E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëndët me zgjedhje, pyetjet me zhvillim 3-fishin e pikëve



Vetëm 5 ditë i ndajnë 42 mijë kandidatë për në shkollat e larta nga prova e fundit e Maturës Shtetërore. Ata duhet t'u japin prioritet në përgatitjen e tyre pyetjeve me zhvillim. Ato do të zënë gjysmën e testit, por kanë trefishin e pikëve që do të grumbullohen nga provimi. Në total janë 20 pyetje. Përgjigjet e sakta për çdo pyetje me zhvillim do të vlerësohen me tre pikë, ndërsa përgjigjet e sakta për ato me alternativa do të vlerësohen me 1 pikë. Raporti është 3 me 1. Një nxënës, nëse punon siç duhet për pyetjet me zhvillim në total, grumbullon 30 pikë, ndërsa nga ato me alternativa vetëm 10 pikë. Sipas rregullores, të gjitha pyetjet që do të bien në tezat e provimeve për të 12 lëndët, do të merren nga programet orientuese që janë shpërndarë gjatë vitit shkollor. Mësuesit e gjimnazeve deri në fund të javës kanë detyrim të zhvillojnë konsultime me nxënësit që janë regjistruar për të marrë pjesë në dy provimet me zgjedhje të 30 qershorit. Gjatë këtyre orëve, nxënësit do të orientohen me të gjitha temat e paqarta mësimore, që do të jenë pjesë e temave të provimit. Provimet e lëndëve me zgjedhje do të zgjasin plot katër orë, ku për secilën tezë provimi, nxënësi ka në dispozicion dy orë kohë. Ata duhet t'u përmbahen rregullave që tashmë i dinë, për të mos u përjashtuar nga provimi. Në rast se kapen duke kopjuar, automatikisht humbin të drejtën për të konkurruar në shkollat e larta. Të vetmit që mund të konkurrojnë në shkollat e larta pa dhënë lëndët me zgjedhje janë kandidatët që duan të vazhdojnë programet e studimit në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve, në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Luigj Gurakuqi" Shkodër, si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" Elbasan. Ata mund të konkurrojnë në këto universitete dhe institute me anë të konkurseve të veçanta, që i përzgjedhin vetë shkollat. Hartuesit e tezave të lëndëve me zgjedhje, që prej dy ditësh janë ngujuar në ambientet e AVA-s. Ata do të qëndrojnë aty deri në përfundim të provimeve, pas mesditës së datës 30 qershor. Hartuesit, në bazë të rregullores nuk kanë asnjë të drejtë komunikimi, ndërkohë që godina është nën mbikëqyrjen e uniformave blu. Në rast se një maturant nuk arrin të marrë nota kaluese në një nga provimet me zgjedhje, atëherë ai humb të drejtën e garës për në universitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›