E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: “Ndryshime në Kodin Zgjedhor, komisionerët nuk duhen të kenë bindje politike”



Në një tryezë të përbashkët bisedimesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, së bashku me OSBE-në, kanë diskutuar dje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që kanë për synim përmirësimin e tij. Në këtë takim merrnin pjesë krerët e KQZ-së dhe ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh. OSBE-ja, nga ana e saj, ka parashtruar disa rekomandime për ndryshime në Kodin Elektoral. Por, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, është ndjerë e revoltuar nga sjellja e kreut të KQZ-së, Arben Ristani, pasi ky i fundit thjesht e ka ftuar në këtë takim Subashin dhe nuk e ka njoftuar më parë për një çështje kaq të rëndësishme për të qenë edhe ajo pjesë e organizatorëve të këtij takimi për ndryshimet në Kodin Elektoral. Kështu, Subashi me këtë argument ka e braktisur këtë tryezë në shenjë proteste.
Rekomandimet
Ambasadori i OSBE-së, Bosh, ka deklaruar se një ndër ndryshimet që duhet të bëhet në Kodin Aktual përkon me bindjet politike të anëtarëve të Komisionit Zgjedhor, si dhe me komisionerët. “Anëtarët e Komisionit Zgjedhor të mos kenë bindje politike, si dhe komisionet e zgjedhura njëherë të mos ndryshohen. KQZ-ja t’i vlerësojë vetë komisionet”, - sqaroi Bosh. Duke e venë theksin te rëndësia e këtyre rekomandimeve, Bosh i ftoi autoritetet t’i marrin parasysh. "Është vendimtare që për garantimin e administrimit të pavarur dhe profesionist të zgjedhjeve, partive politike nuk u duhet lejuar që t’i zëvendësojnë anëtarët e komisioneve të niveleve më të ulëta në mënyrë arbitrare. Zëvendësime të tilla duhet të lejohen vetëm për arsye specifike të parashikuara qartë nga kuadri ligjor”, - theksoi ambasadori i OSBE-së. Ndërkaq, Bosh nënvizoi se Kodi Zgjedhor duhet të garantojë mekanizma efektivë për plotësimin e vendeve të lira në administratën zgjedhore në rast se partitë politike nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të përcaktuara. “Unë besoj se këto janë rekomandime shumë të rëndësishme dhe do t’u bëja thirrje autoriteteve përkatëse që të bëjnë të pamundurën për t’i marrë ato parasysh dhe për t’i zbatuar siç duhet. Sa më shpejt të diskutohen rekomandimet e Këshillit të Europës dhe ODIHR-it dhe zbatimi i tyre, aq më mirë”, - u shpreh Bosh. Ndërsa Ristani njoftoi se së bashku me komisionerët vendorë, KQZ-ja po punon që të bëhet pjesë e reformës zgjedhore. "E shtruam për diskutim në këtë mbledhje për të tërhequr mendimet që komisionerët zgjedhorë kanë, në mënyrë që të përgatitemi dhe të kemi një draft tonin propozimesh të mundshme që synojnë përmirësimin e ligjit zgjedhor", - tha Ristani. Gjithashtu, ai theksoi se ky institucion do të certifikojë komisionerët vendorë duke synuar që për zgjedhjet e ardhshme lokale, në marrëveshje me partitë, të eliminohen komisionerët partiakë.
Konflikti
Ambasadorit Bosh i është dashur të normalizojë situatën pas largimit të nënkryetares Subashi, si shenjë revolte ndaj kreut Ristani. "Duke qenë nënkryetare e KQZ-së, unë jam ftuar që të marr pjesë në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm dhe nuk ndjehem mirë që në një analizë pune për të rregulluar punët e së ardhmes unë të mos jem e informuar", - tha Subashi.

OSBE

Bindjet
Anëtarët e Komisionit Zgjedhor të mos kenë bindje politike, si dhe komisionerët e zgjedhur njëherë të mos ndryshohen. KQZ-ja t’i vlerësojë vetë komisionet

Zëvendësimet
Është vendimtare që për garantimin e administrimit të pavarur dhe profesionist të zgjedhjeve, partive politike nuk u duhet lejuar që t’i zëvendësojnë anëtarët e komisioneve të niveleve më të ulëta në mënyrë arbitrare. Zëvendësime të tilla duhet të lejohen vetëm për arsye specifike të parashikuara qartë nga kuadri ligjor.

Emërimet
Kodi Zgjedhor duhet të garantojë mekanizma efektivë për plotësimin e vendeve të lira në administratën zgjedhore në rast se partitë politike nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të përcaktuara.

Sot përurohet Aeroporti i Kukësit nga ministri i arab i Punëve të Jashtme

Aeroporti i Kukësit “Sheikh Zayed”, do të pëurohet sot përmes një ceremonie të posaçme, në të cilën do të jetë i pranishëm vetë ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Kryediplomati i Emirateve mbërrin sot në Shqipëri, ku pas një takimi dhe një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta, ai do të marrë pjesë në inaugurimin e aeroportit të Kukësit “Sheikh Zayed”. Ndërkaq, mësohet se gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, Al Nahyan do të takohet edhe me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Presidentin e Republikës, Bamir Topi.

Shtyhet për herë të shtatë gjyqi për komisionerët e Ruzhdies

Është shtyrë për herë të shtatë seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për votimet në fshatin Ruzhdie të Fierit. Vendimi është marrë nga gjyqtari i çështjes Roland Jaupaj, pas mungesës së avokatëve mbrojtës Rozeta Plaku dhe Zenun Hadërmataj, ndërkohë që seanca e radhës është caktuar për datën 7 korrik. Procesi gjyqësor ndaj 6 komisionerëve të qendrës së votimit në fshatin Ruzhdie dhe tre votuesve nga ky fshat ka nisur në muajin shkurt të këtij viti. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve dhe votim më shumë se një herë. Po sot është zhvilluar dhe seanca e radhës për komunën Portëz. Mungesa e dy të pandehurve ka bërë që edhe seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurve, ish-komisionerë të fshatrave Plyk dhe Kraps, në komunën Portëz, rrethi Fier, të dështojë për të shtatën herë.

25 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›