E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doll: Takim tjetër Berisha-Rama



ADI SHKEMBI

Kryetari i grupit të Partive Popullore Europiane paralajmëron një tjetër takim mes Kryeministrit Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, për zgjidhjen e krizës në vend. Josef Daul tha dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e Qeverisë shqiptare, se në tryezën mes tyre në Strasburg nuk ka pasur një draft, për të cilin është folur shpesh në Tiranë, veçanërisht nga opozita. "Dëgjoni, shumë sinqerisht nuk e di se për çfarë drafti flisni. Ka pasur diskutime, por mund të avancojmë akoma më shumë në funksionimin e demokracisë në Shqipëri, nëse do të duhet do të ketë takime të tjera të nivelit të lartë pra: zoti Rama, zoti Kryeministër, Unë dhe zoti Martin Shultz, për të diskutuar mbi përmbajtjen e një dokumenti që është diskutuar nga teknicienët tanë, nga sekretarët tanë të përgjithshëm, deri tani më kanë thënë se nuk ka pasur propozime për të avancuar në lidhje me këtë dokument. Pra diskutimi mund të vazhdojë, ose të ndërpritet. Parlamenti Europian nuk është bërë për t'u diktuar ligjin shqiptarëve", u shpreh kreu i partive të djathta në Parlamentin Europian. Në të njëjtën kohë, Daul nuk pranoi që darka e restorant "Crocodille" ishte e dështuar. Sipas tij "përgjigja e parë për mua qëndron gjithmonë e njëjta, ne kemi arritur bashkë me zotin Martin Shultz, që demokracia të vihet në veprim dhe që Parlamenti të funksionojë. Dhe ju e dini më mirë se unë se në atë kohë në Tiranë ka pasur dy mundësi për këtë: Ose t'i shkohej deri në fund asaj greve urie, ose të fillonin negociatat". Duke iu referuar darkës së Strasburgut, drejtuesi i grupit më të madh politik në Parlamentin Europian tha se në atë takim u arrit njohja e Qeverisë, njohja e respektimi i Kushtetutës dhe që opozita të punojë në Parlament. "Nuk donim të shkonim më larg dhe të fillonim: Hapni kutitë, mbyllni kutitë. Ne nuk mund të arrinim këtu, pasi ka një Kushtetutë, ka organizma ndërkombëtare që janë njohëse shumë të mira në fushën e të drejtave. Unë nuk kam studiuar drejtësi dhe kam arritur të zgjidh shumë situata të tilla përmes negociatave. Unë mendoj se Kryeministri i dha mundësi funksionimit të Shtetit të së Drejtës dhe ai funksionon në nivelin e opozitës", u shpreh Daul. "Nuk dua të kritikoj zotin Rama, por i thashë se në një demokraci jemi në opozitë deri në zgjedhjet e ardhshme, në një demokraci dhe rregullat demokratike duhet të funksionojnë në një mënyrë të tillë që në zgjedhjet e ardhshme të mund të jenë në shumicë", vijoi më tej kreu i të djathtëve europianë. Ndërsa Kryeministri Berisha tha se "dua t'u garantoj se në këto takime, Qeveria është sjellë fleksibël, si një maxhorancë jashtë çdo lloj koncepti të revanshit dhe është përpjekur të bëjë maksimumin e kompromiseve brenda parimeve kushtetuese, shtetit ligjor, respektit të institucioneve, pikëpamje për të cilat unë kam pasur mbështetjen e plotë e totale të Presidentit Daul e të miqve të mi, kudo. Ky është realiteti".
Takimi me PS
Pjesë e axhendës tre ditore të Josef Daul në Tiranë ishte një takim me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli dhe me përfaqësues të opozitës. Burime pranë Partisë Socialiste bëjnë të ditur për gazetën "Panorama" se rreth orës 19:00, Daul është takuar në ambientet e kryesisë së Kuvendit me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, nënkryetarin e Parlamentit, Namik Dokle, si dhe deputetit Ilir Beqja. Mësohet se përfaqësuesi i lartë i PPE-së ka kërkuar në këtë takim që opozita të mos bojkotojë më Kuvendin, si dhe të punojë me maxhorancën për hartimin e një ligji të ri elektoral. Por përfaqësuesit e PS-së kanë kundërshtuar qëndrimin e Daul, duke thënë se nuk mund të punohet me maxhorancën për hartimin e një ligji për zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që nuk është parë ende se çka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.

Meta: Transparenca, alibi për Ramën
Zv.kryeministri Ilir Meta tha dje në përfundim të takimit me kreun e grupit të PPE-së, Josef Daul, se kërkesa e opozitës për transparencë është alibi për zgjedhjet lokale. "Askush nuk ka pasur dyshim në Shqipëri, që kjo nuk është një sfidë e nisur për transparencën e zgjedhjeve, por një alibi për të justifikuar një bojkot të mundshëm të zgjedhjeve, për shkak të frikës së kryetarit aktual të kësaj force politike, për t`u përballur me votuesit në kryeqytet përsëri", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›