E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Jo deputetë me makina

 

ADI SHKEMBI

Kryeministri Sali Berisha kritikon sistemin aktual të trajtimit të deputetëve, duke konstatuar se me këtë status që gëzojnë tani të zgjedhurit nga populli, nuk bindet njeri se po luftohet korrupsioni. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, e dyta brenda tri ditëve, Berisha u ndal në strategjinë ndërsektoriale të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe qeverisjen transparente, për vitet 2008-2013. "Situata e Parlamentit shqiptar është e papajtueshme me standardet evropiane. Nëse ne mbajmë deputetë me makina dhe shoferë në kurriz të taksapaguesve, mos mendoni se bindim kënd me vullnetin e madh për të luftuar me tolerancë zero korrupsionin. Korrupsioni është abuzim me fondet. Ne jemi maxhoranca dhe duhet të prijmë me shembull në gjithçka. Është e domosdoshme ndryshimi i ligjeve të bazuara në etjen e skajshme, ose ndryshe 'babëzinë'. Ligji i statusit të deputetit është i bazuar në 'babëzinë'. Nuk ka vend në botë që deputeti të marrë 1.5 herë më shumë se Kryeministri, në dieta e të tjera. Ky fakt nuk më shqetëson, por deputeti shqiptar nuk mund të jetë deputeti i vetëm në Evropë me makinë dhe shofer", theksoi Berisha. Madje, sipas tij, në këtë drejtim edhe deputetët e kohës së diktaturës ishin më mirë, pasi nuk kishin makina. Kreu i qeverisë u ndal gjithashtu edhe në luftën ndaj korrupsionit tek institucionet e pavarura. Sipas tij, maxhoranca ka interes për pavarësinë e institucioneve. "Lufta kundër korrupsionit duhet të shtrihet në të gjitha institucionet. Askush më shumë se kjo maxhorancë nuk ka interes absolut për pavarësinë e institucioneve. Pavarësia e tyre është jetike edhe për luftën kundër korrupsionit. Por duhet të jemi realistë se në një vend të lirë asgjë nuk rëndon më shumë pavarësinë e institucioneve, sesa korrupsioni. Korrupsioni ka varësi nga krimi, nga abuzimi, nga shpërfytyrimi moral", u shpreh më tej Kryeministri Berisha. Në pjesën e parë të mbledhjes së qeverisë, kreu i Ekzekutivit kërkoi edhe konsensusin e opozitës, duke thënë se do të insistohet në miratimin e ligjeve së bashku me pakicën në Parlament. Sipas tij, institucionet duhet të bëhen të pastra. "Ne kemi vepruar shumë drejt që nuk kemi penguar dhe nuk do të pengojmë që çdo kërkesë e Prokurorisë për heqjen e imunitetit t'i përgjigjemi, - ne e kemi mbajtur këtë zotim - por duhet të bëhen përpjekje të mëdha që Shqipëria të shembë murin e imuniteteve. Natyrisht vendimi më i qëndrueshëm në këtë rast është ai që merret bashkë me opozitën", vijoi më tej kreu i qeverisë. "Eshtë e domosdoshme të rishqyrtoni çdo procedurë në zyrat tuaja, në veprimtaritë tuaja, në funksion të transparencës. Kemi diskutuar për prokurimet publike. Po fillon procesi i trajnimit", theksoi më tej Berisha.

Qeveria shton 150 vende pune tek Arsimi, ia heq Kulturës

Qeveria ka marrë dje vendimin për të rritur 164 vende pune në administratë. Kështu, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës janë rritur 150 vende pune, të cilat do të jenë në stafet pedagogjike për universitetet dhe për qendrën kërkimore-shkencore të sportit. Gjithashtu në mbledhjen e fundit janë shtuar edhe 20 vende pune në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. "Në lidhjen 1 që i bashkëlidhet këtij vendimi, për numrin total të punonjësve, të miratuar për vitin 2008, në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta shtohen 20 punonjës, për funksionimin e 'qendrës së trajtimit të fëmijëve që vijnë nga familjet në gjakmarrje', në Poliçan", thuhet në vendimin e miratuar dje. Sipas relacionit të këtij vendimi, në këtë qendër që do të hapet do të strehohen rreth 50 fëmijë që vijnë nga zona e Shkodrës dhe kapaciteti i Qendrës është deri në 100 fëmijë. "Kjo qendër do të ofrojë shërbim 24 orësh dhe fëmijët do të qëndrojnë aty deri sa të sistemohen pranë familjeve të tyre ose në vende të përshtatshme", thuhet më tej në relacion. Gjithashtu, sipas tabelës me numrin e përgjithshëm të punonjësve në administratë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i janë hequr gjashtë punonjës. Pas këtyre lëvizjeve numri total i të punësuarve në administratë nga 104.167 do të bëhet 104.331.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›