Pagat dhe pensionet, qeveria merr borxh 25 milionë euro me 8 për qind interes
Ervin KOÇI
Qeveria shqiptare ka vendosur t’u japë një dorë bankave të nivelit të dytë në vend, duke u marrë një kredi jo të vogël në këtë kohë krize. Bëhet fjalë për një borxh të ri prej 25 milionë eurosh, që qeveria do të marrë te bankat private në vend me anë të ndërmjetësimit të Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit është bërë “kamerdarja” e shpëtimit të qeverisë në këtë kohë krize, duke i kaluar disa herë likuiditete madje në disa raste në shkelje me ligjin. Ditën e hënë më datë 28 qershor do të zhvillohet edhe ankandi i radhës që do t’i sigurojë qeverisë jo pak, por 25 milionë euro për të realizuar rritjen e premtuar të pagave dhe pensioneve më 1 korrik 2010. Sipas të dhënave nga departamenti i operacioneve monetare pranë BSH-së, bonoja do të merret për një afat 9 mujor, me një interes prej 8 për qind dhe bankat që do të marrin pjesë në këtë ankand do t’i lëvrojnë paratë më datën 30 qershor, kur kjo kredi do të maturohet. Në të gjitha proceset e shitjes së borxhit që kërkon të marrë qeveria, BSH-ja luan rolin e saj. Sipas statistikave, gati 18.35 për qind e borxhit të qeverisë mbahet nga BSH-ja, me një rritje rreth 1 pikë përqindjeje, kurse pjesa tjetër zotërohet nga bankat tregtare, ku vetëm njëra mbart 33.79 për qind.
Borxhi
Marrja e këtij borxhi do të ndihmojë buxhetin e shtetit në këtë periudhë që Ministria e Financave nuk po arrin të emetojë eurobondin në tregun ndërkombëtar, për shkak të rritjes së ndejshme të interesave, si pasojë e krizës greke. Por nga ana tjetër, interesi i lartë me të cilin bankat e nivelit të dytë po i kreditojnë këto para qeverisë shqiptare, bën që kësaj të fundit t’i rritet borxhi i brendshëm. Burime nga MF-ja bëjnë të ditur ndërkohë se, do të synohet që në ankandin për bonon 25 milionë eurosh të sigurohet një normë interesi më e ulët se 7.5 për qind, që është interesi i eurobondit që do të emetohej në tregun ndërkombëtar. Por një gjë e tillë duket si e pamundur, pasi nga sa është mësuar, bankat e nivelit të dytë nuk do të japin asnjë ofertë nën normën 8 për qind ditën e hënë. Shifrat e fundit nga MF-ja, referuar tremujorit të parë 2010, deklarojnë se stoku i borxhit arriti në 406 miliardë e 476 milionë lekë, ku 58 për qind i takojnë instrumenteve të huas afatshkurtër (borxh i marrë për periudha shlyerje deri në një vit). Bie në sy fakti se, në tabelën e stokut të borxhit nuk ka asnjë të dhënë rreth letrave me vlerë të emetuara për periudha 9-mujore, e ndoshta eurobondi përbën rastin e parë.
Operacioni
Sipas MF-së, marrja e 25 milionë eurove nga bankat tregtare në vend nuk do të krijojë probleme për financimin e biznesit, pasi sistemi bankar është në gjendje të shëndoshë financiare dhe ka likuiditete që të japë kredi. Por mbetet fakt që ritmet e kreditimit të biznesit janë ngadalësuar gjatë këtij viti, për shkak edhe të garancive të pakta që ofron sipërmarrja, si pasojë e vështirësive që po kalon. Në këto kushte, bankat janë më të sigurta që të financojnë qeverinë, pasi bonot janë me risk zero. Fatura për rritjen e pagave dhe pensioneve do të ketë një vlerë totale prej rreth 40 milionë eurosh, gjithnjë nëse i qëndrohet planit për rritje deri në 15 për qind, sikurse ka kërkuar Kryeministri. Nga ana tjetër, në MF-ë kanë vijuar këto ditë diskutimet mbi nivelin e rritjes së pagave dhe pensioneve, ku ekspertët e ministrisë po bëjnë të pamundurën për të siguruar një rritje të paktën 10 për qind. Por nga ana tjetër, kryeministri Berisha ka planifikuar normën 15 për qind. Buxheti i shtetit nuk përmban të ardhura të mjaftueshme për të vënë në zbatim premtimin elektoral, edhe pse disa institucioneve të rëndësishme do t’u reduktohen shpenzimet për investime.
