E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rëndohet shëndeti i Elsa Lilës, në çadër vetëm 3 gra greviste

Në ditën e 18 të grevës rëndohet gjendja shëndetësore e të gjithë grevistëve. Kanë probleme me stomakun kryesisht dhe me tensionin


TIRANË - Brishtësia e trupit duket se nuk përballon më forcën e zemrës së saj.
Pas tetë ditësh ngujimi në çadrën përballë kryeministrisë, trupi i Elsa Lilës është dorëzuar.


Dje nuk mundej të shëtiste krevat më krevat për t'i dhënë kurajë të gjithë atyre njerëzve që për 18 ditë qëndrojnë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".


Temperatura e lartë që kishte, si dhe anomalitë e tjera shëndetësore, e kanë detyruar të strukej në qoshëzën e çadrës, e njohur si kthina e femrave heroike. Që aty me zërin e saj të fortë, ende përpiqej t'i jepte zemër kolegëve të saj, paçka se tashmë në çadër kanë mbetur vetëm 3 femra.


Krevatet e qoshëzës së çadrës, atu ku 18 ditë më parë u sistemuan femrat që vendosën përkrah burrave të vetëflijohen, kanë mbetur bosh. Nga një dysinë prej tyre kanë mbetur vetëm tre. Kanë vetëm zemrën të fortë, pasi prej ditësh trupi nuk u bindet më vullnetit që gjithsecila ka shprehur që në nisje të lëvizjes më të rëndësishme të zhvilluar deri më tash nga opozita.


Si për ironi të fatit, të tria kanë një trup të brishtë, si Elsa ashtu dhe Moza Boçari e Anila Bakalli. Por asnjëra prej tyre nuk pranon të dorëzohet. E në fakt, gjithë pasdites së djeshme Elsa Lila është përpjekur çdo kujt t'i mbushë mendjen që është mirë me shëndet.


Është endur krevat më krevat për të treguar se është ende e fortë dhe se do të jetë ndër të fundit që do të largohet prej aty. Duket se Elsa e di fort mirë që për pjesën më të madhe të grevistëve është kthyer në një ikonë e forcës dhe e protestës. Ndaj endet në për çadër për t'i treguar gjithkujt se është e fortë paçka se mjekët të thonë se gjendja e saj shëndetësore është rënduar se tepërmi.


Sipas tyre, gjatë natës dhe paradites së djeshme Elsa Lila ka pasur temperaturë të lartë dhe luhatje të theksuara të tensionit. Gjatë ditës së djeshme, si pasojë e situatës së rënduar shëndetësore një tjetër çadër është kthyer në qendër të ndihmës së shpejtë, ku marrin serum pjesa dërrmuese e grevistëve të mbetur.


Gjendja shëndetësore rëndohet orë pas orë dhe shumica e grevisteve thuajse të gjithë kohën e kalojnë të shtrirë. Nuk sheh më burra që vrasin kohën duke lexuar apo duke luajtur letra. Pothuajse të gjithë qëndrojnë të shtrirë dhe vetëm nga duartrokitjet kuptojnë që edhe një tjetër grevist u detyrua të marrë ndihmë më të specializuar në qendrën spitalore "Nënë Tereza".


Megjithatë, në çadrën e ngritur para kryeministrisë gjithçka ka marre formën e një beteje, e cila, sipas grevistëve, nuk është më me kryeministrin, por me realitetin e krijuar në Shqipëri, një realitet që, sipas tyre, i ka marrë frymën lirisë dhe demokracisë së vërtetë.


"Jemi këtu si një shembull për të bindur shqiptarët e tjerë që të kuptojnë se pa rregulla të ndershme loje nuk mund të ecim përpara", - të thotë Erjon Veliaj.


Këto të thonë edhe grevistë të tjerë ku tashmë janë më të bindur se kurrë për të qëndruar deri në pikën e fundit në grevën e urisë. Nuk kanë më besim tek zgjidhja që mund të vijë nga ndërtesa përkrahshi. Përkundrazi.


Të thonë në kor se mohimi i paktit të propozuar nga ndërkombëtarët është tregues i mungesës së vullnetit politik të kryeministrit për të bërë transparencë të zgjedhjeve të 28 qershorit.


E deri sa situatën e komentojnë si të tillë, gjithsecili prej tyre është i bindur se zgjidhja duhet të vendoset nga populli, nga ato mijëra njerëz që jo vetëm i mbështesin çdo mbrëmje, por edhe janë të gatshëm që përkrah tyre të vetëflijohen mu përballë ndërtesës së kryeministrisë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›