Shtëpia mbi Lanë
Përgjatë perëndimit të Lanës, kësaj vije uji, që kryeqytetasit mundohen ta përfytyrojnë sikur të jetë lumë dhe ku dy shpate të rregulluara plot bar i japin hijeshi deri në ish-Shkollën Teknologjike, papritur diku... nuk mund të ecësh më tej. As ti, as ndonjë kafshë rastësore, që po aq rastësisht ushqehet andej. Mbi Lanë është ajo: Shtëpia simbol e ngujimit në kryeqytet. E dinë të gjithë dhe është kaq e zakonshme në jashtëzakonësinë e saj, saqë tani nuk i bën askujt përshtypje. Ngrehina e pambaruar me një suva, si pangjyrë dhe gati e bunkerizuar, qëndron në këmbë dhe duket sikur noton pjesërisht në mes të lumit. Brenda kësaj shtëpie “të harruar” banojnë me fëmijët e tyre dy vejusha, të cilat, për fat të mirë, askush s’ka marrë guximin t’i përzërë jashtë. Shtëpia e kuqe e Lanës - e vetmuar dhe e papërsëritshme - është diçka më tepër se një ndërtesë abuzive e mbijetuar: ajo është një monument i pavullnetshëm dhe i jashtëzakonshëm i përzierjes së kohërave dhe hapësirave që sot mbart Tirana”, - do shkruante një gazetar i huaj, që e përshkruante kështu këtë fenomen të gjallë brenda kryeqytetit.
Shtëpia e familjes ka kohë që është e kyçur. Për miqtë, të afërmit dhe kureshtarët. Një brengë e madhe varet mbi shtëpi dhe ashtu si vdekjet që i janë mbjellë në vite, nuk e lë që të lulëzojë. Ngrehina bajagi e mirë trekatëshe nuk ka hijen e ndërtesës së qetë. Ka një pjesë poshtë të pambaruar dhe dritaret e katit të tretë të pavëna. Por kjo është më e pakta gjë në morinë e halleve të familjes...
Gruaja S. K., që na shfaqet befas nga dera ku i biem ziles, është mbi të gjashtëdhjetat. Është e veshur me të zeza dhe nga pas e ndjek një djalë i vogël, shumë i sjellshëm. Një ditë më parë, një pasdite, kemi folur me të nipin, që të gjitha kërkesave tona i është përgjigjur me një “JO” ose “Të shohim”. Në fakt, një ditë më vonë, kur jemi para kësaj gruaje, përgjigjja nuk është se ndryshon shumë. “A mundemi të flasim pak brenda?” “Jo”. “Nuk mundem”. “Nuk kam folur për askënd”. Pak minuta më vonë, teksa fjalosemi me gruan që duket shumë e munduar dhe me një siklet të pathënë, na thotë vetëm pak fjalë. I kanë vdekur të dy djemtë. Më i madhi B. K., 39-vjeçar dhe tjetri L. K., 37-vjeçar. Njëri është ngatërruar falë fatit të tij të keq prej makinës dhe është ekzekutuar në Mamurras. Pak vite më vonë, një fatkeqësi i ka ndodhur dhe vëllait të dytë. Këtë herë, masakra ka qenë fisnore. Është ekzekutuar nga kushëriri i tij i parë. Dhimbja këtu ndalet. Ky është kob. Çfarë mund të thotë më, në të vërtetë? Por gruaja duket fisnike dhe duke parë insistimin më jep një adresë tjetër, që mund të na flasë. I bindemi.
Pak kohë më vonë gjejmë adresën e njeriut të saj. Është Shabani S., një 50-vjeçar simpatik, ish-gazetar i K. J., që na ndriçon historinë, por me një kujdes dhe mirësjellje për të mos lënduar askënd. Gruaja, që na ka përcjellë këtu, është e shoqja e dajës së tij. Plaku i shtëpisë është i sëmurë dhe i pamundur. Dita e tyre është më shumë se e thjeshtë. Ngrihen dhe rrotullohen të gjithë në shtëpi. Punon dikush, ndërsa miq e dashamirë i ndihmojnë. Vetëm se bashkë me hallet, duket se i ka pllakosur dhe një pleqëri jo e lehtë. Duket se lehtësimi i vetëm dhe frymëmarrja që i mban në jetë pleqtë - janë nipërit e mbesat, por edhe një dashamirësi e jashtëzakonshme e bashkisë së kryeqytetit, që ata në çdo rast nuk e dinë si t’ia shpërblejnë. Pastaj gjithçka është e njëjtë. Nuk dalin. Ndërsa nga dritaret e shtëpisë shikojnë përditshmërinë e një qyteti që rritet dhe që duket se i ka harruar krejtësisht. Hanë, vishen, flenë, shikojnë dhe presin. Kë? Këtë askush nuk di ta thotë prej tyre. Dy të afërm, që janë më të lirë, bëjnë me kujdes pazarin, por edhe i ndihmojnë.
