E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: “Zgjedhjet duhet të zhvillohen larg episodeve të dhunshme”

Presidenti deklaron se kjo fushatë është një hap përpara për vendin. Ai u bën thirrje partive të deklarojnë konsensus për reformën në Drejtësi

Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar dje se zgjedhjet në Shqipëri duhet të zhvillohen në një klimë të qetë, larg episodeve të dhunshme, të cilat duhet të dënohen nga të gjithë. Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e diplomimit të zonjave pjesëmarrëse në projektin e OSBE-së “Rritja e rolit të gruas në qeverisje 2009-2011”, presidenti Topi theksoi se është momenti që shoqëria shqiptare të tregojë që zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë një arritje e rëndësishme për Shqipërinë. Ndërsa gjatë një interviste dhënë dje “Zërit të Amerikës”, presidenti Topi e ka cilësuar ecurinë e deritanishme të fushatës elektorale një hap përpara për vendin dhe ka kërkuar nga partitë politike të shprehen më shumë për reformën në Drejtësi. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e djeshme Topi ka vlerësuar se përfshirja e grave në politikë ka shënuar progres nga viti në vit dhe se ka ardhur koha që ato të lëshojnë mesazhe aktive për shoqërinë shqiptare.
Thirrja
“Unë shpresoj që pjesëmarrja juaj edhe në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme politike të datës 28 qershor do të jetë shumë e rëndësishme, do të jetë aktive, do të jetë e ekuilibruar, sepse mesazherët më të mirë për shoqërinë ju siguroj që janë gratë, gratë, sepse në formimin e tyre kanë një strukturë shumë të rëndësishme, strukturën që mban shoqërinë në këmbë”, - është shprehur Topi, i cili është fokusuar në rëndësinë që kanë zgjedhjet e 28 qershorit. “Ju duhet të dini të përçoni mesazhin, sepse shoqëria shqiptare ka shumë, shumë nevojë që zgjedhjet e datës 28 të zhvillohen vërtet të lira, të zhvillohen në një klimë të qetë, t’u largohemi në mënyrë definitive episodeve të dhunshme që ndodhin diku dhe që duhet të dënohen nga të gjithë dhe, mbi të gjitha, të tregojmë që zgjedhjet e datës 28 do të jenë një arritje e rëndësishme për Shqipërinë, mbas të cilave rruga drejt Bashkimit Europian pa dyshim që nuk do të jetë një rrugë e ngushtë, nuk do të jetë një rrugë me kthesa, por do të jetë një bulevard i gjerë”, - është shprehur kreu i shtetit shqiptar.
Vlerësimi
Ndërsa gjatë intervistës dhënë “Zërit të Amerikës”, i pyetur në lidhje me ecurinë e fushatës zgjedhore, presidenti e ka vlerësuar atë të qetë dhe një hap përpara krahasuar me fushatat e zgjedhjeve të kaluara. “Ajo çka presin të gjithë është që kjo fushatë të konkludojë në mënyrën më të mirë të mundshme, në parametra mjaft civilë në standarde demokratikë dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me partitë politike që janë në fushatë. Ajo që është më e rëndësishmja është që data 28 qershor të jetë dita e kurorëzimit të fryteve të demokracisë në Shqipëri. Pa dyshim që kjo fushatë është një arritje e konsiderueshme krahasuar me fushata të tjera zgjedhore. Po zhvillohet përgjithësisht në një klimë të qetë. Njerëzit janë të pranishëm. Kandidatët, me sa kam parë, nuk kanë kontestime të dukshme lidhur me hapësirat e tyre. Asnjëherë nuk mund të arrihet maksimumi, sepse evoluimi i demokracisë sigurisht do kohën e vet, por mendoj që kjo fushatë është një hap përpara”, - është shprehur Topi.
Ndërsa përsa i përket kritikës, presidenti është ndalur dhe njëherë te reforma në Drejtësi, duke vënë në dukje se partitë politike e kanë anashkaluar këtë temë të rëndësishme për vendin. “Unë kam shprehur një shqetësim që lidhet me vizionin për Drejtësinë. Sigurisht mund të lidhet edhe me momente të tjera, por unë e kam parë në një këndvështrim specifik për reformat në Drejtësi, sepse këto reforma domosdoshmërisht kërkojnë konsensus. Është e detyrueshme që partitë të shprehen për një vullnet pozitiv në arritjen e konsensuseve të gjera, sepse kërkohen votime të cilësuara dhe domosdoshmërisht është shumë e rëndësishme që reformat në Drejtësi të vazhdojnë”, - është shprehur presidenti Topi.

17 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›