Berisha: LSI të zgjidhë problemin me PS-në
Kryeministri Sali Berisha shpjegoi dje para deputetëve të grupit parlamentar demokrat debatin e fundit për Kodin e ri Zgjedhor, i cili pritet të miratohet sot në Kuvend. Duke folur në pjesën me dyer të mbyllura, kreu i qeverisë u shpreh se kompromisi më i madh i mundshëm për miratimin e tij bëhet pikërisht me Partinë Socialiste, duke shtuar se konsensuse të tilla bëhen me partinë më të madhe të opozitës. "Ne nuk mund ta mohojmë që kur nuk është e mundur të ketë 100% konsensus, atëherë konsensusi bëhet me partinë më të madhe të opozitës. E njëjta gjë ka funksionuar edhe gjatë kohës që ne kemi qenë në opozitë", mësohet të ketë thënë Kryeministri Berisha. Kreu i Ekzekutivit bëri të ditur se nuk është kundër përfshirjes në komisionet e administrimit të votave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por shtoi se ky problem duhet zgjidhur mes LSI-së dhe PS-së. "Ne nuk kemi asnjë kundërshtim që të futet LSI, nuk kemi asnjë problem me atë parti, por ajo duhet ta zgjidhë më parë me Partinë Socialiste", mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë. Pak ditë më parë në një prononcim për mediat nga Brukseli, Kryeministri Berisha tha se elektorati ka përcaktuar PS-në si partinë më të madhe të opozitës. "Ata kanë pasur çdo rast për të qenë dhe kanë qenë në komision, ligji sërish do të shkojë në Parlament, por unë e kam theksuar dhe e theksoj se jam në qeveri dhe me të gjithë Kodin e rregullave, sepse nuk jam unë që zgjedh opozitën, atë e zgjedh populli ashtu siç zgjedh edhe qeverinë. Populli shqiptar ka përcaktuar opozitë kryesore Partinë Socialiste dhe është jashtë çdo lloj mundësie që unë të veproj nëpërmjet faktorëve të tjerë opozitarë në dëm të partisë kryesore opozitare. Kjo është e pamundur për mua", deklaroi Berisha, duke shtuar se komisionerët nuk merren me greva urie.