Presidenti i SHBA pritet të firmosë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

Tiranë, 24 tetor 13:19 NOA - Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush pritet të firmosë sot në Shtëpinë e Bardhë, Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, gjatë një ceremonie zyrtare.
Ceremonia, ku janë të ftuar përfaqësuesit diplomatikë të dy vendeve, është parashikuar të mbahet në orën 17.30, me orën lokale të Washington DC, në Rose Garden.
Presidenti Bush i jep kështu fuqi ligjore aktit të Kongresit Amerikan i cili ratifikoi më 25 shtator të këtij viti, me unanimitet, protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Shqipëria e mori ftesën për anëtarësim në NATO në prill të këtij viti në Samitin e Bukureshtit.
Vendet e Aleancën kanë vlerësuar në vazhdimësi reformat e bëra nga Shqipëria në përmbushje të standardeve që kërkon NATO, duke shprehur angazhimin për anëtarësimin me të drejta të plota para samitit të prillit të vitit të ardhshëm.
Deri tani, Hungaria, Letonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lituania, Polonia, Rumania dhe Bullgaria kanë miratuar në parlamentet e tyre protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
v.l/NOA