Në fakt, në këtë Tiranë kaq bashkëkohore dhe lëbyrëse, ku përplasen pa mëshirë individualitete urbanistike të çuditshme, shtëpia duket se nuk do trandet lehtë. Ajo është aty brenda Tiranës së monumenteve të regjimit komunist, të shesheve të paanë dhe të bulevardeve të gjerë si shenjë që Kanuni i madh e ka gllabëruar historinë e tyre, kurse e tija mbetet e paprekshme. Ajo është po aq sa edhe kompleksi liktorian i ministrive ndërtuar nga italianët, vetë sheshit të hallakatur “Skënderbej”, dhe po aq historike sa institucionet urbanistike më të vjetra të qytetit, Xhamisë së Et’hem Beut, Kullës së Sahatit, Muzeut Kombëtar të ndërtuar nga kinezët dhe Pallatit të Kulturës, projektuar nga arkitektët rusë, do vërente një gazetar i huaj.
Për Shabanin plaga është e mahisur dhe madje edhe shembullin që na e jep me durim, e krahason me një të tillë gjendje. “Sapo plaga vendos pak kore, atëherë ia mbërrijnë dhe e ngacmojnë. Çfarë mund të bëjë një familje me vejusha dhe pleq, që mezi jetojnë?” - na thotë. “A mund të ketë pak humanizëm përballë kësaj fatkeqësie?” Në fakt, kohë më parë, në një emision është marrë si trajtesë dhe shembull i keq i Kanunit: ekzistenca e saj në një Tiranë të pastruar nga krejt ndërtimet mbi Lanë. Por trajtimi joprofesional i ka shokuar gratë e veja të shtëpisë dhe pleqtë, që u duhet të llogarisin mirë të përditshmen dhe të marrin vazhdimisht vendime jo të lehta për jetën e tyre.
Bashkia dhe pushteti qendror i dy forcave politike, duket se në të vetmin vend në Tiranë nuk kanë mëdyshuar asnjëherë: Përderisa nuk mundin që të zgjidhin problemin e tyre, atëherë ata kanë vendosur t’i lënë rehat. “Po a mund t’i bëhet më ndonjë shkatërrim një familjeje të tillë?” - thotë Shabani, i cili është një nga njerëzit jashtë shtëpisë, që i duhet të kujdeset, por në njëfarë mënyre të bëjë dhe njeriun e shtypit të tyre.
Intermexo
Gjithçka është modifikuar aq frikshëm, saqë edhe shteti nuk bën dot më shumë. “Pas vitit 1990, në Shqipëri, u përhap fenomeni i konflikteve për pronën, trafikimin e armëve, femrave dhe drogës - duke nxitur vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje, jo vetëm në zonat veriore, ku ka ekzistuar vetëqeverisja kanunore, por edhe në jug”, - rrëfente kohë më parë për “MAPO”-n, Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve. Në fakt, duket se edhe ligji ka shumë shtigje për të manovruar. Specialistët rrëfejnë se në Kodin Civil dhe atë Penal rezultojnë 21 ligje dhe 73 nene, të cilat duhen rishikuar së bashku me Kodin e Procedurës, pasi në disa raste favorizojnë, jo vetëm veprimtarinë keqbërëse, por edhe korrupsionin në Drejtësi. Pra, ka një shteg më shumë për vrasjet për hakmarrje e gjakmarrje. E gjakmarrja në Shqipëri nuk ka falur deri vetë krerët e pajtimeve. Kjo e bën problematike situatën shqiptare, por edhe të vështirë, sepse ajo është veshur me elementë bashkëkohorë.
Një ide “e vjetër”
Paçka se është disi kontribuuese puna e strukturave të ndryshme, një zgjidhje e mundshme për të ndrequr diçka - mbetet ideja e Malit të Zi me këtë fenomen vite më parë. Malazezët hartuan një platformë të tillë në fillim të viteve ’50, sipas së cilës veçohej vrasësi (ose doraci, siç quhet me kanun), dhe pastaj me të duhej të merrej Drejtësia. Duke pasur parasysh zakonin gati të njëjtë të këtyre trevave, ku ai që vret mund të merret në besë dhe ti nuk mund ta prekësh, ai linte shteg për manovrime. Kjo nismë e nisur me shumë bujë në Malin e Zi ka përfunduar vetëm në vitin 1970. Që nga atëherë në Malin e Zi janë vrarë vetëm shtatë vetë. Mbase kjo do të ishte një zgjidhje në trevat ku shteti e ka ende shumë të vështirë që të ndërhyjë, paçka fjalëve të tij. I ndjeri Emin Spahia, kreu i shoqatës së Shkodrës, që ishte aq optimist dhe donte ta zbatonte në Shqipëri, nuk mundi… pasi ai vetë u bë pre e një plumbi gjakmarrjeje, ndoshta. “Çdo qenie njerëzore kultivon te vetja shpresën për ta nisur jetën nga e para dhe për të mos mbetur gjithmonë i burgosur i gabimeve dhe i fajeve të veta. Ëndrra hedh vështrimin drejt së ardhmes për të zbuluar edhe një perspektivë të re të besimit e të angazhimit...”, - do thoshte dikur.
Të gjitha këto bëjnë pak punë për familjen që jeton falë mirënjohjes për Bashkinë e Tiranës dhe autoriteteve. Shteti ka ngrirë për gjakmarrjen në Shqipëri, paçka se mendon se ka kohë që bën sikur e harron për hir të aplikimit në strukturat e BE dhe në NATO. Shtëpia mbi Lanë akuzon, ashtu si dhjetëra shtëpi të tjera, që janë kudo të përhapura mbi Shqipëri.