Klodi i “Big Brother”, letër Berishës e Ramës
Vetëm 2 ditë pas fjalimit të Sekretares së Shtetit Hilari Klinton, protagonisti i emisionit "Big Brother 3", Klodian çela, u dërgon një letër të hapur liderëve kryesorë politikë, ku u bën thirrje të mbrojnë të drejtat e komunitetit "gay". Në letrën e tij, Klodian çela, i cili pranoi hapur homoseksualitetin e tij, shprehet se ndihet i diskriminuar në Shqipëri. "I nderuar z. Kryeministër, i nderuar kryetar i opozitës, unë vendosa të qëndroj në Shqipëri, ndryshe nga shumë vetë që kishin besuar se do t'ia mbathja nga sytë këmbët, vetëm sepse kisha guxuar të thyeja një tabu. Unë vendosa të qëndroj në këtë vend për t'u përballur me dinjitet me të gjitha sfidat që ka shoqëria shqiptare. Unë pres që mesazhet e mbështetjes të mos më vijnë mua apo kujtdo tjetër që është pjesë e komunitetit LGBT, vetëm nga ndërkombëtarët", shkruan çela në letrën e tij, i cili më tej shton se "në vitin 2010 unë ndihem i internuar në vendin tim. Në këtë situatë në të cilën unë dhe familja ime ndodhemi sot mund të ndodhen edhe familjet e qindra mijëra të rinjve dhe të rejave në të gjithë Shqipërinë. çdo shoqëri e hapur dhe demokratike ka për detyrë që t'u ofrojë të gjithë anëtarëve të saj mundësi të barabarta për të jetuar të respektuar dhe me dinjitet. Unë besoj se është detyra juaj si politikanë që të promovoni këto vlera në shoqërinë shqiptare". Më tej ai shkruan se ndihet i mbështetur në "të drejtën time për të jetuar i barabartë mes të barabartëve dhe i respektuar nga mesazhi i datës 22 qershor, kur Sekretarja e Departamentit të Shtetit znj. Hilari Klinton më inkurajoi personalisht për hapin që kisha ndërmarrë, ashtu sikurse komuniteti ndërkombëtar dhe një pjesë e mirë e shoqërisë civile në Shqipëri". Ai mbyll letrën e hapur me një kërkesë që politika të japë fjalën e saj. "Unë pres që politikanë si ju të tregojnë publikisht se mirëqenia sociale, fizike, e shpirtërore e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, pa dallim, është realisht e mundshme. Tani është koha për fjalën tuaj dhe më shumë se kaq për veprimin tuaj", shkruan Klodi i BB3, për Berishën e Ramën.