E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: Politika të gjejë zgjidhje pa humbur kohë

Sipas Bosh, çdo zgjidhje duhet të jetë në përputhje me parimin e transparencës dhe me kornizën ligjore


TIRANË - I ka sosur durimi Ambasadorit të OSBE-së, Robert Bosh, i cili, përmes deklarimit të dytë zyrtar të tij pas ditës së premte të javës së kaluar, ka bërë thirrje për zgjidhje të krizës në mënyrë urgjente.


Përmes një deklarate zyrtare, Bosh ka ripërsëritur se politika shqiptare duhet të gjejë një zgjidhje, pa humbur kohë. "Kam vërejtur numrin e madh të komenteve publike të bëra pas përgjigjes që i dhashë medias, të premten e kaluar, në lidhje me situatën politike aktuale.


Theksoj edhe njëherë se pas nëntë muajsh të gjatë, klasa politike shqiptare duhet të gjejë pa humbur më kohë një zgjidhje, për të cilën bien dakord të dyja palët", - tha Bosh, përmes një deklarate zyrtare.


Në të njëjtën kohë, Ambasadori i OSBE-së ka veçuar se çdo zgjidhje që do të ishte në funksion të zgjidhjes së krizës politike, duhet të jetë në përputhje me parimin e transparencës dhe me kornizën ligjore shqiptare.


Pak ditë më parë, Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, u shpreh se ka një kompromis shumë të mirë mbi tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve, ai inkurajoi udhëheqësit politikë të pranojnë kompromisin.


Sipas tij, politikanet duhet të shmangnin teknikalitetet dhe të mos vinin në plan të parë interesat e tyre personale, pasi nuk kishte më kohë. Por, pas deklaratës së Bosh, reagimet kane qenë të shumta, madje edhe të ashpra, kryesisht nga mazhoranca dhe vetë kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›