E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata rifillon punën

 

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në veri të Mitrovicës kanë rifilluar punën me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. Zyrtarë të UNMIK-ut, të cilët presin që pas 2 muajve, punës t’i kthehen edhe punonjësit vendorë të drejtësisë. Pas një ndërprerjeje mëse 6 muaj, e cila kishte ardhur si pasojë e ‘pushtimit’ të objektit të gjykatës nga protestues serbë, ndërkombëtarët filluan punën dje, megjithë protestat e serbëve të një dite më parë, të cilat përfunduan pa incidente. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë, që nga data 3 tetor, do të merren vetëm me shqyrtimin e rasteve urgjente. “Do të jenë dy gjykatës dhe dy prokurorë ndërkombëtarë dhe rreth 12 oficerë dhe asistentë gjyqësorë e të tjerë. Këta do të merren kryesisht me rastet urgjente kriminale, por nuk do të merren me raste civile”, shpjegon Ivanko. Kthimi në punë i punonjësve ndërkombëtarë të drejtësisë në Gjykatën e Qarkut dhe atë Komunale në veri kishte nxitur reagime te gjykatësit vendorë, të cilët kërkuan që sa më parë të kthehen në vendet e tyre të punës në po këtë institucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›