Krijohet “Poli i lirisë”, mungon Ngjela
“Poli i Lirisë” i iniciuar prej Nard Ndokës, Dashamir Shehit dhe Spartak Ngjelës nënshkruan sot marrëveshjen, por pa firmën e avokatit. Kreu i PDK-së konfirmoi dje për gazetën “Panorama” firmosjen e marrëveshjes së bashku me Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar dhe Partinë Bashkimi Demokratik, ndërkohë që ish deputeti i PD-së, që ka krijuar tashmë Partinë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, mund të bëhet pjesë e Polit në një moment të dytë. Marrëveshja, e cila firmoset sot në orën 11:00 dhe bëhet publike një orë më vonë, ka në preambulë të saj arsyet e krijimit të polit dhe që sipas iniciuesve “në prag të këtyre zgjedhjeve të reja politike, është momenti që qytetarët e lirë të Shqipërisë, gratë dhe burrat e përgjegjshëm, të rinjtë dhe të rejat, intelektualët, studentët, të gjithë ata që duan ta ndryshojnë Shqipërinë, të bashkohen dhe ta udhëheqin kombin drejt së ardhmes”. Në marrëveshje këto tre forca politike angazhohen për organizimin e një fushate zgjedhore konstruktive, barazi të shanseve të secilës parti në koalicion, program të përbashkët politik me parimet e reformave kryesore.