Meta: “Respektojmë vendimin e Kushtetueses, pavarësisht rezervave”
Eljona Ballhysa
Ministri i Punëve të Jashtme, njëkohësisht dhe zëvendëskryeminisër, Ilir Meta, është shprehur dje se ai dhe qeveria do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Marrëveshjes me Greqinë për kufijtë detarë. Meta ka bërë të ditur se pavarësisht rezervave që mund të ketë ai apo përfaqësues të tjerë të qeverisë, ata do të respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kuadër Meta ka ironizuar qëndrimin e opozitës, duke theksuar se pikërisht ky është ndryshimi midis opozitës dhe qeverisë, pasi sipas tij, qeveria respekton vendimet e gjykatave, ndryshe nga opozita, që kërkon hapjen e kutive të votimit duke dalë mbi vendimet e gjykatave. Ministri i Jashtëm gjithashtu ka bërë të ditur se dikasteri që ai mbulon do të lexojë me kujdes vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe argumentet e dhëna që rrëzojnë Marrëveshjen detare me Greqinë. Ai sqaroi se ky vendim i Kushtetueses nuk ndikon aspak në marrëdhëniet diplomatike të fqinjësisë së mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Qëndrimi
“Ju e dini se që në momentin që kjo çështje ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese, qeveria ka ndërprerë çdo lloj debati publik për këtë çështje, pasi ka bërë gjithë transparencën e duhur dhe të domosdoshme më parë, pikërisht në respekt të pavarësisë së institucioneve dhe të Gjykatës Kushtetuese për rastin në fjalë. Qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo është një domosdoshmëri që vjen nga respekti i qeverisë për pavarësinë e gjykatave dhe të institucioneve të pavarura, pavarësisht nga pretendimet apo nga rezervat që mund te kemi ndaj çdo lloj vendimi, pasi ne do të lexojmë me vëmendje dhe argumentimet që do të jepen dhe kuptohet që do të bëjmë edhe sqarimet e duhura”, - është shprehur Meta, ndërsa ka ironizuar qëndrimin e opozitës. “Por dallimi esencial midis kësaj maxhorance europiane për integrim me lidershipin aktual të opozitës aktuale, është pikërisht ky: Ne i respektojmë vendimet e gjykatave edhe kur na pëlqejnë, edhe kur mund të kemi rezerva për to. Kurse ata janë vetëm për ato vendime që u pëlqejnë dhe i injorojnë kur këto vendime bien në kundërshtim me pëlqimet, apo dhe me interesat e tyre të ngushta politike”, - është shprehur ministri i Jashtëm. Ai theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ndikohen nga ky vendim dhe janë marrëdhënie që do të vazhdojnë të thellohen në të ardhmen. “Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, pavarësisht nga cilido që mund të jetë mendimi dhe argumentimi përkatës, janë marrëdhënie të cilat do të ecin përpara, ashtu sikurse jemi të bindur se zgjidhja e të gjitha çështjeve që janë të mbartura nga e kaluara, sikurse është dhe çështja e këtyre kufijve, absolutisht që është një gjë e domosdoshme, aq më tepër për një vend që synon të integrohet në Bashkimin Europian si Shqipëria. Çdo gjë do të bëhet duke respektuar institucionet e dy vendeve, duke respektuar ligjin ndërkombëtar dhe cilido që do të dëshironte që ky vendim do të cenonte marrëdhëniet mes dy vendeve, jam i bindur se do të mbetet i zhgënjyer”, - është shprehur Meta. Ai gjithashtu ka sqaruar se Ministria e Jashtme do të lexojë me shumë vëmendje të gjitha argumentet që do të jepen në vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të japë sqarime se si do të ecet më tej.
Vendimi
Në mbledhjen e datës 26 janar, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë Marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në njoftimin zyrtar të këtij institucioni bëhet e ditur se “Gjykata Kushtetuese, në bazë të Nenit 131/ (b) të Kushtetutës, vendosi njëzëri të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën projektmarrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Gjykata Kushtetuese thekson se në projektmarrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën e Tretë Ndërkombëtare të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1982”, - shkruhet në njoftimin zyrtar për shtyp, ndërkohë vendimi i plotë i kësaj gjykate do të zbardhet në ditët e ardhshme.
