Withers, negociata me Ramën e Berishën për krizën
ADI SHKEMBI
Ambasadori i SHBA-së, John Withers, ka takuar dje Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e PS-së, Edi Rama, në dy takime të veçanta. Kreu i diplomacisë amerikane në Tiranë ka pasur gjatë ditës së djeshme një axhendë të ngjeshur, teksa ka shkuar paradite në zyrën e kreut të qeverisë dhe më pas rreth mesditës pas prezantimit të librit "Guximi për të shpresuar" të Barack Obama-s, është takuar me Ramën në barin e hotel "Tirana International". Megjithatë në asnjë nga takimet nuk bëhet e ditur nëse ambasadori amerikan ka folur edhe për zhvillimet e fundit në vend, që lidhen me grevën e urisë së 10 deputetëve. Kjo është iniciativa e parë që ambasadori i vendit më të fuqishëm në botë zhvillon takime me krerët e dy partive të mëdha, ndërkohë që deri tani diplomatët e tjerë perëndimorë janë mjaftuar vetëm me deklarata publike, ku kanë bërë thirrje për gjithëpërfshirje në miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Fillimisht Withers është parë t'i drejtohet selisë së Këshillit të Ministrave në orën 11:00 të paradites së djeshme, ku ka qëndruar në një takim kokë më kokë me kreun e qeverisë për rreth 40 minuta. Lajmi konfirmohet edhe nga një njoftim për shtyp i zyrës së Këshillit të Ministrave. Sipas njoftimit në takimin mes tyre, është folur për periudhën post zgjedhore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve. Ambasadori amerikan e njohu Kryeministrin Berisha me situatën e re post zgjedhore në SHBA dhe me prioritetet e pritshme të administratës së re të Presidentit Obama. "Kryeministri Berisha vlerësoi se zgjedhjet në SHBA janë një ngjarje e shënuar dhe një çast historik për popullin dhe kombin e madh amerikan, por edhe për mbarë njerëzimin që gjen te SHBA modelin më të shkëlqyer dhe garantuesin më të madh të lirisë dhe vlerave të saj. Kryeministri nënvizoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe mbeten prioriteti më kryesor i qeverisë së tij", thuhet në njoftimin për shtyp. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Berisha u shpreh se pret me kënaqësi të bashkëpunojë ngushtë me Presidentin Barack Obama dhe me administratën e re të SHBA-ve. Ndërkohë në orën 15:00 ambasadori amerikan ishte së bashku me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreun e Lëvizjes G99, Erion Veliaj, në prezantimin e librit të presidentit të ri të SHBA-së, Barack Obama "Guximi për të shpresuar". Pas këtij aktiviteti që ka zgjatur rreth 60 minuta, ku është folur për librin e shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë, ambasadori amerikan John Withers është parë të ngjisë shkallët e katit të tretë të hotel "Tirana International" dhe pas tij, pak minuta më vonë është ngjitur edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Por zyra e shtypit e selisë rozë nuk jep asnjë informacion lidhur me këtë takim. Bisedimet e ambasadorit amerikan me krerët e dy partive më të mëdha në vend vijnë në një moment të rëndësishëm, siç është ai i miratimit të Kodit të ri Zgjedhor si dhe grevës së urisë, që dhjetë deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Demokristiane dhe PS '91 vazhdojnë prej tetë ditësh.