Emetimi i eurobondit, mision i pamundur për qeverinë
Emetimi i eurobondit, ose marrja borxh në valutë nga bankat ndërkombëtare ose nga ato tregtare të nivelit të dytë, është kthyer në një “mision të pamundur” për qeverinë dhe Ministrinë e Financave. Kjo e fundit pohon se, emetimi i eurobondit për kredinë në masën 400 milionë euro, do të shtyhet edhe për ca kohë, derisa të qetësohen tregjet. Deri atëherë, MF-ja do të operojë me bankat vendase, të cilat janë shumë të zellshme kur bëhet fjalë për të kredituar qeverinë, pasi norma e fitimit është shumë e mirë dhe investimi i sigurt. Aktualisht, gjendja në banka sa u takon depozitave konsiderohet e qëndrueshme, madje me likuiditet të mjaftueshëm për nevojat e ekonomisë, përfshi dhe valutën, e cila do të jetë mjeti i përdorimit të letrës me vlerë.
Kriza greke kthen emigrantët në Shqipëri
Situata e vështirë ekonomiko-financiare e Greqisë gjithmonë e më shumë po bind emigrantët ta braktisin këtë vend. Sipas të përditshmes "Kathimerini", janë me mijëra emigrantë që kanë jetuar në Greqi për vite të tëra, kryesisht nga Shqipëria, të cilët po kthehen në vendlindje për shkak të ndikimit të madh të krizës financiare tek të ardhurat e tyre. Agjencitë e udhëtimit në kryeqytet po raportojnë një rritje mbi normalen të numrit të emigrantëve, të cilët blejnë bileta autobusi për veten dhe familjet e tyre për t'u kthyer në Shqipëri. "Zyra ime po rezervon bileta për 10 familje çdo muaj",- shprehet Petros Matzaris, i cili zotëron një agjenci në qendër të Athinës, që merret me organizimin e udhëtimeve me autobus për në Shqipëri. Ai shprehet se eksodi filloi rreth dy vjet më parë dhe ka arritur pikun në muajt e fundit. "Po presim një valë tjetër të madhe në ikje tani që shkollat po mbyllen për verë",- shprehet Matzaris. Sipas tij, shumë familje janë duke u larguar më herët se çdo vit për pushimet e tyre të verës, pasi nuk ka punë. "Shumë prej tyre nuk e çojnë nëpër mend të kthehen, ndërkohë që ka të tjerë që mendojnë të kthejnë vetëm gratë dhe fëmijët, në mënyrë që këta të fundit të përfundojnë shkollën",- shton ai. Nikita Tsiprian, i cili punon për një tjetër agjenci udhëtimesh në qendër pranë rrugës "Acharnon", raporton të njëjtin trend. "Disa punëtorë të ndërtimit më thonë se kanë pasur shumë pak punë përgjatë 6 muajve të fundit",- shprehet ai. Shumica e emigrantëve që po largohen nga Greqia janë shqiptarë, një numër më i vogël nga Bullgaria dhe nga vende të tjera të ish-Bllokut Sovjetik.
Rruga Levan-Vlorë, miratohet fondi i shpronësimeve
Hapet thesi i parave për pronarët e truallit ku do të ndërtohet rruga Levan (Fier)-Vlorë, aktualisht e bllokuar për shkak të procesit të kompensimit. Sipas vendimit, pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, për sipërfaqen 260 003 m2, tokë arë, vlerësuar me çmimet konfirmuar nga AKKP-ja, me vlerë 126 710 570 lekë, për sipërfaqen 13 185 m2, truall, vlerësuar me çmimet konfirmuar nga AKKP-ja, me vlerë 127 425 030 lekë, për objekte, me vlerë 10 930 522 lekë, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 265 066 122.8 lekësh. Shpronësimi do të fillojë më 30 qershor 2010 dhe do të përfundojë më 30 shtator. ZVRPP, Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, do të fillojë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 23.06.2010
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 3.50%
12M 12-mujor 6.92%
6M 6-mujor 6.11%
3M 3-mujor 5.34%
1M 1-mujor 5.11%
1Ë njëjavor 4.65%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.64%
1Ë njëjavor 6.30%
o/n njëditor 5.45%
12M 12-mujor 8.76%
6M 6-mujor 7.82%
3M 3-mujor 7.06%
25 Qershor 2010