E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosh: “ODIHR mbërrin në Tiranë më 15 mars”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Tirana zyrtare është shprehur gjithmonë si nëpërmjet kryeministrit Berisha edhe ministrit Basha se fton OSBE-ODIHR të sjellë sa më shumë vëzhgues për zgjedhjet. Ndërsa opozita dhe kryesisht PS-ja është treguar skeptike për sa i përket mbarëvajtjes dhe infrastrukturës së zgjedhjeve ku thembra Akilit, sipas tyre, janë letërnjoftimet.

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, në një prononcim për mediat është shprehur se vëzhguesit e parë të ODIHR-it për të monitoruar procesin parazgjedhor do të mbërrijnë në Tiranë më 15 mars. Ambasadori i OSBE-së, Bosh, mori pjesë në takimin për bashkëveprimin në luftën për parandalimin e konfliktit të interesave dhe korrupsionit, e organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Bosh u shpreh në këtë takim se duhen politika parandaluese për korrupsionin dhe duhet më shumë bashkëpunim mes institucioneve. Ambasadori i OSBE-së iu përgjigj interesimit të medias për monitorimin e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri si dhe çështjes së ligjit të legalizimeve, një ligj i cili po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, duke thënë se “pikërisht në këtë moment nuk jam në gjendje që të jap një përgjigje konkrete, jo se nuk dëshiroj, por sepse do të doja të jepja një përgjigje ekzakte dhe më konkrete për këtë çështje. Për sa i përket monitorimit të zgjedhjeve, së pari, Qeveria është gati dhe kanë përsëritur vazhdimisht që duan të kenë sa më shumë vëzhgues që të jetë e mundur. Dihet nga të gjithë që është ODIHR-it ai që funksionon dhe dërgon komisionerë dhe kryen monitorimin e zgjedhjeve. Kështu që grupi i vëzhgimit dhe përfaqësuesit do të vijnë me misionin e tyre për vlerësimin e nevojave për të bërë monitorimin e zgjedhjeve. Kam përshypjen se do të vijnë në Tiranë diku nga 15-16 marsi. Për sa i përket mënyrës së monitorimit vetë ODIHR do të bëjë publike dhe janë ata që do të përcaktojnë se si do të bëhet vëzhgimi”. Kreu i OSBE-së tha gjatë takimit të organizuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të pasurive se korrupsion mund të ketë kudo në shoqëri apo në institucion, por detyra jonë është ta parandalojmë atë. “Të gjithë nëpunësit duhet të plotësojnë formularët e deklarimit të pasurive në mënyrë që ta verifkojmë atë. Ky është vetëm një hap i parë por duhet të merren dhe shumë të tjerë. Qeveria duhet t i ndihmojë njerëzit t i plotësojnë deklaratat e pasurisë”, - përfundoi ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh.
Ky lajm është publikuar: 25/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›