Pakti me Greqinë, një histori antikushtetuese
Albert Gjoka
Deri në siglimin e Marrëveshjes për ndarjen e vijës detare kufitare të Shqipërisë me Greqinë gjithçka ishte mbuluar nga heshtja. Do të duhej ngazëllimi i kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, i cili, teksa ndodhej në Bruksel, e konsideroi siglimin e parë të paktit me Tiranën zyrtare si një sukses gjeostrategjik të vendit të tij dhe më pas të ngriheshin hijet e para të misterit. Data 19 mars nxori fijet e holla të një procesi të nëndheshëm, i cili u shfaq qartë më vonë si pjesë e një pakete kushtesh në tryezën e pokerit mes krerëve të dy qeverive, Berishës dhe Karamanlisit, të cilat përcaktonin raportet mes dy vendeve, që mbartnin një histori tensionesh dhe pakënaqësish deri në kohën e ardhjes në pushtet të PD-së, në vitin 2005.
Reagimet e para të ish-nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi erdhën fill pas një shkrimi të publikuar nga gazeta “Albania” më datë 23 mars 2009. Ish-diplomati dhe historiani i njohur do të adresonte kërkesën e drejtpërdrejtë për kryeministrin Berisha që të bënte transparente bisedimet për përcaktimin e Shelfit Kontinental. Pas disa ditë heshtjeje, prilli do të vinte në sprovë negociatorët, por edhe qeverinë, në lidhje me ligjshmërinë e Marrëveshjes që po përgatitej mes dy vendeve. Vizita e paralajmëruar e kreut të qeverisë së Athinës Kostas Karamanlis në Tiranë ngjalli dyshime të mëtejshme, të cilat shtynë reagimet publike edhe të ekspertëve të fushës.
Firmosja
Shqipëria ishte nën ethet e fushatës zgjedhore, të nisur para kohe, kur Tiranën zyrtare e vizitoi kryeministri grek Kostas Karamanlis. Ai vinte me një turrë kërkesash për mikun e tij, Sali Berisha, si; çështja e varrezave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës në territorin shqiptar, firmosja e Marrëveshjes për ndarjen e vijës kufitare detare, apo edhe tërheqja nga trajtimi institucional për problemin çam. Të gjitha këto ishin në këmbim të firmave që Greqia do të jepte për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin në NATO dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Po ashtu, kjo vizitë do të shërbente edhe si një mbështetje e drejtpërdrejtë për zotin Berisha në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Karamanlis vinte në Tiranë pas vizitave dhe takimeve të bëra me krerët më të lartë të Kremlinit dhe Budapestit për disa projekte të mëdha në fushën e energjetikës. Firmosja e Paktit nga Dora Bakojanis dhe Lulzim Basha, në praninë e dy krerëve të qeverive, ngazëlleu delegacionin grek, pasi u duk se gjithçka kishte marrë fund.
Debatet
Në mesin e muajit maj të vitit 2009 filloi të fashitej problemi i vijës kufitare detare për shkak të fushatës së egër zgjedhore. Pas denoncimeve të bëra nga mediat, në debat u përfshinë Pëllumb Xhufi, Ksenofon Krisafi, Arben Puto e shumë të tjerë, dhe në krye të kundërshtarëve të zellshëm, koloneli në lirim, Myslym Pashaj, i cili nuk rreshti për asnjë moment të denoncojnë shkeljet e bëra në negociatat që delegacioni i ekspertëve shqiptarë kishte bërë me grekët. Çështje të tilla si; kriteret e përzgjedhura për ndarjen e vijës detare mes dy vendeve, trajtimi i Gjirit të Sarandës, apo edhe aspekte të tjera që kishin të bënin me Konventën e Kombeve të Bashkuara për Detet (Konventa e Montego Bay-it), shfaqen dilema të forta për shkak të mospërfshirjes së ekspertëve për çështjet e së drejtës ndërkombëtare në këtë fushë dhe moskërkimit të ekspertizës nga qeveria shqiptare në NATO apo Kombet e Bashkuara. Në atë periudhë u organizuan disa dëgjesa apo debate, ku shfaqeshin secila palë më vete, për të përfunduar më pas me një debat, ku një gjeneral ushtrie të dilte në media jo për të mbrojtur punën që kishte bërë, për të cilën ishte paguar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, por për të denigruar publikisht një plak që e kishin nxjerrë nga radhët e ushtrisë për shkak të moshës. Madje, as kryeministri Berisha nuk do të ngurronte të akuzonte kundërshtarin e flaktë të kësaj marrëveshjeje, kolonelin në lirim, Myslym Pashaj, si një matuf që nuk merr vesh nga kjo çështje.