PS, Felaj: “Hapja e kutive nxjerr në dritën e diellit mandatin e grabitur të Ilir Metës”
Pas deklaratës së zv.kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta për bojkotin e opozitës, ka reaguar deputetja e Partisë Socialiste Ermonela Felaj. Sipas deputetes Felaj, qëndrimi i Metës për moshetimin e zgjedhjeve vjen nga fakti se hapja e kutive do të nxjerrë në dritë mandatin e tij të grabitur në PS. “Dallimi mes nesh dhe Ilir Metës është që ne jemi të vetëdijshëm për interesat e atyre që përfaqësojmë, kurse Iliri i Saliut përfaqëson vetëm interesin e xhepit të tij. Ne e dimë pse ky shërbëtor i zellshëm i Sali Berishës nuk do hetimin e zgjedhjeve. Këtë të vërtetë po e mësojnë çdo ditë e më shumë edhe shqiptarët: Iliri i Saliut përpiqet që t’i mbajë kutitë të mbyllura, pasi hapja e kutive do të nxjerrë në dritë të diellit faktin se mandati i Ilir Metës është mandat i grabitur i Partisë Socialiste”, - u shpreh Felaj. Pas draft-rezolutës të hartuar nga dy raporterët e Këshillit të Europës, David Willshire dhe Jaako Lakso, Meta është shprehur pro çdo lloj forme të dialogut dhe ka shprehur konsideratën më të lartë për Presidentin e Republikës, për pozicionin e kushtetues që ai mban. Draft-rezoluta e KiE-së mbështet përpjekjet e Presidentit Topi për të rivendosur kontaktet mes partive politike shqiptare. Draft-rezoluta vlerëson se një tryezë e rrumbullakët mes partive politike mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike në vend dhe të hedhë bazat për rivendosjen e dialogut parlamentar. Në kuadrin e raportit të KiE-së, presidenti Topi duhet të luajë rolin e tij të negociatorit dhe të ndihmojë t’i jepet fund bojkotit që është bazuar në mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Ligori: Kufiri detar me Greqinë, Berisha të kërkojë falje publike
Pas anulimit të Marrëveshjes së kufijve detarë me Greqinë nga Gjykata Kushtetuese ka reaguar deputetja e Partisë Socialiste, Shegushe Ligori, duke i kërkuar kryeministrit Sali Berisha t’u kërkojë falje publike qytetarëve shqiptarë. Ndërsa përsa u përket kredencialeve të opozitës në Këshillin e Europës, Ligori theksoi se kredencialet e tij në raport me Kushtetutën e Republikës kanë rënë. “Sali Berisha duhet t'u kërkojë falje shqiptarëve për pozitën e vështirë ku na ka vënë të gjithëve, me një marrëveshje, e cila nuk ka respektuar as Kushtetutën, as parimet e fqinjësisë së mirë”, - u shpreh Ligori. Deputetja Ligori nënvizoi se vendimi i Kushtetueses flet për një pushtet të verbër, që sipas saj, për të shtatëmbëdhjetën herë kapet nga Drejtësia në shkelje të Kushtetutës. Gjithashtu, sipas saj, vendimi flet për një kryeministër të marrë që shtatëmbëdhjetë herë rresht është zënë me presh në duar kundër interesave të vendit e kundër çdo parimi demokratik. “Shkelja e vërtetuar e Kushtetutës për të shtatëmbëdhjetën herë në katër vjet tregon edhe me çfarë njerëzish është i rrethuar Sali Berisha, dallkaukë të paskrupullt që dinë të bëjnë vetëm korrupsion për interesat e familjes që qeveris Shqipërinë. Shtatëmbëdhjetë shkeljet e provuara nga Gjykata nuk janë për fat të keq të gjitha shkeljet që Sali Berisha i ka bërë kushtetutës dhe sot ka një arsye më shumë për ta larguar me protesta këtë pengmarrës të Shqipërisë nga detyra që nuk e kryen dot përveçse duke shkelur interesat e vendit e të popullit të tij”, - u shpreh deputetja Ligori.
28 Janar 2010