Masaro: Milan në Tiranë me yjet në formacion
Futbollistët e Milanit, të cilët nuk do të thirren nga ekipet kombëtare do të vijnë në Shqipëri për trofeun “Taçi Oil Albania Reads” më datën 14 tetor. Këtë fakt e ka konfirmuar Daniele Masaro, një nga drejtuesit aktualë të klubit të Milanit në një intervistë në “Milan Channel” posaçërisht për këtë miqësore. Masaro ka shpjeguar arsyet e zhvillimit të një ndeshjeje të tillë, teksa nuk ka harruar të falënderojë organizatorin, numri 1 të kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi.
Mund të na konfirmoni se Milani do të jetë në Shqipëri më 14 tetor për trofeun “Taçi Oil Albania Reads? Për Shqipërinë ky është një rast i veçantë, cili është mendimi i klubit tuaj?
Kemi punuar shumë dhe kemi firmosur kontratat. Do të jetë një kënaqësi të prezantojmë formacionin më të mirë që do të jetë në ato momente në dispozicion të Karlo Ançelotit, në një vend mik dhe me shumë tifozë të Milanit.
Ju keni qenë në Shqipëri për Milan Junior Camp, si u ndjetë?
Unë kam një raport të veçantë me Shqipërinë që e thashë edhe në konferencën për shtyp që dhashë atje për Milan Junior Camp. Babai im ka qenë i burgosur atje në kohën e luftës. Ai më pati treguar momentet e jetës së vet dhe kur vajta në Shqipëri ndjeva emocione të forta.
Kjo ndeshje është kërkuar me ngulm jo vetëm nga tifozët shqiptarë, por edhe nga presidenti i “Taçi Oil”, Rezart Taçi, të cilin ju e njihini...?
Rezarti është vërtetë një sipërmarrës i jashtëzakonshëm, që po bën shumë për vendin e tij dhe për fëmijët, që janë e ardhmja, si edhe për solidaritetin. Është një sipërmarrës i madh, një mik i madh dhe një njeri i madh.
Mund të na thoni diçka paraprakisht për formacionin që do të luajë në këtë ndeshje?
Unë nuk jam Karlo Ançeloti, por ai do të hedhë në fushë formacionin më të mirë që do të jetë në skuadër në ato momente. Ne e kemi biseduar edhe me z. Taçi dhe e kemi sqaruar se në atë periudhë janë ndeshjet e Botërorit, pra kombëtaret, kështu që kush do të rrijë në ekip, do shkojë edhe në Shqipëri.
Milani do kontribuojë me 100 mijë euro për librari në të gjithë Shqipërinë, sa e rëndësishme është bamirësia për Milanin?
Që kur ka lindur fondacioni “Milan”, ne kemi bërë shumë projekte, kemi realizuar shumë vepra. Nëse nuk gaboj janë 42, duke mbledhur 3 milionë e 500 mijë euro në total. Do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Solidariteti është shumë i ndjeshëm, falë edhe klubit, atyre që punojnë për të, por edhe falë futbollistëve, që japin imazhin e tyre për të mbledhur fonde për atë që ka nevojë. Z.Taçi është një person shumë i ndjeshëm dhe po bën shumë për vendin e tij, ne jemi shumë krenarë dhe të kënaqur që e japim këtë çek.
Mund të kontribuojnë edhe tifozët shqiptarë duke blerë një biletë, apo duke dërguar sms. Doni të jepni një mesazh për ta?
Është e kotë të themi që prapa evenimentit sportiv qëndron solidariteti. Unë ju them shqiptarëve: ejani të gjithë në stadium dhe kush nuk vjen, mund të jetë afër nesh duke dërguar një sms.
Diçka të fundit, Franko Barezi do të jetë në krahun tuaj?
Nuk është një mundësi, por diçka e sigurt. Ai ka disa kohë që ka nisur të bashkëpunojë me grupin e marketingut dhe bashkë ndajmë idetë për të gjitha impenjimet dhe evenimentet sportive në mbarë botën. Për fat, kam një “shpatull”, dikë ku mund të mbështetem. Më përpara në fushë, kërkoja unë të isha “shpatulla” e tij, tani ka ardhur ai në grupin e marketingut dhe të marrëdhënieve me publikun. Pra, do të jetë prezent në bazë të programeve që ka skuadra, sepse të dielën do të jetë ndeshja e kampionatit dhe skuadra kërkon që të kthehet shpejt në Itali, pas këtij evenimenti. Pra, do të jem unë dhe Franko, që do ta drejtojmë skuadrën në Tiranë.