E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS thotë se po thellohet hendeku mes të pasurve dhe të varfërve

Ilir Beqja

Beqja: 17 tetori, Dita ndërkombëtare kundër varfërisë, kaloi pothuajse në heshtje nga qeveria shqiptare

Tiranë, 24 tetor 14:25 NOA – Partia Socialiste (PS), vlerëson se po thellohet hendeku mes te pasurve dhe të varfërve në Shqipëri. Deklarata u bë sot nga Nënsekretari për Programin e PS, Ilir Beqja.

Ai evidentoi dhe faktin se “17 tetori, Dita ndërkombëtare kundër varfërisë, kaloi pothuajse në heshtje nga qeveria shqiptare”.

Më tej Beqja në daljen për gazetarët tha se Kryeministri nuk u kujtua të merret me të varfrit e vendit të tij dhe të tregojë se sa e kanë zbutur varfërinë kafshatat që ai ka premtuar të japë.

“Kryeministri i qeverisë së shërbimit dhe shërbesave nuk u kujtua të merret me qytetarët e vendit të tij dhe të tregojë se çfarë shërbimesh më shumë u ka sjellë të varfërve të vendit të tij përveçse ka shtuar ceremonitë mortore”, - vijoi z.Beqja.

Ai shprehu qëndrimin e PS dhe kur tha se “Kryeministri nuk guxon të flasë për të varfërit, sepse në 3 vjet të qeverisjes së tij, hendeku midis të varfërve dhe të pasurve është thelluar”.

Këtu Beqja evidentoi se “ky hendek është sot 16.5 % më i thellë se në vitin 2005”.

Për socialistët në opozitë, janë politikat antipopullore të kësaj qeverie, përgjegjëse për thellimin e këtij hendeku.

“Është zbatimi i taksës së sheshtë që e ka thelluar hendekun midis të varfërve dhe të pasurve, dështimi i skema kompensuese të rritjes së çmimit të energjisë që e ka thelluar hendekun midis të varfërve dhe të pasurve dhe shtrenjtimi marramendës i çmimeve të ushqimeve bazë që e ka thelluar hendekun midis të varfërve dhe të pasurve”, vlerësoi z.Beqja.

Ai foli dhe për tragjedinë e Butrintit, kur tha se “është pikërisht varfëria, ajo që ua bëri të padurueshme jetën 5 fatkeqëve dhe i detyroi të hipnin në varkën e vdekjes natën 19 tetorit”.

Këtu ai premtoi se “Partia Socialiste është e angazhuar që në programin e saj të ri qeverisës, shqiptarët të gjejnë instrumentin për t’u ndarë një herë e mirë nga varfëria”.

v.l/NOA

Çfarë është indeksi GINI

Indeksi GINI është indeksi që mat shkallën e shpërdarjes së pasurisë së një vendi midis qytetarëve të tij. Ky indeks, teorikisht mund të jetë nga 0 në 1. Në literaturë gjendet edhe nga 0 në 100.

Nëse indeksi GINI është 0 kjo tregon që pasuria e një vendi është e ndarë në mënyrë të barabartë midis qytetarëve të një vendi. Matematikisht, indeksi mund të jetë 1 (ose 100), nëse e gjithë pasuria e një vend i takon vetëm një qytetari.

Në vitin 2008 indeksi GINI në Shqipëri është 0.311 (ose31.1).

Në vitin 2005 ky indeks ka qenë 0.267 (ose 26.7).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›