Padia
Pas zhurmës së bërë në media nga disa ekspertë, opozita do të bindej realisht se kjo marrëveshje nuk mund ta kalonte procedurën e ratifikimit në Parlament pa u parë nëse ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën e Shqipërisë, pasi ajo prekte edhe elementet e sovranitetit dhe territorialitetit të vendit. Partia Socialiste zhvilloi disa takime me ekspertët e fushës dhe gjithë procesin e konsulencës dhe përfundoi me një tryezë të organizuar me parti opozitare, të majta dhe të djathta. Në përfundim, 6 subjekte politike paraqitën në Gjykatën Kushtetuese padinë, ku i kërkohej asaj për të parë nëse kjo marrëveshje legjitimohej sipas parimeve kushtetuese.
Në anën tjetër, drafti ishte në pritje për të hyrë në procedurë ratifikimi në Kuvend që prej nisjes së legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Rrotacioni i pushtetit në Greqi dhe ardhja në krye të qeverisë e kryetarit të PASOK-ut, Jorgos Papandreu, u shoqërua me zbutje të presioneve nga Athina zyrtare për autoritetet shqiptare. Por, presionet e brendshme, të bëra nga opozita, mediat dhe ekspertët, bënë që të shtyhej axhenda e futjes së saj në procedurë votimi. Më 20 tetor, në ditën kur u depozitua padia në Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi nuk mund të bënte asnjë hap më tej pa dalë vendimi prej saj. Gjatë kësaj periudhe, Kolegji i përbërë prej 9 anëtarësh, zhvilloi disa seanca, duke dëgjuar palët pro dhe kundër marrëveshjes për “delimitimin e Shelfit Kontinental” mes Shqipërisë dhe Greqisë. Së fundi, Gjykata Kushtetuese vlerësoi si të drejtë padinë e bërë nga blloku i partive opozitare, duke bërë kështu që kjo marrëveshje të kthehet, për të nisur edhe një herë bisedimet mes ekspertëve të dy vendeve.
Misteret
Shqipëria me Greqinë kanë shumë çështje të pazgjidhura, madje edhe me vijën kufitare tokësore. Por, Athina zyrtare e nisi me shumë ngut punën për të ndarë, fillimisht zonën detare në kanalin e Korfuzit, pa u shqetësuar aspak se ende nuk ishte përcaktuar qartë ndarja e kufirit tokësor, apo edhe çështje të tjera. Në fillimin e vitit 2006, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në adresë të ish-ministrit Besnik Mustafaj kishte mbërritur një kërkesë nga Athina zyrtare për përshpejtimin e Marrëveshjes për ndarjen e vijës detare mes dy vendeve, me argumentimin se një kompani e huaj po bënte kërkime nafte në zonën pranë kanalit të Korfuzit. Kjo shërbeu si një shtytje e parë zyrtare që të hidhen hapat. Ndonëse kanë kaluar disa vjet, ende nuk ka të dhëna zyrtare që të flasin për punë konkrete në atë zonë, ku të tregohen stacione shpimesh mbi det. Në anën tjetër, Greqia, bashkë me Turqinë, Bullgarinë dhe Rusinë në krye, po negocionin prej disa vitesh për të ndërtuar gazsjellësin “Rrjedha e Jugut” (South Stream), i cili flitet se do të kalojë përgjatë kanalit të Korfuzit, si rruga më pak e kushtueshme dhe më e shkurtër për të çuar gazin nga Lindja në portën hyrëse të Perëndimit. Ai mendohet se do të kalojë në të ashtuquajturën “zonë ekonomike” të ujërave detare shqiptare, për të hyrë në Otranto, me destinacion, brigjet e Brindizit. Ky projekt tashmë i ka gjetur financimet dhe aksionerët dhe pritet që të nisë punën në terren në prill të këtij viti. Sipas burimeve nga kompania, ritmet e punës do të jenë 3 kilometra çdo ditë dhe projekti është parashikuar që të mbarojë në një kohë rekord. Në këtë mënyrë, “Rrjedha e Jugut” do të shmangë çdo lloj përfitimi që mund të marrë Shqipëria, ndërsa do të shtonte peshën specifike të Greqisë në koniunkturat gjeostrategjike për fitimin e betejave të energjisë. Mbase mund të ketë edhe arsye të tjera, të cilat nuk dihen. Por, zhvillimet më të fundit në Shqipëri, pa dyshim do të ngrenë shumë çështje dhe debate në Tiranë, Athinë e gjetkë.
