaruar se çdo gjë ka marrë fund mes tyre. “Mendoj se është e nevojshme një seancë tjetër ballafaqimi mes çiftit, pasi Pirro është njoftuar me vonesë nga fqinja e vet, ndaj dhe nuk ka pasur mundësi të paraqitet në seancë”, - është shprehur avokatja e kantautorit, Holta Kotherja. Kësaj kërkese të avokates nuk i është përgjigjur vetë zonja Mula, e cila nuk ka folur shumë gjatë seancës së pajtimit. Nëpërmjet avokatit të saj, Sokol Çomo, ajo është shprehur se kjo martesë duhet të marrë fund, pasi ka më se dy vjet që nuk është konsumuar, konkretisht qysh prej dhjetorit të vitit 2007. Sipas sopranos, jo vetëm që kjo martesë nuk është konsumuar, por mes saj dhe Pirros nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi verbal apo telefonik gjatë kësaj kohe. “Klientja ime e ka menduar gjatë këtë vendim të sajin për divorc, ndaj dhe nuk gjejmë asnjë shkak për pajtim”, - u shpreh avokati Çomo. Por gjyqtarja e çështjes, Elona Gjoka, pasi dëgjoi pretendimet e dy palëve, por edhe mendimin e Inva Mulës, e cila për herë të parë ka qenë e pranishme në këtë proces divorci, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e avokates Holta Kotherja, duke kaluar në seancë gjyqësore. Tashmë dy avokatët e çiftit do të paraqesin më 2 qershor para gjykatës provat pse duhet shpallur divorci, si dhe do vendoset se kujt prej prindërve do t’i besohet fëmija i tyre, Antoni. Në përfundim të seancës, sopranoja e njohur është mundur me të gjitha mënyrat që të evitojë kontaktin me median e pranishme në ambientet e gjykatës, madje duke shfrytëzuar ambientin pas godinës për të dalë. Sopranoja Mula e ka paraqitur kërkesën për divorc pak muaj më parë, me pretendimin se kërkonte prishjen e martesës për moskonsumim të saj prej dy vitesh. Ndonëse ishte aluduar prej kohësh një prag-divorci prej tyre, vetëm pak muaj më parë ajo u konfirmua zyrtarisht, përmes depozitimit të kërkesës në Gjykatën e Tiranës. Madje, aludohet se në qershor, mes sopranos Mula dhe biznesmenit Esat Ramadani do të kurorëzohet një martesë e dytë në Izrael. Vetë znj. Mula e ka mohuar lidhjen me biznesmenin, ndërkohë që përflitet edhe shpërndarja e ftesave për dasmën mes tyre, si dhe vendi ku do të realizohet.