E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja e lirë, Qeveria ka dështuar

Autori i Lajmit: red.
Sekretarja për Marrdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, fajëson qeverinë për pengesat që kanë shqiptarët për lëvizjen e lirë. Sipas saj, pavarësisht retorikës së kryeministrit Sali Berisha dhe kurajës së tij për të konsideruar problemet e krimit dhe korrupsionit si joreale, por thjesht perceptime, pavarësisht pohimeve të tij amatoreske dhe delirante se Shqipëria është vendi edhe më i sigurt se vendet perëndimore, realiteti qeverisës dhe situata në Shqipëri sa vjen dhe përkeqësohet. “Kjo vërtetohet edhe nga raporti i OKB-së për krimin në Shqipëri, qëndrimet e BE-së lidhur me krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri përmes komisionerit të Zgjerimit, Oli Rehn, raportit të Departamentit të Shtetit për Trafikimin e vitit 2008 për vitin 2007, sipas të cilit Shqipëria kalon nga niveli i dytë një shkallë më poshtë, pra në listën e vrojtimit të grupit të dytë. “Kujtoj që nga ky nivel Shqipëria kishte dalë që në mars të vitit 2002. Citoj: Për shkak se dështoi të demonstronte provat të përpjekjeve në rritje për të luftuar trafikun qeveria nuk identifikoi viktimat e trafikimit dhe qeveria nuk ka demonstruar se po ndjek apo heton në mënyrë energjike zyrtarët fajtorë”, - pohoi Dade. Po si fakte të përkeqësimit të situatës sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në selinë rozë përmendi dhe raportin e Prokurisë së Përgjithshme për situatën e krimit në Shqipëri, udhërrëfyesin e BE-së lidhur me lehtësimin dhe liberalizimin e vizave etj. Dade theksoi se kjo Qeveri ka dështuar në premtimin për lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse ka dështuar në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Komisioni Evropian, shto këtu dhe imazhin. “Përmbushja e standardeve do të jetë një nga përparësitë që socialistët në pushtet do të realizojnë si një detyrim ndaj shtetasve që ata ta ndiejnë veten të barabartë me qytetarët e tjerë të familjes ku duam të integrohemi”, - tha ajo.
Ky lajm është publikuar: 25/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›