E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, mijëra në sheshin “Xhorxh Bush”

 

Aristir Lumezi

Mijëra qytetarë mbushën dje si asnjëherë tjetër sheshin "Xhorxh Bush" në mbështetje të grevës së urisë së 10 deputetëve në mbrojtje të votës së lirë. Nën tingujt e këngës tashmë himn "Për ty atdhe", me qindra flamuj, me qindra trëndafila të kuq, me mijëra duar të ngritura drejt qiellit. Është bashkuar zëri i mijëra protestuesve në një zë të vetëm "Jo diktaturës", "Vota është demokraci". Në ditën e shtatë të grevës së urisë, deputetët e ngujuar brenda sallës së seancave plenare i përshëndetën të pranishmit me anën e një deklarate të lexuar nga zëdhënësi i grevës, deputeti Dritan Prifti. "Do t'i them Edi Ramës që të reagojë si njeri, sepse miku i tij i ngushtë Ilir Meta dhe deputetët e tjerë në atë sallë, sot ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Nëse Rama nuk reagon, atëherë ndarja me të është përfundimtare", ka deklaruar Prifti. Ata që morën fjalën në miting sulmuan ashpër dy liderët e partive kryesore në vend, Sali Berishën dhe Edi Ramën. "Ky është një moment kyç. Jemi në një moment të rrezikshëm dhe vetëm me forcë mund të fitohet e drejta", ka deklaruar deputeti Spartak Ngjela. "Jam i lumtur që morali i atyre burrave në grevë dhe i juaji këtu në këtë protestë është në ngritje", u shpreh deputeti Gilman Bakalli. Në shesh, përmes përfaqësuesve të LSI-së në rrethe u përcollën edhe mesazhet e dërguara nga komunitetet që ata përfaqësojnë. Bulqiza, Mati, Shkodra dhe Malësia e Madhe, Durrësi dhe Fieri, Berati dhe Elbasani, Peqini, Gjirokastra, Saranda etj., të pranishëm në këtë protestë, në mbështetje të grevës që zhvillohet në mjediset e brendshme të Parlamentit. Të pranishëm në protestë kanë qenë edhe përfaqësues të njohur të shtypit shqiptar. Analisti Artur Zheji ka akuzuar dy partitë e mëdha se po tentojnë të monopolizojnë votat. "Ata po komplotojnë dhe duan të nxjerrin partitë e tjera jashtë skenës politike", tha Zheji. Sipas organizatorëve, mitingu i së hënës mbrëma do të vijojë të martën në orën 10:00 të mëngjesit, kur mendohet të mblidhet seanca plenare që duhet të diskutojë për Kodin e ri Zgjedhor. Në shesh ishte dhe Artan Marku, ish-socialist fierak, tashmë, në krah të deputetit Petro Koçi. "Jemi të gjithë së bashku, ne që kemi emrin e vërtetë, të majtë. Nuk e kemi tradhtuar idealin tonë të së majtës. Kemi luftuar për demokracinë e vërtetë dhe nuk mund tani të na e dhunojnë dy njerëz, Edi Rama dhe Sali Berisha. Socialistët e vërtetë nuk janë më në krah të Edi Ramës dhe në Fier. Sado që përpiqen disa beniaminë të tij që t'i tregojnë se kanë rrënjë akoma në Myzeqe. Edi Rama së bashku me disa zogj të korbit janë në grahmat e tij të fundit, por jo e majta. Ajo është dhe do të mbetet e fuqishme dhe është e bashkuar në mbrojtje të votës së lirë", u shpreh Marku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›