Greqia shprehet e shqetësuar për vendimin e Gjykatës Kushtetuese
ATHINË - Athina zyrtare reagon pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e ujërave detare duke e konsideruar një zhvillim negativ. Zëvendësministri i Jashtëm grek, Dimitris Drucas, shprehu dje shqetësim për rrëzimin e Marrëveshjes ndonëse theksoi se respekton vendimin e institucioneve shqiptare. “Jemi të shqetësuar për këtë situatë dhe në pritje të sqarimeve të këtij vendimi. Ne nuk mund të komentojmë vendimet e gjykatave, por presim nga pala shqiptare që të vendosë një zgjidhje të çështjes”, - theksoi numri dy i Diplomacisë greke. Ndër të tjera, Drucas nënvizoi se qeveria greke është në pritje të informacioneve nga pala shqiptare duke shtuar se do të diskutojë me ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, për këtë çështje. Ky reagim vjen vetëm pas më pak se 24 orë nga njoftimi zyrtar për dhënien e vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Moisiu e Milo, pro Kushtetueses për kufijtë
TIRANË - Alfred Mosiu, që mbante postin e Presidentit të Republikës në kohën kur pati plotfuqinë e tij kur është ngritur grupi i punës për negocimin e Marrëveshjes për ndarjen e kufijve ujorë me Greqinë, përshëndeti dje vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, për të disatën herë ky institucion tregoi pavarësinë e tij; ku edhe në këtë rast nuk ra pre e shpërfilljes se interesave kombëtare nga grupi që hartoi draftin. Edhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, vlerësoi vendimin e dhënë dy ditë më parë nga Kolegji i Gjykatës Kushtetueses, pasi, sipas tij, qëndroi e baraslarguar nga dy palët e interesuara për rrëzimin apo lënien e Marrëveshjes në fuqi. Kjo, pasi motivi procedural që rrëzoi paktin nuk ishte pjesë e argumenteve juridike, as i socialistëve, as i demokratëve. A duhet dhe si mund të rinegociohet Marrëveshja për caktimin e kufijve ujorë me Greqinë? Mosiu dhe Milo flasin për zgjidhje të problemit të mbetur pezull tashmë mes dy vendeve, duke reflektuar mbi vendimin që ka shprehur Gjykata Kushtetuese.
Partia e çamëve mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese
TIRAN - Partia Drejtësi dhe Unitet përshëndeti dhe mbështeti vendimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për nulifikimin e Marrëveshjes me Greqinë për ndarjen e ujërave territoriale dhe të Shefit Kontinental. Përmes një deklarate të bërë për mediat ditën e mërkurë, PDU-ja thotë se “ishte një ndër forcat e para politike në vend që shprehu rezervat dhe shqetësimin e saj në lidhje me këtë marrëveshje”. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese na dha të drejtë në vendosmërinë që kishim kundër kësaj marrëveshjeje”, - tha kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi. Sipas tij, “për më tepër, ky vendim tregoi se në Shqipëri funksionon shteti ligjor, e për këtë arsye përshëndetet dhe e mbështetet fuqimisht ky vendim”.
28 Janar 2010