Manjani: Qeveria kërkon të sundojë Gjyqësorin
Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë socialiste, Ylli Manjani tha dje se, "qeveria vazhdon të ushtrojë presion ndaj gjyqësorit". "Herë në Kryeministri, herë në Parlament e herë në media, qeverisja e sotme po shpalos mjetet për zotërimin tërësisht pushtetin e pavarur të gjykatave në Shqipëri. Procedurat që po ndiqen për miratimin e projektligjit për administratën gjyqësore, projekt të cilin e kemi denoncuar si të pa papranueshëm për standardet e një vendi demokratik, tregojnë më së miri fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie", tha Manjani. Sipas ekspertit socialist, rruga për përmirësimin e gjyqësorit në Shqipëri nuk është tendenca për ta vënë atë nën kontrollin e qeverisë. "PS-ja është e vetëdijshme se gjyqësori nuk është në lartësinë e duhur, siç e kërkojnë interesat legjitime të shqiptarëve. Por, jemi të bindur se rruga e mosbashkëpunimit dhe e sulmit politik mbi pushtetin gjyqësor është më e gabuara e mundshme. PS-ja mendon se pa asnjë ekuivok, kusht apo diskutim pushtetit gjyqësor i duhet garantuar pavarësia", tha Manjani. Sipas tij, "pavarësimi i gjykatave është domosdoshmëri për të siguruar drejtësi të barabartë për të gjithë pa përjashtim. Në këtë këndvështrim si nismat ligjvënëse që kjo qeveri ka marrë deri tani (përfshi ligjin për administratën gjyqësore), ashtu edhe sulmet publike ndaj gjyqësorit janë të papranueshme dhe të rrezikshme për demokracinë në vend".