E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: “Zgjedhjet e ardhshme, provë për ligjin e ri”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Duhet shpresuar që të paktën me ndryshimet në Shqipëri të kodit elektoral dhe mundësitë që ofron sistemi i ri proporcional, të kemi një numër më të madh grash në Parlament. Pjesëmarria e grave në vendimmarrje në nivelet e një përfaqësimi më të lartë është një çështje e së drejtës, një çështje emancipuese dhe një çështje e demokracisë”, - tha Topalli

Prezenca e OSBE-së në vendin tonë nuk është aq shumë optimiste për pjesëmarrjen e grave në jetën politike shqiptare. Shefi i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Robert Bosh pohon se duhen veprime konkrete dhe jo thjesht deklarata politike. Gjatë një takimi të organizuar në Kryesinë e Kuvendit, mes deputeteve të parlamenteve të rajonit, kreu i OSBE-së, Bosh, deklaroi se efektshmëria reale e këtij instrumenti ligjor do të shihet në konfigurimin e Parlamentit të ardhshëm. Për herë të parë në Kodin Zgjedhor, i cili ende është në diskutim, u sanskionua se 30 për qind e listave elektorale të partive duhet të përbëhen prej grave, në të kundërt partitë nuk do të hyjnë në zgjedhje. Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerësoi çështjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje si një çështje të së drejtës, të emancipimit dhe demokracisë. Ndërkohë që kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pohoi se duhet bërë një punë e madhe që të rritet pjesëmarrja e gruas jo vetëm në pushtetin qendror, por edhe në atë lokal.
Deklarata
“Ka një frymë optimizmi në Shqipëri për një përfaqësim të madh të gruas në vendimmarrje, kjo e reflektuar edhe në ligjin e ri, por do duhet të presim zgjedhjet e ardhshme, sepse është tjetër gjë një ligj i shkruar dhe tjetër gjë të zbatohet ajo që shkruhet”, - tha Bosh. Më tej, në fjalën e tij në këtë tryezë, ai shtoi se pritet një zbatim korrekt i Kodit të ri Zgjedhor në Shqipëri për sa i përket kuotës së përfaqësimit të grave për të parën herë në këtë vend. Bosh vlerësoi në mënyrë të veçantë iniciativat dhe rolin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë përkundrejt çështjeve gjinore. Ambasadori i OSBE-së shprehu bindjen se klasa politike në Shqipëri do ta vlerësojë përgjegjësinë e saj të përbashkët për një ripërkufizim pozitiv të rolit politik të grave në këtë vend. “Gjithashtu, jam i sigurt se në të dyja këto tema të rëndësishme ju keni përvojat tuaja personale dhe praktikat më të mira që do të donit të ndanit me të tjerët. Vetëm nëpërmjet ndarjes së përvojave të tilla, rajoni në tërësi mund të përmirësojë statusin e grave në jetën politike”, - ka theksuar në fjalën e tij ambasadori Bosh. Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerësoi çështjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje si një çështje të së drejtës, të emancipimit dhe demokracisë. “Duhet shpresuar që të paktën me ndryshimet në Shqipëri të kodit elektoral dhe mundësitë që ofron sistemi i ri proporcional, të kemi një numër më të madh grash në Parlament. Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në nivelet e një përfaqësimi më të lartë është një çështje e së drejtës, një çështje emancipuese dhe një çështje e demokracisë”, - tha Topalli. Ndërsa kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se gratë duhet të përfaqësohen në politikë për faktin se ato ofrojnë një politikë të orientuar nga interesat njerëzore. “Unë besoj se kjo është një e drejtë e grave për të qenë më të përfaqësuara, për sa i përket nivelit të arsimimit shpesh ato janë më lart sesa pala tjetër. Gratë mund të ofrojnë një poltikë të orientuar nga interesat njerëzore”, - u shpreh Leskaj. Me iniciativë të OSBE-së, gratë parlamentare nga vendet e Evropës Juglindore janë mbledhur për të shkëmbyer përvojën e tyre dhe për të diskutuar mënyrën e rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë. Në takimin e djeshëm, i drejtuar nga deputetja e PSD-së, Diana Çuli, merrnin pjesë deputetet e ardhura nga parlamentet e vendeve të rajonit, si Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Serbia.

Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›