E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosch: Shqipëria është prekur nga kriza, në rrezik shtresat e varfra

Nga Tema

Shqipëria është prekur nga kriza dhe kjo duket nga rënia e dërgesave të emigrantëve. Kjo do të sjellë rritjen e varfërisë në vend, dhe mund të shtojë dhe kriminalitetin.

Këto deklarata u bënë nga ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch, gjatë konferencës së II Përgatitore e Forumit të 17 të OSBE për Ekonominë dhe Mjedisin, me temë “Menaxhimi i Migrimit dhe lidhja e tij me politikat ekonomike, sociale dhe mjedisore në përfitim të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e OSBE dhe ndikimet e krizës ekonomike globale te migracioni”. “Falënderoj autoritetet shqiptare për organizimin e Forumit të 17 të OSBE për Mjedisin dhe Emigracionin. Emigracioni ka ndikimin e tij direkt në jetën ekonomike të vendit, pasi një pjesë e shoqërisë i ka jetike të ardhurat e emigrantëve. Rënia e remitancave rrezikon thellimin e varfërisë. Fenomeni ka pasojat e tij në zhvillimin dhe rritjen e ekonomisë”, - tha Bosch.

“Efektet e kësaj krize botërore për shumë vende me të ardhura të ulëta, si Shqipëria, tashmë kanë filluar të ndjehen pak nga pak. Sipas të dhënave, del se në vitin 2008 dërgesat e emigranteve shqiptare ishin 700 milionë euro, një burim mjaft i rëndësishëm për vendin. Por, për shkak të krizës, tendenca e tyre është në rënie, madje disa emigrantë edhe mund të kthehen në shtëpi. Këto janë efekte që duhen marrë parasysh, pasi këto ngjarje nuk mund të kenë tjetër përveçse pasoja negative në mirëqenien sociale. Për më tepër ne të gjithë e dimë se në kohë krizash ka një rrezik më të lartë për rritjen e krimit dhe trafiqeve, çka mund të sjellë edhe përkeqësimin e sigurisë”, - vijoi më tej kreu i prezencës së OSBE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›