E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Zgjedhjet, jo votim familjar

 

BLEDAR HOTI

Ndërkombëtarët shtojnë tonet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, 11 ditë përpara hedhjes së votës në kutitë e votimit, u bëri thirrje partive politike dhe qeverisë që të realizojnë zgjedhje sipas standardeve të kërkuara ndërkombëtare. Kreu i OSBE ishte prezent së bashku me kreun e shtetit Bamir Topi, në ceremoninë e diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në projektin “Rritja e rolit të gruas në qeverisje 2009-2011”. “Do të jemi në gjendje të vlerësojmë se sa do të jetë numri i grave që shkojnë në votime dhe deri në çfarë mase do të jenë ato në gjendje të shprehin të drejtën e tyre kushtetuese, për të votuar në mënyrë individuale dhe të fshehtë dhe pa fenomenin e errët të presionit të jashtëm, i njohur si votimi familjar”, deklaroi Bosch. Ai shtoi se “justifikimi i kësaj sjelljeje duke e etiketuar thjesht si pjesë e “kulturës shqiptare” nuk vlen më për vitin 2009”. “Faktorët politikë shqiptarë duhet të tregojnë se janë seriozë në arritjen e ambicieve të tyre të integrimit, sidomos tani si një shtet anëtar i NATO-s, e duhet të dalin me një qëndrim publik të patundur për të dënuar një sjellje të tillë ndaj grave në ditën e zgjedhjeve. Le të shpresojmë që këto zgjedhje të arrijnë standardet e kërkuara, ku vlerat e popullit shqiptar përkthehen në mënyrë të saktë e të ndershme në vende në parlament”, tha Bosch. Kreu i prezencës së OSBE-së shtoi se “autoritetet e administrimit të zgjedhjeve kanë një përgjegjësi të qartë për të parandaluar kryerjen e veprimeve të tilla në ditën e zgjedhjeve”. “Të biem dakord që në zgjedhjet parlamentare shqiptare të vitit 2009, populli shqiptar do ta hedhë tej fenomenin e shëmtuar të votimit familjar në koshin e plehrave të historisë së politikës, aty ku e ka vendin dhe do të votojë sipas zgjedhjes së vet”, tha Bosch. Ndërsa kreu i shtetit, Bamir Topi, tha se “gruaja ka rol vendimtar në shoqëri dhe se pjesëmarrja e tyre në zgjedhje do të jetë shumë e rëndësishme. “Ju duhet të dini të përçoni mesazhin, shoqëria shqiptare ka shumë, shumë nevojë që zgjedhjet e datës 28 të zhvillohen vërtet të lira, të zhvillohen në një klimë të qetë, t’i largohemi në mënyrë definitive episodeve të dhunshme, që ndodhin diku dhe që duhet të dënohen nga të gjithë, dhe mbi të gjitha të tregojmë që zgjedhjet e datës 28 do të jenë një arritje e rëndësishme për Shqipërinë, mbas së cilave rruga drejt BE, padyshim që nuk do të jetë një rrugë e ngushtë, nuk do të jetë një rrugë me kthesa, por do të jetë një bulevard i gjerë!”, tha Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›